Arlinda Gjypi
Zamira Rami është një njeri që e do qytetin e saj. Për këtë arsye gjirokastritëve, mbi të gjitha, u ka treguar anën njerëzore të saj. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+” ajo thotë se njeriu duhet të vlerësojë shëndetin dhe të japë më të mirën e vet në
mënyrë që të gjithë të ndryshojmë dhe përmirësojmë jetën tonë. Bashkëshorte e një doktori, nëse do të kishte në dorë shëndetësinë, do ta fillonte pikërisht aty ku nis jeta. Deri 3 javë më parë prefekte e Gjirokastrës, tashmë kandidate për kryebashkiake, më poshtë një intervistë e plotë me Zamirën për punën, familjen, shëndetin, gjirokastritët.
Zamira, si është dita e një gruaje që drejton një qark?
Në fakt, ishte, sepse kam dhënë dorëheqjen prej më shumë se 3 javësh nga pozicioni i Prefektit të Qarkut Gjirokastër. Ditë e ngarkuar do të thoja, që fillonte në orën 08.00 të mëngjesit dhe nuk mbyllej asnjëherë brenda orarit zyrtar. Zakonisht niste me takimet me stafin e institucionit, vazhdonte me pritjen e banorëve, që pavarësisht protokollit është bërë çdo ditë. Pastaj në varësi të mbledhjeve, lëvizjeve në terren për shkak të problematikave të ndryshme, firmosjen dhe delegimin e shkresave, përgjigjen ndaj kërkesave nga qeveria dhe institucionet lokale etj. Nëse kthej kokën pas, më duhet të them se jam ndierë shumë mirë në këtë detyrë.
E keni provuar shpesh dhimbjen e kokës?
Për fat të mirë jo. Nuk bëj pjesë në kategorinë e personave që vuajnë dhembjet kronike të kokës.
Për t’u qetësuar do të përdornit një paracetamol apo një kamomil?
Do të preferoja një kamomil, pasi jam kundër përdorimit të tepërt të qetësuesve dhe medikamenteve.
U besoni këshillave të gjysheve?
Absolutisht po, sepse janë këshilla të dhëna nga njerëz që të duan pa asnjë kusht dhe për më tepër kur jepen nga gjyshet tona, që kanë përvojën jetësore, e cila u ka mësuar shumë gjëra.
Sa e vlefshme mendoni se është mjekësia popullore?
Në rastet kur këshillohet nga njerëz që e njohin mirë këtë fushë, mendoj se është e vlefshme. Historitë jetësore të mijëra njerëzve në mbarë botën kanë treguar se mjekësia popullore është e dobishme dhe me efekte mjaft pozitive. Të mos harrojmë që në shekuj popujt ua kanë besuar shëndetin mjekëve popullorë.
Ju vetë sa shpesh kryeni kontrolle mjekësore? Keni marrëdhënie të mirë me mjekun e familjes?
Duke qenë se bashkëshorti im është mjek, sigurisht që kultura mjekësore në familjen tonë është e pranishme. Kryejmë çdo 6 muaj kontrolle mjekësore rutinë, ndjekim çdo këshillë dhe sigurisht që me mjekun e familjes marrëdhëniet janë shumë të mira.
Kush gatuan në familjen tuaj? Ju pëlqejnë burrat që gatuajnë?
Në pjesën më të madhe të kohës gatuaj unë, por më shijon kur bashkëshorti më përgatit ndonjë vakt, veçanërisht mëngjesin. Kështu dita nis më bukur. Burrat që gatuajnë? Është pozitive kur bashkëshortët ndihmojnë njëri- tjetrin për punët në shtëpi, pasi nuk ka gjëra të ndara. Është një mentalitet që po ndryshon.
Ç’nënkupton për ju shprehja “Mjafton të kesh shëndetin”? Mendoni se shëndeti është gjëja më e rëndësishme në jetën e individit?
Nëse shëndeti shkon mirë, energjitë dhe pozitiviteti janë elementet që karakterizojnë jetën e përditshme. Pra, në të gjiha aspektet shëndeti është tepër i rëndësishëm.
Jeni një grua e rëndësishme për Gjirokastrën. Si arrini t’i menaxhoni punën-familjen-shëndetin?
Përpiqem t’i jap kohën e vet secilës prej tyre. Familja, puna dhe shëndeti janë të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën dhe plotësojnë kuadrin e jetës sonë. Megjithatë, asnjë ditë nuk është e njëjtë me tjetrën. Ka ditë kur puna merr pjesën më të madhe të kohës apo e kundërta.
Zamira, një ditë në krye të shëndetësisë, cila është gjëja e parë që do të bënte? Mendon se rritja e rrogave të mjekëve do ta ulte mitmarrjen?
Një ditë në krye të shëndetësisë? Mendoj se ka shumë për të bërë, por si grua dhe si nënë do të doja ta nisja andej nga lind jeta, nga maternitetet. Përmirësimi i kushteve dhe kujdesit mjekësor për foshnjat dhe nënat do të ishtë gjëja e parë që do të bëja, për të vijuar më pas me të gjitha reformat e tjera, që kanë filluar të kryhen nga qeveria shqiptare.
