Shërbimi shëndetësor duhet të merret falas. Pastaj, nëse pacienti e ndjen të dhurojë diçka qoftë financiare apo dhuratë tjetër kjo është një çështje dytësore
Bisedoi: Denisa Canameti
Bledi Strakosha është figurë e njohur e ekranit. 21 vite në televizon, vite që përkthehen lehtësisht në punë të vazhdueshme, të lodhshme, herë-herë konsumuese, por edhe në suksese e sfida. E meqë famën nuk e sheh si qëllim në vetvete, Bledi kërkon me modesti që t’i shmanget kësaj fjale gjatë intervistës.
Ai flet për sistemin tonë shëndetësor, duke e cilësuar atë si një sistem të pajisur me mjekë e specialistë të aftë, pavarësisht problemeve të shumta që ka. Të qenët të ekuilibruar në jetë është ajo çka duket se e bën Bledin pas kaq vitesh, një figurë të vlerësuar. Më poshtë intervista e tij për gazetën “Shëndet+”
Bledi, çfarë do të thotë për ty “të kesh shëndet”?
Shëndeti është gjëja kryesore. Edhe pse përgjithësisht ne e neglizhojmë deri në limit. Shkojmë tek mjeku vetëm kur kemi dhimbje ose probleme madhore. Ato vizitat rutinë, si për higjienën orale apo dhe për kontrolle të përgjithshme, i neglizhojmë. Dikush pretendon që nuk ka kohë, dikush pretendon se kushtojnë dhe s’ka para. Më pëlqen shprehja: “Njeriu sakrifikon shëndetin përtë bërë para dhe pastaj sakrifikon paratë për shëndetin”. Shëndeti ndikon në gjithçka në marrëdhëniet e punës, në marrëdhëniet personale. Ta bën jetën të pamundur.
Meqë e vlerëson kaq shumë shëndetin, vetë i bën analizat rutinë?
Nuk mund të them që në disa raste nuk i kam neglizhuar. Megjithatë, i kryej, jo detyrimisht çdo 6 muaj, por i kryej. Televizoni ku punoj na ka mundësuar që analizat t’i bëjmë rregullisht, falë kontratës me një shoqëri sigurimesh.
Me aq sa e njeh mjekësinë tonë, mjekët, çfarë vlerësimi do të jepje?
Nuk e njoh mirë, por ime motër ka punuar në QSUT. Jo si mjeke, por në administratë. Di që shëndetësia shqiptare ka shumë probleme. Duke pasur këtu parasysh fluksin e pacientëve që vijnë në QSUT, sepse vijnë nga të gjitha rrethet, di që kemi mjekë shumë të specializuar.
Nuk e di nëse përditësohen me të rejat më të fundit nga shkenca e mjekësisë. Sepse dihet që mjekësia është një shkollë që nuk mbaron kurrë. Gjithmonë dalin kura të reja, teknologji e re. Globalisht shëndetësia është gjithmonë në kërkim. Ndaj them se mbetet një sfidë jo vetëm për mjekët tanë. Çdo ditë del diçka, një sëmundje që nuk ishte dëgjuar më parë, ndaj duhet investuar për këtë gjë. Pra, është një sfidë në vetvete.
Meqë po flasim për mjekësinë dhe mjekët, duke iu referuar edhe aktualitetit, ju a mendoni se mënyra më e mirë për të angazhuar mjekët në përditësimin e njohurive është vendosja e tyre përballë detyrimeve të tilla si testimi?
Këtë gjë nuk e them dot, sepse është shumë teknike. Por them se në Shqipëri marrëdhënia me institucionet, sidomos ato shtetërore, ka qenë si punë qokash. Njerëzit merrnin një diplomë pa u verifikuar nëse kishin studiuar realisht ose jo. Thjesht e kishin mbaruar herë me mik, herë me para, pa investuar në atë degë. Në këtë rast mirë është që të verifikohen këta persona dhe të dalin jashtë tregut shëndetësor. Është profesion shumë kyç, nuk është një arkëtare që pa dashje të dha 10 mijë lekë më pak. Nuk ka asgjë, të duhen ato para, por mund të jetosh edhe pa to. Ka dhe raste të tjera abuzive ku tentohet të merren para nga pacientët në këmbim të shërbimit që duhet të ishte falas. Pra, ka shumë probleme. Nga ana tjetër qëndron dhe dilema: kush do t’i testojë këta mjekë? Në parim jam dakord nëse funksionon dhe nëse kryhet ashtu siç duhet, ndërsa kur janë thjesht sa për sy e faqe, nuk vlen.
