Arben Ivanaj, hematolog pranë QSUT-së (botuar në gazetën “Shëndet+”)
Sistemi limfatik është pjesë e sistemit imunitar dhe përbëhet nga nyjet limfatike që janë të lidhura me qeliza të vogla të njohura si enët limfatike. Shpretka dhe palca e kockave konsiderohen gjithashtu pjesë e sistemit limfatik.
Sistemi limfatik në trupin e njeriut luan një rol të rëndësishëm, duke e mbrojtur atë nga infeksioni, kështu që çdo mosfunksionim i sistemit mund të shkaktojë efekte tejet negative shëndetësore. Limfoma është një tumor, që nëse lokalizohet në sistem mund të çojë në rezultate shumë të trishta, veçanërisht në qoftë se nuk ka trajtim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të integruar të sëmundjes.
Si funksionon sistemi limfatik?
Sistemi limfatik është sistemi ku qarkullon ajo që ne i themi limfa. Limfa është një masë e bardhë, amorfe, e ngjashme me gjakun, por ngjyra është e bardhë. Vëmë re që kur pritemi me apo pa dashje, shikojmë se kur ndalon gjaku, del një masë e bardhë: ajo është limfa. Në limfë qarkullojnë proteina, qeliza të ndryshme të organizmit, qeliza të ndryshme të gjakut, ku funksioni i tyre është funksioni mbrojtës ndaj infeksioneve të ndryshme të organzimit.
Sistemi limfatik është sistem paralel me sistemin e gjakut.
Çfarë është limfoma?
Limfomat janë grup patologjish malinje. Në përgjithësi, janë të pashërueshme dhe përfundojnë keq. Prekin të gjitha moshat. Sipas llojit të tyre, disa prekin adoleshencën dhe moshat e mëdha, por në përgjithësi limfomat prekin moshat adulte.
Pse themi që limfomat janë grup patologjish?
Themi kështu sepse limfoma e ka origjinën që në rrugën e pjekjes së limfociteve, të këtyre qelizave të gjakut. Bëhet fjalë për disa qeliza të gjakut që bëjnë pjesë në qelizat e bardha të gjakut dhe që quhen limfocite.
Çfarë do të thotë pjekje e limfociteve?
Qelizat e gjakut e marrim origjinën nga një qelizë e vetme, qeliza mëmë. Nga qeliza mëmë dalin dy grupe të mëdha qelizash. Një grup i qelizave që do të japin qelizat limfocite dhe grupi tjetër i qelizave që do të japin të gjitha qelizat e tjera.
Limfocitet janë dy llojesh: Limfocite B dhe limfocite T. Limfomat në përgjithësi e marrin origjinën nga limfocitet B. Sipas vendit ku merr origjinën në momentin e pjekjes së limfocitit është dhe lloji i limfomës.
Kemi disa etapa të pjekjes së limfocitit, secila nga etapat kalon në vetvete në disa etapa të tjera dhe kjo bën që limfomat të jenë të shumëllojshme, sepse vendi i origjinës së tyre është i shumëllojshëm.
Cilat janë shkaqet e fillimit të sëmundjes?
Shkaktarët nuk i dimë. Akuzohen disa viruse për disa lloje limfomash. Por ajo që nuk dimë në këtë kategori limfomash ku akuzohen viruset, është mënyra ekzakte, mekanizmi se si viruset ndërhyjnë për të dhënë sëmundjen. Ajo që nuk dimë për limfomat është pak a shumë e ngjashme me atë që nuk dimë edhe për gjithë llojet e kancerave, është mënyra sesi faktorët e jashtëm të ambientit (të cilët në përgjithësi nuk i dimë se cilët janë për t’i karakterizuar saktë), ndërhyjnë tek kodi gjenetik i qelizës, pra tek kromozomet e qelizës dhe çrregullojnë pjekjen, maturimin e qelizës. Pra, qeliza del nga rruga normale e pjekjes së saj. Nëse qeliza do të kalojë nga A për të shkuar tek Zh, në këtë rast kalon nga A¹ në drejtim të paditur. Pra, ka një moment devijimi në A¹. Dhe ky moment devijimi bëhet i parikthyeshëm dhe ky grup qelizash që kanë devijuar nga rruga normale, do të marrë kontrollin e gjithë maturimit të qelizave.
Cilat janë faktorët që ndikojnë?
Nuk i dimë.
A ndikojnë faktorët ambientalë?
Ndoshta janë pesticidet, të gjitha helmet në përgjithësi. Të mos abuzojmë me fjalën pesticid. Çfarë është pesticidi? Të gjitha helmet që përdorim në jetën e përditshme, në bujqësi e jashtë saj.
A janë duhani dhe alkooli? Ndoshta janë edhe ato.
A janë produktet e ndryshme kimike industriale? Ndoshta po.