Ç’marrëdhënie keni me dentistin? Është edhe për ju një ankth, si për shumicën e njerëzve apo një njeri që jua bën më të bukur buzëqeshjen?
Dentisti për mua është një njeri që jo vetëm më bën më të bukur buzëqeshjen, por tepër i rëndësishëm në këndvështrimin e gjerë të shëndetit. Është fakt që një pjesë e mirë e problemeve shëndetësore i dedikohen higjienës orale dhe dëmtimeve të dhëmbëve.
Keni dy fëmijë e megjithatë një trup për t’u pasur zili. Ia dedikoni fizikun tuaj genit apo kujdeseni shumë për veten?
Është e gjitha çështje geni. Nuk kam shumë kohë për t’u kujdesur për veten.
Sa rëndësi ka pamja e jashtme për një individ? Po në punën tuaj?
Pamja e jashtme është e rëndësishme, por ka të tjera elemente akoma më të rëndësishme në jetën e përditshme të një individi si dhe në punën e tij. Janë vullneti, përkushtimi, personaliteti që përcaktojnë vlerën e vërtetë të dikujt.
I besoni shprehjes “mirësia e brendshme e bën një njeri më të bukur”?
Absolutisht po. Kam njohur njerëz të bukur jashtë, por që u mungonte brendia dhe njerëz me shpirt të bukur, që pavarësisht pamjes janë burim frymëzimi.
Ç’mendim keni për kirurgjinë plastike? Nëse do t’ju jepej mundesia, ç’do t’i ndryshonit vetes?
Asgjë, jam kundër kirurgjisë plastike. Nuk gjykoj askënd që ka kryer ndërhyrje plastike, por personalisht nuk do ta bëja asnjëherë.
Cila është këshilla më e shpeshtë që u jepni fëmijëve? A e ndiejnë ata presionin që mamaja është një njeri i rëndësishëm në qytet?
Këshilla më e rëndësishme: “Ushqehuni shëndetshëm”. Gjatë këtyre 18 muajve jam përpjekur që pavarësisht angazhimeve të shumta dhe kohës së pakët në dispozicion në marrëdhëniet tona të mos ndikojë asgjë. Ata janë thuajse të rritur tashmë dhe vazhdimisht më mirëkuptojnë. Përsa i përket pyetjes suaj për presionin që mamaja është një njeri i rëndësishëm në qytet, më së shumti e ndiejnë jashtë shtëpisë dhe aspak brenda familjes.
E keni mbështetjen e familjes në punën që bëni?
Kam pasur në çdo moment jo vetëm mbështetje e mirëkuptim, por edhe dashuri pa fund. Ndihem me fat për familjen time.
Cila është dhurata më e bukur që keni marrë?
Fëmijët e mi, dhurata më e bukur që një prind mund të ketë. Jam e bekuar me Irën dhe Markon.
Nëse përqendrohemi pak te puna juaj si prefekte… cila është “dhurata” më e bukur që i keni bërë Gjirokatrës në këto dy vjet? Çfarë “dhuratë” mendoni se do t’i bënit nëse do të zgjidheni në krye të bashkisë?
Si prefekte besoj se dhurata më e bukur ka qenë ana ime njerëzore. Në çdo kontakt me komunitetin nuk kam mbajtur asnjëherë staturën e postit që përfaqësoja, kam qenë mikja dhe dëgjuese e vëmendshme e çdo problemi apo shqetësimi, edhe kur nuk kam pasur mundësi për t’i ndihmuar realisht. Në krye të bashkisë nuk do t’i konsideroja dhurata, por vetëm detyrim ndaj besimit të tyre. Më besoni që komuniteti i zonës sonë meriton gjithçka të mirë dhe nuk do resht së punuari për të realizuar gjithë objektivat.
Mendoni se një femër është më e mirë në drejtim se një mashkull? Cilat janë plus-minuset e grave drejtuese?
Është një pyetje që më është bërë shpesh. Megjithatë, vazhdoj t’i qëndroj idesë se dallimi femër- mashkull në detyrën që merr përipër të bësh nuk ekziston më. Prej shumë vitesh arsimimi i femrave ka bërë që të tejkalohen këto barriera, të lidhura me mentalitetin. Dhjetëra raste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë kanë treguar se puna mund të kryhet shumë mirë si nga femrat, ashtu edhe nga meshkujt, por nëse karakterizohesh nga disa cilësi, si vullneti, dëshira, përkushtimi, serioziteti dhe ndershmëria. Janë elementet kyçe që nevojiten nëse dëshiron që puna jote të japë rezultate.
Një këshillë për lexuesit e “Shëndet+”?
Vlerësoni shëndetin dhe jepni më të mirën në çdo drejtim, pasi të gjithë mund të vendosim gurin tonë në ndryshimin dhe përmirësimin e jetës.


