Bojken Lako: E kam veten në dorë!

Bisedoi: Denisa Canameti

Bojken Lako është një rocker mjaft i njohur. Ndonëse në skenë i duhet të shfaqë anën e vet më të “egër”, në një bisedë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” ai tregohet mjaft i qetë, i qeshur, i matur  dhe me energji të shtruara. Ai sjell argumentet për atë që nuk shkon në sistemin tonë shëndetësor, si dhe tregohet tepër mirëkuptues për atë që sipas tij shkon drejt. A e ka bërë Bojkeni check-up-in, çfarë mendon ai për këtë projekt, a është ai respektues i rregullave, si dhe marrëdhëniet që ka me mjekët, janë përgjigje që do t’i lexoni në intervistën e mëposhtme.

Bojken Lako (7)“Duhani dëmton rëndë shëndetin”. Sa e beson dhe respekton këtë shprehje? Apo lidhja me duhanin është shumë e fortë? Po e bëj këtë pyetje të parën, meqë sapo u ulët filluat të tymosni…

Lidhjen me duhanin e kam të fortë, edhe pse jam munduar të shkëputem disa herë. Kjo shprehje që ju përmendët është e re. Një shprehje e vjetër thotë: “Duhani është e mira e mendjes dhe e keqja e trupit”. Kjo do të thotë që njeriu duhet të gjejë një balancë. Duhani qetëson sistemin nervor, por e dëmton rëndë organizmin. Janë shumë të rrallë njerëzit që arrijnë të vendosin një balancë midis përdorimit të duhanit vetëm në një gjendje stresi, pra për t’u qetësuar dhe përdorimit të duhanit pa kontroll, duke dëmtuar rëndë shëndetin, mushkëritë dhe gjithë pjesën tjetër të organizmit. Edhe unë do të doja shumë që duhanin ta përdorja rrallë sa për të gjetur një kënaqësi apo qetësi.

Arrin ta gjesh atë lloj qetësie nëpërmjet duhanit apo tani të është kthyer në ves?

Kur zhytesh në pirjet e shumta, nuk është e kollajtë ta gjesh atë balancën për të cilën folëm.

Si e vlerëson ligjin antiduhan?

Si absurd! Në momentin që ndalohet duhani në vendet publike, atëherë duhet që të ndalohet ndezja e çdo makinë me karburant, sepse tymi që çlirojnë makinat është po aq i dëmshëm ose edhe më i dëmshëm. Shikojmë raste pa fund ky tymi i përplaset kalimtarëve në fytyrë duke e gëlltitur të gjithin. Megjithatë di të them dhe që, duke qenë ligji kaq i rreptë, bën që konsumatorët ta pakësojnë përdorimin e duhanit, sepse detyrimisht nuk mund të tymosësh sa herë të duash, ku të duash. Por përderisa nuk ndalohet shitja në market, vështirë do jetë të ndalohet konsumimi.

Bojken Lako (3)Si do reagojë përballë një gjobe?

Këto janë rregulla të shtetit dhe unë jam pro respektimit të rregullave. Nuk do të më pëlqente sigurisht, por do ta respektoja, do ta paguaja. Por nga kjo do të përfitonte shitja e alkoolit.

Meqë jemi në këtë kuadër pyetjesh… Ju realizoni një muzikë të “rëndë”, që kërkon shumë energji. Është e vërtetë që kjo nuk mund të arrihet pa stimulantë, siç pretendojnë shumë njerëz?

Jo, nuk është fare e vërtetë, përkundrazi. Unë në jetën time kam konsumuar edhe lëndë narkotike. Sigurisht, ishte dhe ajo periudha e tranzicionit ku thuajse të gjithë të rinjtë filluan të guxojnë. Që të kuptohemi, unë edhe alkoolin drogë e quaj, stimulant që të stimulon trurin, gjendjen tënde psikologjike. Gjatë gjithë karrierës sime seriozitetin e punës e kam ndier kur nuk kam konsumuar alkool. Kur kam qenë i kthjellët dhe larg çdo stimulanti. Dhe është logjike, kështu e ke veten nën kontroll. Them se alkooli është më i rrezikshëm se duhani. Nëse duhani thamë që ka një efekt qetësues, alkooli ka efekt agravues, përkeqësues të gjendjes si psikologjike, ashtu edhe të gjendjes fizike. Nga alkooli mund të biesh edhe në depresion dhe pas disa vitesh do të shfaqen edhe shumë sëmundje. Edhe në koncert unë e gjej veten më të gatshëm për të performuar nëse kam qëndruar larg alkoolit.

Nisëm me pyetjet për duhanin dhe alkoolin meqë situata u krijua e tillë, por ç’do të thotë për ty të ushqehesh mirë dhe a ushqehesh mirë?

Unë e di se çfarë do të thotë të hash mirë dhe shëndetshëm, edhe pse nuk e respektoj. Por nuk ka të bëjë vetëm me mua. Besoj se të gjithë janë përfshirë nga ritmi i shpejtë me të cilën kalon koha dhe nuk kanë kohë të hanë më shëndetshëm. Por edhe ushqimi nga ana tjetër lë shumë për të dëshiruar. Nuk kemi më ushqime bio dhe të freskëta. Unë mendoj që të ngrënët mirë, do të thotë të mos hash gjëra të thata, të skuqura, të kripura. Unë jam kaq keq me të ngrënët, saqë them më ka marrë malli të ha një ushqim të keq, vetëm se dua ushqim.

Cila është gjella e preferuar?

Kam qenë shumë i dhënë pas sallameve. Haja dhe vazhdoj të ha shumë sallam. E di që nuk është i shëndetshëm. Edhe mjeku që më vizitoi para disa muajsh për një problem me tensionin më tha që duhet t’i kufizoj. Por më pëlqejnë sallamët, djathrat, gjërat me kripë.

Bojken Lako (2)Përmendët një problem shëndetësor, në përgjithësi keni pasur probleme me shëndetin, jeni shëndetlig apo gjëra të vogla, të kontrollueshme?

Unë nuk kam probleme shëndetësore. Problemet me hipertensionin i kam të trashëguara. Sigurisht, mund të kem pasur ndonjëherë ndonjë problem të vogël, kjo edhe për shkak të ngarkesës së punës, ritmit të lartë me të cilin punojmë, por nuk mund të them që jam shëndetlig. Jam 40 vjeç dhe jam mirë.

Për shkak të moshës, ju përfshiheni në projektin më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për të kryer kontrollin falas. Ju ka ardhur ndonjë thirrje për ta bërë këtë kontroll?

Nuk e di, nuk e paskam dëgjuar. Po sigurisht që do ta bëj. Qenka shumë gjë e mirë. Unë e di që analizat duhen bërë rregullisht, edhe pse unë nuk i respektoj. Tani kam filluar ta bëj ndonjë check-up. Është injorancë të mos kujdesesh për veten.

Marrëdhënien me mjekun si e ke?

Të mirë. Edhe pse jam i ngarkuar me punë, nuk e shikoj shpesh.

Kur vendos ta shikosh, shkon në privat apo shtetëror?

Për mua janë njësoj. Unë kam shkuar tek një mjek që punon në privat. Kjo sepse e kemi mjek të vjetër familje, jo sepse unë kam ndonjë preferencë të veçantë shtetëror ose privat.

Të është dashur të shkosh në spitalet tonë shtetërore qoftë në rolin e pacientit apo të shoqëruesit?

Kam pasur një rast para 4 vjetëve ku pata një problem me zemrën.

Çfarë vlerësimi do të jepje për mjekët?

Nuk dua të përgjithësoj. Çdokush ka anët e veta pozitive dha anët negative. Unë kam parë shumë dokumentarë për mjekët dhe ato betimet që bëjnë, kodet, etikën që duhet të respektojnë. Mjekët kanë përgjegjësi shumë të larta. Që të bëhesh mjek, duhet të kesh disa karakteristika profesionale dhe shumë virtyte humane. Kam vlerësim maksimal për mjekët. Edhe pse dëgjojmë shumë të thuhet që ndodhi kjo apo ndodhi ajo, vjen për shumë arsye, për shkak të papërgjegjshmërisë apo për arsye të tjera them se janë gjëra që ndodhin në të gjithë botën.

Bojken Lako (5)Bojken, ti ke miq?

Po, kam shumë miq.

Më mirë një mik apo një mikeshë?

Për mua është njësoj. Vetë natyra njerëzore ka “vendosur” që një mashkull të ketë besim te një femër dhe anasjelltas, kjo në marrëdhënien në çift. Ndërkohë një mashkull ka mik të mirë fillimisht babanë dhe më pas shokët e tij të ngushtë.

Vihet re një tendencë e meshkujve për të mbajtur veten, me trajtime të ndryshme që i bëjnë fytyrës apo trupit. Si mendon lidhur me këtë gjë? Ti ke pirsing, shumë vëthë, por nuk dukesh tip i fiksuar pas heqjes së vetullave, për shembull…

Unë i vlerësoj shumë njerëzit që mbajnë veten dhe jam shumë pro. Edhe kjo që bëj unë me pirsing apo të tjera gjëra, janë faza të mbajtjes së vetes gjithashtu. Nuk jam dakord kur shkohet deri në deformim. Natyra njerëzore ka dhënë një cikël nga lindja deri te plakja. Unë jam pro ndërhyrjeve artistike, nëse mund të thuhet kështu. Duke bërë tatu apo të vësh vëthë, pra gjëra të kësaj natyre, nuk më pëlqejnë ndërhyrjet kirurgjike.

Lexon për shëndetin?

Jo, sepse nuk kam kohë. Edhe pse do doja të lexoja.

Bën palestër?

Kam dëshirë të bëj, por nuk kam kohë. E frekuentoj rrallë.

Si do t’u thoshte Bojkeni lexuesve të gazetës “Shëndet+” që stresi në punë apo stresi në përgjithësi nuk është arsye që të konsumojnë alkool, duhan, si dhe të kequshqehen me gjëra të thata, të kripura, të skuqura?

(Qesh) Unë e di që këto nuk janë të shëndetshme. Madje mezi po pres të kalojë kjo periudhë fluksi që të gjej kohë për veten. Njerëzit e kanë në dorë vetë veten e tyre, e kanë në dorë që t’i japin një jetëgjatësi vetes së tyre. Sepse trupi funksionon si një makinë. Që të punojë mirë kjo makinë, duhet t’ia bësh të gjitha shërbimet e duhura.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!