Personalisht, ke pasur ndonjë përvojë ku të është dashur të rrish në spital?
Sigurisht. Unë tani bëj 37 vjeç. Është e pashmangshme që të kesh probleme nga më të ndryshme. Që nga ato gërvishtjet e vogla e deri tek probleme të ndryshme që mund të kenë familjarët tanë. Sigurisht janë trajtuar në spitale e ka shkuar çdo gjë mirë. Unë probleme madhore me veten për fat nuk kam patur. përveç një infeksioni në vesh që mora në plazhin e Durrësit nga papastërtia. Por operacionin e bëra në Itali meqë në atë kohë isha student atje. Nuk jam shtruar në spital ndonjëherë këtu, veç ndonjë qepjeje që kam bërë dhe ka shkuar mirë.
Në këto rastet e emergjencës, a të ka ndodhur të të kërkohen “bashkishe”?
Jo, nuk më ka ndodhur. Ndoshta për faktin se ime motër ka punuar në QSUT dhe e njohin. Por besoj se ka mitmarrje
Pse beson se ka mitmarrje?
Sepse shumë raste kemi dëgjuar dhe si thotë ajo shprehja: “Ku ka zë, s’është pa gjë”. Nuk besoj se njerëzit në situata të tilla kanë fantazira të tilla sa të thonë kot “mua më morën lekë” etj.
Rroga e ulët është arsye për të tilla raste abuzive?
Jo. Rroga e ulët është thjesht justifikim. Ti ke bërë një pakt me institucionin ku je punësuar se do të marrësh X pagë për të kryer këtë punë. Nëse je kundër kësaj page, mos e prano këtë vend pune, sepse nuk është korrekte që ta pranosh pastaj të justifikohesh, të ankohesh dhe të pretendosh që shtimin e pagës tënde ta marrësh nëpërmjet parave të pacientëve.
Shërbimi shëndetësor duhet të merret falas. Pastaj, nëse pacienti e ndjen të dhurojë diçka qoftë financiare apo dhuratë tjetër, kjo është një çështje dytësore.
Spitale private apo shtetërore?
Preferoj shtetërorin në rastin kur nuk më duhet të shtrohem në spital. Privati ofron hoteleri shumë të mirë, kushte higjienike shumë të mira, edhe pse fatura është e kripur në fund. Në shtetëror them se shërbimi është shumë më cilësor edhe stafi është shumë më cilësor. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin që dhe te privati punojnë pak a shumë të njëjtin persona. Kështu, në fund të fundit, në spital shkon për t’u kuruar jo për të pushuar, se nuk ke shkuar në hotel. Edhe për çështje financiare preferoj spitalet shtetërore.
Për të dalë pak nga kjo atmosferë pyetjesh… E përmendët motrën, është personi me të cilin jeni më shumë i lidhur apo u përmend më shumë se pjesa tjetër për shkak të lidhjes me mjekësinë?
Jo, jam shumë i lidhur me të. Mund të tingëllojë e çuditshme, por ajo është këshilltarja ime në çdo gjë që unë kam bërë deri më sot në media. Çdo ide dhe ofertë që kam, e diskutoj me të dhe çdo vendim që kam e diskutoj me të.
Përtej kësaj, është ajo një motër e mirë, gatuan për ty?
Për mua jo, sepse tani është e martuar, ka dy vajzat e veta. Edhe po të dojë, nuk ka kohë. Gatuan për mua në fundjavë kur shkojmë në shtëpinë e saj dhe gatuan shumë mirë. Por me thënë të drejtën, gjatë javës, ajo është e angazhuar. Është një amvisë e mirë.
Ti je një amvis i mirë?
Jo.
Cila është gjella që preferon më shumë?
Më pëlqen dhe kam fatin që ime më gatuan për mua. Unë jetoj vetëm, por prindërit nuk i kam larg. Ushqimet m’i bën gati mamaja, i marr të paketuara. Nga duart e saj më pëlqen shumë byreku me spinaq. Ka vërtetë një menu të pasur për të dhuruar një dietë të shëndetshme.
“Mami im gatuan më mirë se kushdo”?
Mami im i bën të gjitha më mirë se çdo mama tjetër dhe siç e them unë për mamanë time, e thotë çdokush për mamanë e vet dhe kjo është normale.
Ha prapa kuintave?
Unë nuk ha kurrë dy orë para emisionit që po bëj. Pas emisionit po.
Për t’u ndalur pak të dietat, t’i mban dietë (edhe pse duket që nuk e ke të nevojshme)?
