Çfarë është obeziteti metabolikisht i shëndetshëm dhe obeziteti metabolikisht jo i shëndetshëm

Në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, mjekja endokrinologe Renta Sanxhaku ka shpjeguar dallimin mes obezitetit metabolikisht të shëndetshëm dhe atij metabolikisht të pashëndetshëm.

Sipas saj, bëhet fjalë për dallime në profilin metabolik të individëve me obezitet, të cilat lidhen me tregues si yndyrat në qarkullim, trigliceridet, nivelet e insulinës, ndjeshmëria ndaj insulinës dhe prania e proceseve inflamatore.

“Obezitet të shëndetshëm nuk ka, por flasim për pjesën e profilit metabolik”, shpjegon Sanxhaku.

Ajo sqaron se te obeziteti metabolikisht i shëndetshëm, individi mund të ketë nivele normale të yndyrave në qarkullim, pa shenja të insulinorezistencës dhe pa krijimin e një ambienti mikroinflamator të theksuar në indin dhjamor.

Ndërsa te obeziteti metabolikisht i pashëndetshëm, sipas mjekes, vërehen rritje të triglicerideve në gjak, shenja të insulinorezistencës dhe një gjendje më proinflamatore.

Sanxhaku thekson se heterogjeniteti i obezitetit e bën të nevojshme një qasje të personalizuar në trajtim, në varësi të karakteristikave të çdo individi.

Jo dieta drastike, por ndryshim i mënyrës së ushqyerjes

Mjekja ndalet edhe te mënyra e të ushqyerit, duke nënvizuar se objektivi nuk duhet të jetë vetëm rënia e shpejtë në peshë apo ndjekja e dietave drastike.

“Kur themi dietë, pra kur ne një individ e këshillojmë të ndjekë njëfarë diete, do të thotë që shpërndarja e vakteve si është”, shprehet ajo.

Sipas Sanxhakut, ngrënia vetëm një herë në ditë nuk përbën një mënyrë të shëndetshme të ushqyeri. Ajo rekomandon shpërndarjen e ushqimit në vakte kryesore, si mëngjesi, dreka dhe darka, si dhe konsumimin e porcioneve më të vogla, reduktimin e karbohidrateve dhe shtimin e perimeve.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas saj, është që këto ndryshime të mos shihen si një zgjidhje afatshkurtër, por si pjesë e një mënyre ushqyerjeje që duhet të shoqërojë individin në vazhdimësi.

Në këtë kontekst, mjekja përmend edhe diskutimet e fundit në kongreset e diabetologjisë, ku vëmendja është zhvendosur nga koncepti i një diete të bazuar vetëm te një numër i përcaktuar kalorish, drejt mënyrës së organizimit dhe cilësisë së ushqimit.

“Ndarja e pjatës: gjysma duhet të jetë e përbërë nga perimet, çereku nga proteinat dhe çereku nga karbohidratet. Pra fibrat, perimet duhet të jenë të parat”, thekson Sanxhaku.

Postime të ngjashme

Përleshja me policinë, një protestues mbetet i lënduar në kokë. Mjekët i japin ndihmën e parë
Protesta në Lezhë, lëndohen nga gurët një grua dhe një vajzë, dërgohen në spital
CNN: Prindërit po shtyjnë gjithnjë e më shumë vaksinimin e fëmijëve, trend po aq shqetësues sa refuzimi i vaksinave
Dermatologia tregon sekretin sesi të parandaloni rrudhat në zonën e qafës
Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n për t’u kuruar në spitalet private
A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
Rasti i 13-vjeçarit me autizëm në QSUT, KMD nis verifikimet
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?