Zhvillime të mëtejshme në dizenjimin e barnave për trajtimin e infeksioneve virale

Prof. Asc. Rilinda Klosi

Barnat antivirale

Barnat antivirale luajnë një rol vendimtar në menaxhimin e pandemive virale të shkaktuara nga variante të reja gjenetike, veçanërisht në fazat e hershme kur vaksinat nuk janë të disponueshme. Pasojat e pandemive të gripit kanë qenë serioze në shekullin e 20, përmendim Gripin Spanjoll 1918, Gripin Aziatik 1957, Gripin e Hong Kongut 1968. Në muajin qershor të vitit 2009, OBSh-ja deklaroi fillimin e pandemisë nga një lloj i ri virusi, i emërtuar si A/H1N1. Strategjitë tradicionale antivirale historikisht janë mbështetur te vaksinat, të cilat ende janë të domosdoshme, por ato përballen me kufizime. Vaksinat specifike ndaj viruseve dhe barnat antivirale janë mjetet më të fuqishme për të luftuar sëmundjet virale.

Viruset pushtojnë qelizat normale të individit dhe i përdorin ato për t’u shumuar. Antiviralët veprojnë në radhë të parë duke frenuar shumimin e viruseve në qelizat pritëse. Mekanizmat e veprimit grupohen në disa kategori. Kështu për shembull, antiviralë si enfuvirtide ose maraviroc shenjtërojnë fazën e futjes së virusit në qeliza duke ndërhyrë te proteinat e sipërfaqes së virusit. Antiviralë të tjerë si acikloviri veprojnë gjatë shumimit të virusit duke imituar strukturat e ADN-së virale dhe bllokuar shumimin.

Eksperienca globale e viteve të fundit për sa i përket shpërthimeve epidemike virale ka riorganizuar prioritetet shkencore. Viruset nuk shihen më vetëm si kërcënime biologjike episodike, por si sfida të vazhdueshme. Kërkimi shkencor është shtrirë përtej barnave tradicionale, duke përfshirë forma të përparuara të nanoteknologjisë dhe bioinxhinierinë. Biologja sintetike, që bazohet në dizenjimin dhe ndërtimin e përbërësve biologjikë, ka krijuar mundësi të reja për mbrojtjen antivirale. Këto biomolekula ofrojnë fleksibilitet dhe specificitet duke mundësuar adaptim të shpejtë ndaj varianteve të rinj viralë. Duke qenë se ndërveprimet e sistemeve biologjike paraqiten komplekse, vlerësimet afat-gjata të rrezikut të mundshëm janë të domosdoshme. EudraVigilance, një sistem për menaxhimin dhe analizën e informacionit lidhur me efektet anësore të dyshuara, përfshin një bazë të gjerë të dhënash farmakovigjilence.

Antiviralët me spektër të gjerë

Përdorimi i informacionit të detajuar strukturor të barnave dhe viruseve ka çuar në dizenjimin e antiviralëve me spektër të gjerë, që kanë mënyra veprimi të reja pa përfunduar në rezistencë. Ato shënjestrojnë viruse që i përkasin dy apo më shumë familjeve virale. Ndikim pozitiv në këtë drejtim ka patur bashkëpunimi i vazhdueshëm i autoriteteve rregullatore të vendeve të ndryshme lidhur me shëndetin publik për të adresuar sfidat globale, shkëmbimin e informacionit dhe përgjigjen ndaj krizave. Kërkues të fushave të ndryshme bashkëpunojnë duke kombinuar modelimin kompjuterik me provat eksperimentale. Në saje të përparimeve teknologjike është bërë i mundur integrimi i të dhënave nga burime të ndryshme brenda një kohe shumë të shkurtër.

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) në mënyrë të vazhdueshme rishikon dhe rekomandon për përdorim antiviralë të rinj. Duke patur parasysh ashpërsinë e efekteve anësore të lidhura me antiviralët, EMA rekomandon monitorimin e kujdesshëm të parametrave gjatë trajtimit.

