Denisa Canameti
Sëmundjet e kockave janë një ndër shkaqet më të shpeshta të invaliditetit në popullatë. Në shumë raste lind nevoja për ndërhyrje kirurgjikale, veçanërisht kur këto sëmundje kanë agravuar e ku trajtimi medikamentoz nuk ka efekt.
Meqë shkenca ka përparuar, edhe mundësitë e trajtimit janë gjithnjë e më të mëdha. Në rastin e gonoartrozës (artrozës së gjurit), operacioni i protezës totale ose mono-kompartimentale të gjurit zgjidh një herë e mirë problemin. Proteza e një artikulacioni që ka pësuar një dëmtim përfaqëson një nga sukseset më kryesore në fushën e ortopedisë së këtij shekulli.
Por shumë prej pacientëve këto ndërhyrje i kryejnë në privat, edhe pse shumë shtrenjtë (6000-7000 euro).
Të pyetur lidhur me një çështje të tillë, mjekët ortopedë në Spitalin Universitar të Traumës thonë se jo rrallë ata vetë i orientojnë pacientët drejt privatit për arsye krejtësisht teknike.
“Të bësh ndërhyrje të tillë siç është protezimi i gjurit, sigurisht që nuk është e thjeshtë. Si çdo operacion tjetër, edhe ai ka risqet e veta. Por ajo që na e bën punën akoma më të vështirë, është fakti se ne nuk japim dot garanci pacientit që ai nuk do të dalë i infektuar nga ky operacion. Pra, duhet të mbajmë përgjegjësi të cilat nuk lidhen drejtpërdrejtë me punën tonë. Përgjegjësi që lidhet me jetën e pacientit dhe, në fund të fundit, edhe me jetën tonë.
“Së pari, protezën e gjurit nuk e siguron spitali dhe pacientët duhet ta blejnë vetë, me një kosto që shkon deri në 3000 euro (vetëm proteza). Në rastet kur pacienti kërkon që ndërhyrja të kryhet në spitalin shtetëror, i paralajmërojmë pacientët se rreziku për marrjen e infeksionit është i madh. Kemi shumë pacientë që janë infektuar dhe janë detyruar ta heqin protezën. Kjo për faktin se në pajisjet me të cilat punohen, nuk është investuar prej kohësh, duke rritur shumë rrezikun e infeksionit”, thonë mjekët.
Pak kohë më parë, mjekja Lida Shosha publikoi foto të pajisjeve të ndryshkura në sallën e operacionit në Spitalin e Traumës.


