Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale për humbjen e peshës?

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar kur një person duhet t’i drejtohet një profesionisti për të humbur peshë.

Sipas saj, ndihma profesionale duhet kërkuar sa më herët dhe jo vetëm kur obeziteti arrin në forma të rënda.

“Ne kemi një koncept të gabuar që mendojmë se kur obeziteti është morbid, pra arrin shifra alarmante, atëherë është momenti që ne duhet të kërkojmë ndihmë”, shprehet Duro.

Ajo thekson se diabeti dhe obeziteti janë sëmundje kronike, ndaj ndërhyrja e hershme është shumë e rëndësishme. Ndihma mund të kërkohet edhe në fazën e mbipeshës, veçanërisht kur ekzistojnë faktorë të tjerë rreziku apo sëmundje bashkëshoqëruese.

Një tjetër moment kur duhet kërkuar ndihmë është kur personi ka provuar të humbasë peshë vetë, përmes dietave joprofesionale, por nuk ka arritur rezultatet e dëshiruara. Po ashtu, ndërhyrja profesionale bëhet e rëndësishme kur mbipesha apo obeziteti fillon të ndikojë në cilësinë e jetës.

Trajtimi nuk është vetëm dietë

Sipas mjekes, obeziteti është një sëmundje kronike dhe multifaktoriale, ndaj trajtimi kërkon një qasje multidisiplinare.

Në këtë proces mund të përfshihen endokrinologu, nutricionisti, aktiviteti fizik i përshtatur sipas nevojave të pacientit dhe, kur nevojitet, edhe suporti psikoemocional.

“Kanë rënë tashmë ato teoritë që trajtimi i obezitetit është vetëm dieta”, thekson Duro, duke shtuar se trajtimi duhet të personalizohet në varësi të qëllimeve dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese të pacientit.

Postime të ngjashme

Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Si fotoja e një personi mund të ndihmojë në parashikimin nëse një pacient me kancer mund ta përballojë trajtimin apo jo
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
Rama për protestuesit: Kanë nevojë për psikolog dhe trajtim