Fruti i kumbullës ka shije të athët, por të këndshme. Ai ka mjaft vlera kalorike (rreth 50 kalori, në 100 gr kumbulla), vitaminë A, B1, B2, C, PP, kripëra minerale të kalciumit, kaliumit hekurit e magnezit, 8-20% sheqer në trajtë fruktoze, acide, pektinë, etj.
Për aftësitë kuruese, përdoren frutat, bërthamat dhe gjethet e kumbullës. Frutat e kumbullës konsumohen të freskëta ose të përpunuara në trajtë kompostoje, reçeli, marmelate, shurupi të këndshëm, etj. Ato janë freskuese, treten lehtë, rritin oreksin, luftojnë kapsllëkun, sëmundjet e mëlçisë, veshkave, artritit, aneminë, hemorroidet, etj. Sigurojnë një jashtëqitje të rregullt dhe këshillohet të përdoren shpesh për këtë qëllim.
Puçrrat e lëkurës
Gjethet e kumbullës përdoren edhe kundër puçrrave të lëkurës. Për këtë, merret një grusht gjethe kumbulle dhe zihet në një litër ujë, derisa të shterojë përgjysmë. Me lëngun e fituar pastrohen puçrrat, 2-3 herë në dit, derisa të zhduket acarimi i tyre.


