Mirela Andoni, personi i tretë që merr pjesë në programin “Të dobësohesh shëndetshëm” organizuar nga “Te Stela Resort”, është 35 vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Ajo është 160 cm dhe peshon 94 kg. Për “Shëndet+”, Mirela tregon se peshën më të madhe e mori pas një diete që bënte një vit më parë. Pas përfundimit të
dietës mori dyfish kilet që kishte humbur. Sot me programin “Të dobësohesh shëndetshëm” ajo shpreson që ditëlindja e saj (në shtator) ta gjejë më të dobët.
Mirela, cilat janë përpjekjet tuaja për të rënë nga pesha?
Nuk bëj përpjekje, por ha normalisht dhe eci shumë.
A keni pasur probleme të tjera shëndetësore që kanë kushtëzuar peshën tuaj?
Po, besoj se po, gjendra tiroide dhe ovarie policistike të cilat janë një qark i mbyllur. Pesha ndikon te ato dhe ato ndikojnë në peshë.
Cila është dieta juaj ushqimore e përditshme (si ushqeheni zakonisht)?
Kryesisht konsumoj për mëngjes: qumësht , vezë, djathë, kos, reçel, bukë. Në drekë: gjellë, sallatë, fruta. Ndërsa në darkë: sallatë, supë, fruta.
A keni mbajtur dieta? Cilat kanë qenë ato dhe rezultatet në fund të tyre?
Po, kam mbajtur për rreth 5 muaj një dietë e cila përjashtonte disa perime fruta dhe ushqime të caktuara. Kam humbur gati 12 kg në 3-4 muaj, të cilat i rimora në fund dyfish.
A kryeni rregullisht aktivitet fizik (sport, palestër)?
Jo palestër, vetëm ecje.
Cilat janë arsyet që doni të bini nga pesha?
Sepse jam mbipeshë.
Në takimin me drejtuesit e “Te Stela Resort” cilat ishin përshtypjet tuaja?
Një ekip i kompletuar dhe shumë profesionist. Kam marrë pjesë vite më parë në aktivitetet sportive të organizuara nga profesori Sadik Mema dhe e njoh profesionalizmin e tij.
Takimi me doktorin dhe trajnerin ju ka krijuar bindjen se tashmë do të humbisni peshë?
Besoj se po.
Cilat janë shpresat tuaja në fund të këtij trajtimi?
Të humbas 4-5 kg në muaj.