Covid-19

Në ndryshim nga viruse të tjerë, si për shembull metapneumovirusi infeksionet prej të cilit janë të zakonshme në dimër dhe në pranverë, sëmundja Covid-19 e shkaktuar nga SARS-CoV-2 është shfaqur përgjatë të gjitha stinëve dhe në të gjitha kushtet klimatike. Ashpërsia e sëmundjes varet nga varianti dominues në një periudhë të caktuar. Që nga dhjetori i vitit 2020, janë identifikuar

disa variante të SARS-CoV-2, të cilët OBSh-ja i ka emërtuar me shkronjat greke. Varianti alfa u identifikua fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, varianti beta në Afrikën e Jugut, gama në ShBA dhe Brazil, delta në Indi. Varianti Omicron u raportua si variant i ri nga OBSh-ja në nëntor 2021. Në saje të numrit të madh të mutacioneve dhe transmetueshmërisë së lartë, omicron e zëvendësoi deltën si variant dominues në zona të ndryshme të botës. Ky variant ishte përgjegjës për infektimin e personave që e kishin kaluar një herë sëmundjen. Mbas variantit origjinal janë shfaqur disa nënvariante të omicron, kështu në dimrin e vitit 2023 u bë dominues nënvarianti i shënuar si JN.1, kurse në verën e vitit 2025 një tjetër variant i shënuar si XFG. Përveç vaksinave dhe antitrupave janë studiuar një sërë barnash antivirale ndaj të cilëve omicron është i ndjeshëm. Barnat si remdesivir, molnupiravir, ribavirin, favipiravir etj. kanë mekanizma të ndryshëm veprimi. Vitet e fundit është identifikuar një nevojë urgjente për zhvillimin e barnave antivirale me spektër të gjerë për të luftuar viruset që vazhdimisht ndryshojnë. Studiuesit dalin në përfundimin se antiviralë me spektër të gjerë të cilët kanë qenë të efektshëm ndaj varianteve të hershëm të SARS-CoV-2, po ashtu ndaj nënvarianteve të omicron, do të jenë të efektshëm ndaj varianteve të rinj që kanë potencialin të shkaktojnë shpërthime pandemike në të ardhmen. Grupet e punës që analizojnë ndikimin e varianteve ekzistuese dhe të atyre rishtas në qarkullim në Europë përfshijnë ekspertë të disiplinave të ndryshme, si mikrobiologjia, bioinformatika, imunizimi, modelimi matematikor etj. Dëshmitë e reja vlerësohen rregullisht nëpërmjet inteligjencës epidemike, skanimit gjenomik dhe provave të tjera shkencore.

Referenca

  1. Wo-Jin Shin. Novel antiviral drug discovery strategies to tackle drug-resistant mutants of influenza virus strains. Expert Opinion on Drug Discovery 2019; 14 (2): 153-168.
  2. Samuel E. et al. Antiviral Drugs. Side Effects of Drugs Annual 2022; 44: 291-301.
  3. Andersen P. et al. Discovery and development of safe-in-man broad spectrum antiviral agents. International Journal of infectious Diseases 2020; 93: 268-276.
  4. Arora P. et al. Neutralization sensitivity of the SARS-CoV-2 XBB,1 linage. Lancet Infectious Diseases 2023; 23 (2): 147-148.
  5. European Center for Disease Prevention and Controle. SARS-CoV-2 variants of concern as of 26 June 2026.
  6. Uemura K. et al. Broad-spectrum antiviral candidate targets dengue and SARS-CoV-2. PNAS, October 2023.
  7. Huang S. Drugs against broad-spectrum of coronaviruses. Frontiers in Immunology 2026;17:1728474.
  8. Renz A.et al. Metabolic modeling elucidates phenformin and atpenin A5 as broad-spectrum antiviral drugs against RNA viruses. Communication Biology, May 2025.
  9. Reinold N. Sanoj. Strategic preparedness of broad spectrum antivirals for rapid response towards next pandemics. Small Science 2026; 6 (1): e 202500480.

Postime të ngjashme

Dietë apo aktivitet fizik? Cila është më e rëndësishme për rënien në peshë?
Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale për humbjen e peshës?
Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
A mund të kalojë diabeti i tipit 2 në remision pas humbjes së peshës?
Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit
Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri
Prediabeti, çfarë duhet të bëjë pacienti? Flet endokrinologia Bariola Duro