Nuk e kam vërtet të nevojshme. Kam një metabolizëm shumë të mirë. Dhe nuk kam pasur nevojë të mbaj dietë. Unë u them gjithmonë njerëzve që kanë probleme me obezitetin, që unë do të isha i paaftë të mbaja dietë, sepse më pëlqen shumë ushqimi. Nuk më pëlqen shumë të gatuaj, por më pëlqen shumë të ha. Jam i çuditshëm, më pëlqejnë ëmbëlsirat pa fund, tepër. Ha gjithmonë ëmbëlsirën para se të ha vaktin. Nuk e di, por sikur më hap oreksin. Më shton dëshirën për të ngrënë.
Në fakt, obeziteti është kthyer në një problem mbarëbotëror. Ndodh se njerëzit nuk dinë të ushqehen?
Ndodh sepse nuk kemi më produkte bio siç ka pasur dikur, nuk ka më një kontroll të tregut që ta dish se unë po shkoj tek filan dyqan për të blerë produkte bio.
Gjithashtu, kemi gjithnjë e më pak kohë për t’iu dedikuar kuzhinës dhe kjo na ka bërë që të orientohemi drejt fast food-eve.
Po bëhemi gjithnjë e më shumë sedentarë. Lëvizim me makinë, rrimë orë të tëra para kompjuterit. Pra, nuk kryejmë aktivitet fizik. Të gjitha këto bëjnë që të kemi një shtim në peshë. Personalisht ka kohë që kam reduktuar në zero mishin. Nuk konsumoj fare mish. Konsumoj perime dhe për të marrë proteinat e mishit konsumoj fasule dhe thjerrëza.
Marrëdhënia me punën… E do punën që bën apo je rastësisht ne televizon?
E dua shumë atë që bëj. Televizioni për mua ishte dëshirë, ndërsa mundësia për të filluar ishte rastësore. Sigurisht që jam përballur me shumë sfida sepse i thonë 21 vjet në këtë treg. Fillova kur ishte vetëm RTSH, tani kemi shumë televizone dhe radio të tjera. Në punë do përballesh me probleme, me kolegë të paaftë, me ambicie të pajustifikuara dhe ajo çfarë më shqetëson tek media, është që rendin të gjithë drejt audiencës në një kohë që ne nuk kemi një matës zyrtar dhe serioz të ndjekjes. Më duket e kotë rendja drejt famës. Ti do të bësh një punë, që është në televizion dhe rrjedhimisht bëhesh i famshëm. Nuk ke pse e kthen popullaritetin në qëllim.
Në gjithë këto vite besoj se ke arritur të kuptosh psikologjinë e asaj që duan njerëzit, përshembull nga ti, në emisionin tënd, çfarë presin njerëzit të shikojnë, audienca jote?
Nuk mund të them çfarë presin nga unë. Sepse unë jam tip që lodhem shpejt nga gjërat dhe tentoj gjithmonë që pasi kam kryer me sukses një punë (sipas këndvështrimit tim), të bëj një gjë tjetër. Të sfidoj veten dhe audiencën me një gjë tjetër. Publiku shqiptar, edhe pse ne themi që nuk ka “shije”, është e kundërta. Kanë shije dhe dinë të zgjedhin se cili personazh publik nuk e ka shfrytëzuar hapësirën e tij televizive për të bërë qoka politike etj. Është përgjegjësi shumë e madhe kur ke një hapësirë në një radio apo në një televizion. Sa kohë që e respekton këtë hapësirë dhe i përgjigjesh kërkesave të tyre, ti do të mbetesh i dashur për ta. Nuk ka rëndësi sesa është numri i publikut.
Ndodh që të rinjtë të rendin pas televizonit, por duan ekranin. Zhgënjehen kur shikojnë që duhet të bëjnë një lloj tjetër gazetarie, terren, pa skuintave etj etj që të shkojnë drejt ekranit.
Dua t’ju korrigjoj. Kanë dashuri për famën, jo për televizionin. Në fakt, zhgënjehet televizioni nga të rinjtë dhe jo e anasjellta. Njerëzit mendojnë se televizoni është gjëja më e thjeshtë në botë. Por në fakt, vetëm për një material që mund të jetë 2 minuta duhet së pari të shkosh ta xhirosh në terren, të harxhosh orë të tëra në montazh, për ta sjellë ashtu siç duhet. Sigurisht, flas për materiale serioze. Televizioni të merr shpirtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dhe për t’u ndalur tek sfida, televizoni është gjithmonë një sfidë. Është një rendje për të mbajtur audiencën që ke, si dhe për ta shtuar atë. Në televizion, sidomos në emisionet e drejtpërdrejta, ka surpriza nga më të ndryshmet. Mund të të ndodhë një defekt teknik, mund të ndodhë që i ftuari nuk të përgjigjet ashtu siç e pret dhe je i detyruar të ndryshosh rrjedhën dhe logjikën e asaj që kishe nisur.