A është ndotja e përgjithshme? Ndoshta po.
Pra, janë të gjitha NDOSHTA. Sepse nuk i lidhim dot shkak-pasojë.
Ka një tendencë të rritjes së rasteve dhe kjo është arsyeja se pse është menduar që faktorët ambientalë, ndotësit ambientalë të konderohen faktorë risku. Ndotësit ambientalë janë rritur, si dhe ka një rritje të grafikut të numrit të të sëmurëve. Por shkak-pasojën nuk dimë ta lidhim.
Si shfaqet te individi (shenjat klinike)?
Sëmundja shfaqet në përgjithësi me rritjen e një gjendre që mund të jetë e dukshme, e prekshme ose mund të jetë brenda në toraks ose në abdomen. Ndonjëherë të sëmurët kanë temperaturë, ndonjëherë kanë rënie në peshë, ndonjëherë i kanë të dyja sëbashku. Edhe temperaturë, edhe rënie në peshë, bashkë me gjendrat ose mund t’i kenë veç e veç. Në këto raste i sëmuri duhet të adresohet tek mjeku i familjes dhe është mjeku i familjes ai që bën rekomandimin e duhur për të bërë kontrollet e duhura.
Diagnoza
Diagnoza nis me një analizë gjaku të thjeshtë, ku në përgjithësi nuk konstatohet ndonjë gjë e rëndësishme. Diagnoza do të shkojë drejt asaj që quhet biopsia e gjendrës. Është kjo që bën diagnozën e saktë. Sëmundja nuk mund të përcaktohet thjesht duke parë klinikisht pacientin. Sëmundja përcaktohet me anë të biopsisë. Këtu vijmë tek fjala “grup sëmundjesh”.
Sipas llojit të sëmundjes nga ana e histologjisë, përcaktohet edhe lloji i mjekimit. Mjekimet bazohen gjithmonë në kimioterapi. Mjekimet e limfomave, për hir të së vërtetës, kanë përparuar shumë dhe e kanë ndryshuar “fytyrën” e kësaj sëmundjeje, në kuptimin pozitiv të fjalës.
Që nga viti 1994 e këtej përdoren ato që quhen “mjekimi target” për këtë lloj patologjie dhe mjekimi target konsiston në përdorimin e një medikamenti që drejtohet vetëm kundër qelizës së sëmurë, mjekimi nuk godet qelizat e shëndosha. Kjo ka bërë që nëse limfomat në vitin ‘94 të kishin 30% shance të jetonin 5 vjet, aktualisht kanë 70-80% shance që të jetojnë 8-10 vjet.
Por, sipas llojit të tyre, janë disa limfoma që jetojnë edhe 13 vjet edhe 15 vjet, edhe që mund të shërohen fare. Janë disa të tjera që kanë një prognozë më të keqe.
Është përdorur dikur radioterapia, ka qenë pjesë e trajtimit. Por që nga viti 2000 e këtej praktikisht radioterapia nuk përdoret më, veçse në disa raste të veçanta. Nuk është më radioterapia pjesë standarde e mjekimit të limfomave. Ajo që vazhdon të jetë pjesë standarde e mjekimit të limfomave, është transplanti i palcës. Nuk bëhet si më parë ku pacienti dërgohej për transplant direkt, mjekimi target nuk e ka eliminuar transplantin, por e ka shtyrë në kohë.
Sëmundja nuk shërohet, pavarësisht progresit që është bërë vitet e fundit. Nuk mund të flitet për shërim sepse ne nuk e dimë se nga vjen sëmundja. Pa ditur shkaktarët, nuk mund t’i luftojmë.
Disa lloje kancerash, nëse kapen në stadin fillestar mund të kurohen, mund të themi të njëjtën gjë për limfomat?
Edhe limfomat ndahen nga stadi i parë deri në stadin e katërt. Ato që janë në stadin e parë, jetojnë më gjatë sesa ato që janë në stadin e katërt.
- Duhet të edukojmë njerëzit që të mos neglizhojnë një temperaturë të zgjatur.
- Të mos neglizhojnë djersë që i detyron të ndërrohen 2 herë natën.
- Mos të neglizhojnë rënien në peshë të pashpjegueshme.
- Të mos neglizhojnë daljen e ndonjë gjendre, në qafë, në rrëzën e kofshës apo në pjesë të tjera të trupit.
Por nuk ka asnjë lloj mekanizmi të zbulimit të hershëm të këtij problemi. Nëse duam të hedhim para në këtë punë, duhet të hedhim para në trajtimin e tyre dhe në mënyrën e marrjes në ngarkim të këtyre të sëmurëve, diagnozë të saktë dhe mjekim të përshtatshëm. Momentalisht kemi probleme në secilën prej hallkave.



