AP: Mungesat në QSUT dhe SUT po i orientojnë pacientët drejt spitaleve private

Institucioni i Avokatit të Popullit ka dorëzuar një projekt raport në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me problemet dhe gjendjen e spitaleve në vend. Në të vihet në dukje se Spitalit Universitar të Traumës (ish-Spitali Ushtarak) i mungon heliodromi për uljen e helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa helikopterët sanitarë kanë mungesë të aparaturave të mjeteve të komunikimit. Raporti është nxjerrë pas monitorimeve të bëra.

Avokati i PopullitNë të thuhet se gjatë monitorimit është vënë re “mungesa e aparaturave të mjeteve të komunikimit në helikopterët sanitarë, ndërkohë që ka rezultuar të mungojnë tërësisht barelat për transportin e të aksidentuarve në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, problem jo i vogël konsiderohet të jetë mungesa e një heliodromi të përshtatshëm në Spitalin Ushtarak, pasi në atë aktualin mund të realizohet ulja e helikopterëve në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe jo e helikopterëve në shërbim të Ministrisë së Mbrojtjes, fakt dhe që detyroi transportimin e shtetasve të dëmtuar fillimisht në Aeroportin e Rinasit, e më tej me ambulancë pranë Spitalit Ushtarak”.

Lidhur me aparaturat thuhet se ato janë relativisht të vjetra, ndërkohë që problem tashmë i ngritur shumë është mungesa e pajisjes së rezonancës magnetike. Një gjë e tillë po i bën njerëzit të shfrytëzojnë spitalin privat që ndodhet në ambjentet e ish-Spitalit Ushtarak e përkatësisht Spitalin Amerikan.

Gjithashtu nga Avokati i Popullit është treguar se Spitali Psikiatrik dhe ai Civil kanë nevojë për ndërrimin e xhamave, pajisjeve hotelerike (çarçaf, peshqirë), pajisjen e të gjitha reparteve me tavolina dhe karrige, lyerjen e mureve, si dhe riparimin e të gjitha problematikave në infrastrukturë. Në raport rekomandohet marrja e masave për vendosjen e dyerve të munguara në tualetet e çdo reparti, pajisjen me produkte higjieno-sanitarë, si dhe mundësimin e rrjetit të ujit të pijshëm 24 orësh pa ndërprerje.

Tek Spitali Infektiv, siç edhe gazeta “Shëndet+” e ka ngritur si shqetësim, lagështia në mure përbën një problem jo të vogël.

Shqetësimi i madh i ngritur nga Avokati i Popullit është edhe emërimi i mjekëve dhe administratës. Në raport thuhet se drejtimi dhe organizimi shëndetësor, menaxhimi i sistemit nga një administratë joprofesionale është problem thelbësor për prapambetjen, mosrealizimin e reformave dhe mangësitë që hasen në sistem. Gjithashtu, vlerësohet se emërimet nepotike në krye të institucioneve bazuar vetëm mbi bindjet politike, si dhe lëvizjet e shpeshta apo ndryshimet e stafeve drejtuese nga ana tjetër, sjellin menaxhimin dhe alokimin e keq të fondeve, keqpërdorimin dhe abuzimin me to, mungesën persistente të medikamenteve dhe materialeve të tjera mjekuese në spitale, apo pamundësi për kryerjen e analizave për të sëmurët në institucionet publike për mungesa të kiteve dhe reagjentëve.

Postime të ngjashme

Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën
Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe mjeku gjeriatër për të moshuarit, rekomandimet  
Mos i pini ilaçet e tensionit me këto 6 pije, ju rrezikojnë shëndetin
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës