Obeziteti nuk shoqërohet me të njëjtin nivel rreziku për shëndetin te të gjithë personat. Edhe kur dy individë kanë të njëjtin indeks të masës trupore (BMI), ata mund të kenë rreziqe të ndryshme për zhvillimin e sëmundjeve shoqëruese.
Këtë e shpjegon mjekja endokrinologe Dr. Sara Zavalani, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ku diskuton mbi ndikimin e obezitetit në shëndet.
“Ne mund të kemi dy persona obezë me të njëjtin BMI, për shembull 35, por njëri mund të ketë rrezik më të lartë dhe tjetri rrezik më të ulët”, shpjegon mjekja.
Sipas saj, ndryshimet bëhen të dukshme edhe në praninë e sëmundjeve shoqëruese. Një person me obezitet mund të ketë diabet, prediabet, hipertension ose çrregullime të metabolizmit të yndyrnave, të njohura si dislipidemi, ndërsa një person tjetër me të njëjtin BMI mund të mos ketë asnjë prej këtyre problemeve shëndetësore.
Për këtë arsye, vlerësimi i obezitetit nuk duhet të mbështetet vetëm te pesha apo indeksi i masës trupore. Është e rëndësishme të merren parasysh edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në gjendjen shëndetësore dhe rrezikun individual.
Mesazhi kryesor është se obeziteti nuk paraqitet në të njëjtën mënyrë te çdo individ, ndaj vlerësimi dhe ndjekja mjekësore duhet të marrin parasysh karakteristikat dhe nevojat e secilit person.


