Nga prof. dr. Elmas Eltari
Nëse truri ynë do të ishte kompjuter, ne thjesht do të shtonim një çip për të rritur kujtesën. Por truri i njeriut është më kompleks se cilado makinë e avancuar, kështu që përmirësimi i kujtesës nuk është kaq i lehtë.
Një kujtesë e fortë varet nga një tru i shëndetshëm dhe jetësor. Nëse jeni student që doni të përgatiteni për provimet ose një profesionist i interesuar për të ruajtur të mprehtë kujtesën, ka një sërë gjërash që duhet të bëni për të ruajtur performancën e saj, të tilla si:
- Mos evitoni ushtrimet fizike dhe gjumin.
- Rrisni ose forconi aftësinë për të mësuar.
- Gjeni kohë për shokët dhe argëtimet.
- Relaksohuni rregullisht.
- Përdorni me shumicë ushqime që i bëjnë mirë trurit.
- Bëni ushtrime për trurin.
- Bëni ushtrime për memorizimin,
- Lexoni artikuj dhe libra
Si ta forcojmë trurin?
Thuhet se “nuk mund t’i mësoni qenit të vjetër zakone të reja”. Por, kur është fjala për trurin e njeriut, shkencëtarët kanë zbuluar që kjo shprehje e vjetër nuk është e vërtetë. Truri i njeriut ka një aftësi të habitshme të përshtatet dhe të bëjë ndryshime edhe në moshë të vjetër. Kjo aftësi quhet “neuro-plasticitet”. Me nxitjet e duhura, truri mund të formojë lidhje të reja nervore, të prishë lidhjet ekzistuese dhe të përshtatet apo të reagojë në mënyra të ndryshuara.
Aftësia e pabesueshme e trurit për të riformuar vetveten duket kur ai vihet për të mësuar dhe për të memorizuar. Mund ta përmirësoni fuqinë natyrale të neuroplasticitetit, për të rritur aftësinë njohëse, të rrisni aftësinë për të mësuar informacione të reja dhe të përmirësoni kujtesën.


