Infektivi, kurim apo rëndim sëmundjeje

Spitali infektiv brenda (5)Reportazh/ Një “shëtitje” në spitalin infektiv të bën të shohësh vetëm “pak” nga problematikat që hasin çdo ditë spitalet tona me frikën e pacientëve të shtruar në të

Ina Allkanjari

Ngjitja nëpër shkallët e vjetra të infektivit të bën pak pesimist. Ndoshta për shkak të mendimit se meqë shëndeti është gjëja më e rëndësishme për njeriun, ambientet ku ai kurohet duhet të jenë pak më të mira. Roja e spitalit, fatmirësisht, edhe këtë herë nuk heziton të na fusë brenda, pavarësisht se nuk është orari i vizitave.

Në repartin e infektivit nuk mund të hysh brenda pa rënë ndesh me zhurmën shqetësuese të njerëzve të dyndur aty për shkak të stinës dhe infeksioneve të ndryshme apo pa përplasur shikimin me ato mure të gjunjëzuara, duke ndjerë erën mbytëse të ushqimit që përzihet me erën e antibiotikëve.

Në korridorin e katit të parë një paciente mban në duar jastëkun e batanijen dhe debaton me infermieren. Fytyra e saj tregon revoltim e madje duket sikur do të shpërthejë nga çasti në çast. Teksa ngjit shkallët për në kat të dytë, ajo thotë: “Jam e shtruar prej 9 ditësh në këtë pavion. Fillimisht isha me një të sëmurë në dhomë, por u shtua dhe një i sëmurë tjetër dhe gjendja u bë e padurueshme. Aq më tepër që personi i tretë kollitet gjatë gjithë kohës dhe më mbyt frika se mos marr ndonjë sëmundje infektive më të rëndë ndërsa jam drejt përfundimit të mjekimit”.

Fluksi i lartë i të sëmurëve që shtrohen në pavionin e infektivit në QSUT, duket se sjell një mbingarkesë të pacientëve nëpër dhoma. Problemi i mosndarjes së pacientëve në dhomat përkatëse në bazë të llojit të infeksionit që ata mbartin, sjell edhe trembjen e tyre e si rrjedhojë edhe përplasje mes pacientëve dhe doktorëve duke krijuar debate shpeshherë dhe të ashpra.

Spitali infektiv brenda (2)Në korridorin e katit të dytë qëndrojnë dy pacientë që ndajnë të njëjtën dhomë. Njëri prej tyre është një djalosh i ri, i shtruar prej vetëm 24 orësh. Cigarja në duart e tij të bën të rikujtosh edhe një herë ligjin se në spitale nuk lejohet pirja e duhanit (Por fundja kjo s’ka rëndësi. Duhani s’është infektues). Pacienti tjetër, një plak rreth të 60-ave, ndërsa e pyet nëse e ka problem se me kë e ndan dhomën, tregon se jo pasi ai vetë vuan nga një infeksion i rëndë. E në këtë rast, i riu ndërron fytyrë (ndoshta s’kishte dijeni se me kë ndante dhomën). Fik cigaren dhe me një zë të irrituar tregon se gjithsesi ai do transferohet në spital privat.

Sipas pacientëve, ekziston mundësia për të marrë infeksionin e të sëmurit tjetër me të cilin ndajnë dhomën. Por mjeku infeksionist i QSUT-së, Arjan Harxhi, e kundërshton një gjë të tillë duke u shprehur se “shqetësimet që vijnë prej pacientëve janë për shkak të mosinformimit të tyre. Ne nuk mund të bëjmë një ndarje të pacientëve në bazë të llojit të infeksionit, pasi do të ishte diskriminuese për ta”. Harxhi vijon duke thënë se stafi i infektivit mundohet t’i qetësojë pacientët duke i informuar se nuk u kanoset asnjë risk, pasi janë marrë masat për të parandaluar transmetimin e infeksionit nga një i sëmurë te tjetri.

Mësohet se në pavionin e infektivit patologjitë ndahen në bazë të rrugës së transmetimit. Ka nga ato lloj infeksionesh që transmetohen me anë të ajrit, të tjera infeksione përhapen me rrugë fekale, orale, si dhe infeksione që përhapen me anë të likedeve biologjike. Risku më i madh i transmetimit të infeksionit nga një pacient te tjetri mbetet te infeksionet që përhapen nga ajri, si për shembull turbekulozi.

Lidhur me ndarjet e pacientëve në bazë të infeksionit, mjeku Harxhi thekson: “Gjithmonë janë marrë, merren dhe do të merren masa në rastet kur pacientët diagnostikohen me infeksione të rënda, të cilat përhapen nga ajri. Dhe pikërisht në këtë moment, stafi izolon këta pacientë në dhoma të veçanta, të izoluara, të cilat improvizohen”.

E megjithatë, një student i vitit të gjashtë mjekësi, Jonel Gjelina, i cili ka tashmë një praktikë 4-vjeçare në pavionet e QSUT-së, shprehet se përveç rrezikut të transmetimit të infeksionit nga një pacient tek tjetri, vetë ambjentet spitalore janë rrezik për infektimin e pacientëve për shkak të mikroorganizmave që ka vetë spitali.

Në fakt, pavarësisht rrezikut dhe ankesave për marrje të sëmundjes nga pacientët e tjerë, ndërsa ecën në pavionin e infektivit, shumë dhoma janë të tejmbushura. Dhe nuk bëhet fjalë për pacientë, por për të afërm të panumërt, që pavarësisht rrezikut të këtyre sëmundjeve, qëndrojnë gjatë gjithë kohës tek i sëmuri i tyre. Kështu, nuk mjafton fakti që në një dhomë të vogël shtrohen tre të sëmurë. Pak më i rëndë është fakti që veç 3 pacientëve, 7 familjarë popullojnë dhomat duke i dhënë kështu edhe më tepër mundësi përhapjes së infeksioneve.

Dalja nga infektivi të bën të marrësh frymë lirshëm. Megjithatë, ajo era e kuzhinës përzier me erën e antibiotikëve vazhdon të të çajë hundët edhe më pas.

 

Postime të ngjashme

Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy
Diabeti në shtatzëni vazhdon edhe pas lindjes apo ndërpritet
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll