Romina Ruda: Aksidenti që më bëri të vlerësoj mrekullinë e jetës

Vetëm dikush që ka kaluar një përvojë në prag të vdekjes, e kupton se çfarë ndjen apo kalon kur je i dëmtuar në pikën që vetëm një mrekulli mund të të shpëtojë

Denisa Canameti 

Vajzë e këndshme, e qeshur, e ëmbël dhe shumë e dashur. Kështu mund të përkufizohet Romina Ruda, prezantuesja që ka arritur të pozicionohet mjaft mirë në fushën e medias, edhe pse në një moshë shumë të re. Kjo jo vetëm falë talentit, por edhe falë punës. Pasi siç e thotë edhe ajo vetë, i duhet të punojë fort dhe me orare të zgjatura që në fund të dalë e kënaqur.

Romina Ruda 8Në një intervistë për “Shëndet+”, Romina na flet për veten, e veçanërisht për marrëdhënien e veçantë me mjekët e mjekësinë. Një përvojë jo e këndshme e ka bërë atë që të vlerësojë akoma më shumë bluzat e bardha, por mbi të gjitha të vlerësojë shumë jetën dhe veten.

Romi, në televizon dukesh shumë e qeshur, gjithë kohës. Po në përditshmërinë tënde je njeri pesimist apo optimist? Çfarë të bën optimiste dhe çfarë të bën pesimiste?
Unë jam shenja e peshores dhe si njerëz karakterizohemi nga natyra melankolike, po aq sa optimiste. Shoh gjithmonë të bukurën dhe pozitiven në gjithçka dhe gjithkënd, por i jap vetes luksin herë pas here të mbyllem në guaskën time. Të tjerë thonë “pse je zhdukur”, për mua është proces i nevojshëm për të rigjetur vetveten.

Nëse do të të jepnin vetëm 60 sekonda kohë për të folur për veten, si do ta përshkruaje?

(Romina ndërpret bisedën për të bërë një telefonatë. Ajo pyet shoqen e saj që ta përshkruajë ashtu siç ajo e njeh për 1 minutë.) “Nuk të përshkruaj dot me fjalë Rom, por me gjeste”, përgjigjet ajo. Kështu që po mbaj këtë si përgjigje përfundimtare. Ndizni llampën!

Romina Ruda 4Puna-shëndeti-familja. Cila ka më shumë rëndësi dhe si arrin t’i menaxhosh të tria?
Sado që në mendje kam gjithmonë familjen, më duhet ta pranoj që jam “workohoolic” (njeri që vetëm punon). Shëndetin e kam lënë gjithmonë në plan të tretë dhe është balanca që ende po përpiqem të krijoj në përditshmërinë time.

Jeta kur punon në televizion është e vrullshme. Nëse ke përgjegjësitë e një programi të tërë mbi shpatulla, është akoma më e rrëmbyer. Punon pa orare fikse, ushqehesh kur të bie ndër mend që s’ke ngrënë dhe e takon familjen një herë në javë (pavarësisht se jeton nën të njëjtën çati). Tashmë po përpiqem ta ndryshoj (edhe) këtë dhe kam rigjetur kënaqësinë e të gatuarit dhe qëndruarit më shumë kohë me mamin.

Ke pasur ndonjë problem apo histori me shëndetin që të ka bërë të vlerësosh më shumë çka të është dhënë?
Nga t’ia nis! Kam patur gjithmonë shumë probleme me shëndetin, por moment që më ka bërë të vlerësoj me shumë gjithçka kam dhe gjithçka dua të bëj, ishte aksidenti i para 4 viteve. Dëmtova dy rruaza në shtyllën kurrizore dhe rrezikoja të mos ecja më. Kur je pranë humbjes së diçkaje kaq të natyrshme si aftësia për të lëvizur, kupton sa shumë dhurata të tjera të jetës i merr për të mirëqena. Mbaj mend që kur isha plotësisht e rehabilituar, kalova verën me aktive dhe me të çmendur të jetës sime.
Në fakt, disa muaj më parë mësova që historia ime kishte ndihmuar disa të aksidentuar të tjerë të mbanin shpresë dhe optimizëm në rikuperim, ndaj tani që kam pak më shumë kohë të lirë, kam në plan të shkoj tek Spitali Ushtarak dhe të njihem me ta. Vetëm dikush që ka kaluar këto që quhen “përvoja në prag të vdekjes” e kupton se çfarë ndjen apo kalon kur je i dëmtuar në pikën që vetëm një mrekulli mund të të shpëtojë. Unë ama isha shembulli i gjallë që mrekullitë ndodhin, dhe dua që të gjithë ata që janë në gjendjen që kam qenë vetë ta ndiejnë një besim të tillë.

Ç’marrëdhënie ke me dentistin?
Besoj që është e dukshme dhe të mendosh që, ironikisht, një ndër miket e mia më të afërta është dentiste e paparë (qesh).

Romina Ruda 2Beson se buzëqeshja është shumë e rëndësishme në marrëdhëniet me njerëzit? Sa shpesh buzëqesh?
Po i referohem buzëqeshjes si veprim sesa aspekt fizik apo shëndetësor, duke marrë parasysh që dhëmbët e mia janë (po citoj) “si gardh’ i shtrembër”.
Mendoj se buzëqeshja është një kartvizitë e mirë, por vetëm nëse është e sinqertë. Kam njohur shumë njerëz me buzëqeshje të shtirura të stampuara në fytyrë.
Unë e quaj veten shumë me fat, pasi jam e rrethuar nga njerëz që gjithmonë më bëjnë të qesh shumë. Rrallëherë nuk më sheh të qeshur. Miqtë e mi i kam prej 10 vitesh dhe janë njerëz që e jetojnë jetën në maksimumin që ajo i ofron, shpirtrat e egër që kanë aftësinë e rrallë të gjenerojnë buzëqeshje edhe në momentet më të trishta.

Ç’pjesë të trupit do të ndryshoje nëse do të të jepej mundësia?
Sado që ankohem për çdo tipar të vetes sime, por në fund të ditës s’do ndryshoja asgjë. Për momentin jo të paktën, pas disa vitesh nuk di ende nëse do e mendoj kështu.
Përsosmëria nuk është diçka që matet me centimetra, por aftësia të ndihesh mirë me veten tënde, dorë jashtë imazheve mediatike mbi simetrinë edhe format. Çdokush që është në paqe me pamjen e saj/tij, rrezanton bukuri, dhe kjo është e vetmja “ndërhyrje” që dua të bëj tek vetja.

Ç’ndodh kur stresohesh?
Grindem edhe me hijen time! Jam natyrë që pëlqej shumë qetësinë dhe harmoninë, ndaj nuk di si të sillem në moment stresi, nuk më vjen natyrshëm.

Lexon shpesh për shëndetin?
Maksimumi lexoj receta për ushqimet e shëndetshme. Më pëlqen të gatuaj gjëra të shijshme sesa për kujdes ndaj vetes. Pjesën tjetër ndjek këshillën e babait tim përsa i përket përdorimit të ilaçeve: “Lër më parë vetë organizmin të gjejë zgjidhje, sepse është më inteligjent se sa ne”.

Romina Ruda 1Ç’marrëdhënie ke me celularin? E praktikon këshillën e OBSH-së për telefonata të shkurtra dhe jo më shumë se 20 minuta në ditë?
Ufffff, qëndroj shumë shumë kohë duke folur në telefon. Puna ime është e tillë, por jo vetëm prej saj. Kam 2 grupe në “Viber”, një në “Whatsapp” dhe pesë në “Facebook” ku flas me miqtë e kolegët e mi, ndaj edhe kur nuk flas me ta në telefon, jemi duke u shkruar.

Cila është dhurata më e bukur që ke marrë?
Kujtimet. Mundësia për të krijuar kujtime bashkë, është për mua dhurata më e bukur që kam marrë nga çdo familjar, mik apo i dashur. Dhe kam shumë të tilla.

Nëse një ditë do të bëheshe ministre e Shëndetësisë (asnjëherë nuk i dihet), çfarë do t’i ndryshoje shëndetësisë në Shqipëri?
Mendoj se ka nevojë për më shumë vëmendje në radhët e jakave të bardha, pasi është profesion heroik dhe i admirueshëm, dhe unë kam pasur fatin të shpëtohem shumë herë prej duarve të mjekëve shqiptarë, pikërisht në spitalet shtetërore. Por, personalisht, përpos shumë gjërave të tjera, do përpiqesha që mjekët t’i shihnin pacientët e tyre si njerëz, jo si raste.

Cila është këshilla që e jep pa hesap te gjithkush?

Më  saktë është fjali, një bindje imja: “Nuk ka gjë që s’bëhet”. Nuk heq dorë lehtë, të paktën jo pa u bindur që kam provuar çdo mënyrë (gjithmonë brenda arsyes, të kuptohemi )(qesh).
Vërtet nuk mund të bësh luftë me mullinjtë e erës, dhe unë e kam mësuar këtë në lëkurë duke qenë se gjithmonë jam në luftë: për të ecur para, për të ndryshuar mënyrën si funksionojnë gjërat rëndom në këtë qytet, për t’u përpjekur të ndiej që qëllimi im në jetë do të jetë ai i të prekurit të zemrës dhe mendjes së njerëzve, jo thjesht ekzistencë për të mbijetuar apo fituar popullaritet. Ka dy rrugë për të ecur para. E thjeshta të shpie menjëherë në majë. Por unë nuk e dua këtë. Njerëzit që admiroj, nuk e kanë bërë një gjë tillë.

Po e mbyllim me ushqimin tënd të preferuar… Cila është gjella e preferuar? Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur t’i bëjnë gati?
Makaronat! Veten e kategorizoj tek gjallesat gjithçkangrënëse, pasi vërtet ha gjithçka (dhe ha shumë), por sado të kem ngrënë, kam gjithmonë një “xhep” për makarona në stomak. Jam me fat se mami im është kuzhinierja më e mirë në botë. E di që të gjithë e thonë këtë, por e imja është vërtet (qesh). I them shpesh që të hapë një restorant të vogël me menu ditore.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!