Je gjendur ndonjëher përballë ndonjë sikleti në emisionet e drejtpërdrejta?
Në plot raste.
Që të jesh në televizion, duhet të jesh i kuruar gjithë kohës, ti sa i vëmendshëm je ndaj vetes?
Unë po bëj disa prodhime të miat. I kam të kompanisë sime dhe që i publikoj për momentin në YouTube. Edhe në TVSH, e bëj vetë grimin. Jam njeri jo maniak në kujdesin ndaj vetes. Se nuk duhet që kjo gjë të të kushtëzojë veten. Të doli një rrudhë e ta heqësh menjëherë. Në fotot që postoj në rrjetet sociale, sigurisht i rregulloj pak me programet që janë, por nuk i transformoj. Në jetën e përditshme bëj një trajtim krejt normal, e mbaj pastër lëkurën me kremra drehidratues dhe kaq.
Kirurgjia plastike?
Nuk e shoh të nevojshme për momentin. Përsa i përket kirurgjisë në përgjithësi, çdo njeri zgjedh vetë ç’do të bëjë me veten. Më pëlqejnë njerëzit që mbajnë veten, por jo ata që tjetërsohen. Më duket një shpezim i panevojshëm për t’u kthyer në një qenie që nuk je më ti.
Televizioni do një buzëqeshje të bukur. Buzëqeshjen tënde (të bukur) e kuron dentisti apo është fat?
(Qesh) Faleminderit, se unë nuk e di e kam të bukur apo të shëmtuar se nuk e shoh dot veten. Por kam një marrëdhënie shumë korrekte me dentistin.
E sheh veten ritransmetim?
Jo, nuk kam një marrëdhënie të mirë. Ndër vite kthehem.
Ka ndonjë kritik të punës tënde në televizon?
Jo sistematikisht. Sigurisht për gjëra madhore, për gjëra që nuk kanë shkuar mirë familjarët më kontaktojnë dhe më japin një mendim të tyrin. Ata presin që unë t’u kërkoj mendim dhe këshilla. Gjithsesi, janë dashamirës të asaj që bëj.
Në emisionin tuaj lexoni edhe gazetën “Shëndet+”. Ç’mendim keni për rubrikat shëndetësore?
Besoj se ne në çdo gjë tjetër nuk e kemi sensin e masës. Ne kur shohim një formulë të suksesshme, fillojmë dhe bëhemi automatikisht kopjues të kësaj formule të suksesshme. Kështu, gazeta juaj është në treg prej vitesh, shihet se ka interes për shëndetin dhe të gjithë fillojnë të hapin rubrika shëndetësore. Por harrojnë se kopja është kopje. Nga ana tjetër, gjithë ky fluks duhet të jetë i kontrolluar edhe i verifikuar. Edhe unë në emisonin tim kam një minutazh që i kushtohet mjekësisë alternative dhe njerëzit e pëlqejnë.
Këshillat që merr dhe që jep më shumë për shëndetin?
Përgjithësisht këshillohem për të bërë aktivitet fizik. Nuk bëj palestër, por më pëlqen ecja në naytë. Palestra më duket një lloj qëllimi.
Jam i fiksuar pas ushqimeve të shëndetshme, konsumoj ushqime bio, përpiqem t’i gjej si dhe ha ushqime pa yndyrna. Në mëngjes ha gjithmonë një lugë vaj ulliri të përzier me mjaltë edhe me arra të grira. Mjalti është për mua ilaçi më i mirë. Përdor shumë qepën.
E keqja që kam, është se pi duhan, pi shumë kafe, ha shumë ëmbëlsira.
Një mesazh për lexuesin e gazetës sonë (Meqë është gazetë që e lexon çdo dy javë).
Gazetën e njoh dhe e lexoj në mëngjes. Radhës tjetër do të lexoj dhe veten time (qesh).
Do t’u thoja lexuesve që ta lexojnë, sepse ka këshilla të vlefshme dhe artikuj të vlefshëm, sikundër është dhe ky që po jap unë tani (qesh). Por të mos harrojnë që këshilla me mjekun nuk zëvendësohet me asnjë lloj tjetër informacioni. Gjithashtu, këshilloj të kryhen rregullisht kontrollet rutinë për veten.


