Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës

Qumështi i gjirit është shumë më tepër sesa një burim ushqimi për foshnjën. Ai siguron lëndët ushqyese të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e saj, ndërsa luan një rol të rëndësishëm edhe në forcimin e sistemit imunitar dhe zhvillimin e mikrobiomës së zorrëve.

Mjekja endokrinologe, Dr. Esmeralda Çela, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, shpjegon se qumështi i gjirit përmban jo vetëm kalori, karbohidrate, yndyra dhe proteina, por edhe përbërës biologjikisht aktivë që ndihmojnë në zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës.

Sipas saj, faktorët e rritjes dhe imunoglobulinat që gjenden në qumështin e gjirit kontribuojnë në mbështetjen e sistemit imunitar të foshnjës. Njëkohësisht, ai ndihmon në formimin e mikrobiomës së zorrëve, e cila luan rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm dhe mund të ndikojë në rrezikun për disa probleme shëndetësore në të ardhmen.

Si ndikon pesha e nënës në ushqyerjen me gji?

Dr. Çela ndalet edhe te lidhja mes obezitetit maternal dhe vështirësive gjatë gjidhënies. Sipas saj, gratë që janë mbipeshë ose obeze mund të përballen më shpesh me vështirësi në nisjen dhe vazhdimin e laktacionit.

Këto vështirësi mund të lidhen me ndryshimet hormonale, por edhe me shqetësimet fizike që mund ta bëjnë ushqyerjen me gji më të vështirë.

Nga ana tjetër, gjidhënia mund të ndihmojë nënën në rikuperimin pas lindjes dhe në uljen graduale të peshës trupore, pasi prodhimi i qumështit kërkon energji.

A e ul ushqyerja me gji rrezikun e obezitetit te fëmijët?

Sipas mjekes, fëmijët që ushqehen me gji përgjithësisht kanë një rrezik më të ulët për të qenë mbipeshë ose obezë, si gjatë fëmijërisë, ashtu edhe më vonë në moshë madhore.

Megjithatë, ajo thekson se pesha trupore ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë mjedisin familjar, kushtet socio-ekonomike dhe zakonet e ushqyerjes gjatë fëmijërisë. Për këtë arsye, ushqyerja me gji është një faktor i rëndësishëm mbrojtës, por nuk e përcakton e vetme ecurinë e peshës trupore.

Postime të ngjashme

Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
"Vijnë me plagë që kërkojnë qepje"- Klinikat private në ndihmë të protestuesve të lënduar, mjeku: Kemi ambulancë në terren
Kirurgu: Plumbat e gomës mund të invalidizojnë, policia të ndërpresë përdorimin e tyre
Udhëzimet e reja mjekësore: Terapia hormonale rekomandohet për lehtësimin e simptomave të menopauzës
Protestat/ Thirrje: Mos dëmtoni ambulancat, lejoini të ofrojnë ndihmë për të lënduarit