Përgatiti për “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri
Pas ditësh të tëra me kryetituj gazetash, televizionesh, portalesh online të cilat i bënë jehonë vendimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për klasifikimin e mishit të përpunuar si një kancerogjen për njerëzit , në të njëjtën kategori si duhani dhe asbesti, OBSH ka lëshuar një deklaratë për sqarimin e opinionit publik mbi rrezikshmërinë reale të mishit të përpunuar në shëndetin e njerëzve.
Ajo vuri në dukje se raporti i fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve të Kancerit (IACR), lëshuar javën e shkuar, “nuk iu kërkon njerëzve të ndalojnë konsumimin e produkteve prej mishit të përpunuar, por shprehet vetëm që reduktimi e konsumit të këtyre produkteve mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë “. OBSH publikoi online një dokument pyetje-përgjigje, në përpjekje për të paraqitur faktet në mënyrë korrekte, vetëm 4 ditë pasi raporti i IACR –së ishte botuar dhe demonizimi mediatik i mishit të përpunuar kishte marrë dhenë në të gjithë botën. Sipas këtij dokumenti, megjithëse mishi i përpunuar është klasifikuar tashmë në Grupin 1 të kancerogjenëve njerëzorë në të njëjtën kategori me duhanin, asbestin dhe të tjera substanca, jo të gjitha substancat e përfshira në të janë “njësoj të rrezikshme”.
Klasifikimet e “Agjencisë Ndërkombëtare të Kërkimeve të Kancerit”(IACR) pëshkruajnë më tepër forcën e fakteve shkencore rreth një substance që shkakton kancer, sesa vlerësojnë nivelin e rrezikshmërisë, shtoi OBSH. Me fjalë të tjera, sallami dhe duhani paraqesin rrezikshmëri të ndryshme megjithëse janë klasifikuar në të njëjtin grup kancerogjenësh.
Ndërkohë, portali Medscape, një platformë informacionesh për mjekë dhe profesionistë të shëndetit, nga i cili është shkëputur ky lajm, jep disa të dhëna statistikore të bazuar në hulumtime nga organizata akademike kërkimore të pavarura, të cilat hedhin dritë mbi nivelin e rrezikshmërisë të secilit prej agjentëve kancerogjenë të përmendur më lart.
Sipas një vlerësimi të fundit nga “Projekti i barrës globale të sëmundjeve”- “Global Burden of Disease Project”, 34.000 vdekje në vit, në shkallë botërore, i atribuohen dietave të pasura me mish të përpunuar; mishi i kuq mund të jetë përgjegjës për 50.000 vdekje nga kanceri në vit në gjithë botën. Për të kontrastuar këto shifra, OBSH publikon statistikat e vdekjeve për shkak të substancave të tjera kancerogjene. Kështu, 1milion njerëz vdesin çdo vit në botë për shkak të duhanpirjes. 600.000 në vit vdesin për shkak të konsumimit të alkoolit dhe më shumë se 200.000 për shkak të ndotjes së ajrit.
OBSH, gjithashtu përsërit të dhëna nga raporti i ICAR i cili vlerëon se 50gr produkte nga mishi i përpunuar të konsumuara çdo ditë, rrisin me 18% rrezikun e kancerit të zorrës së trashë dhe rektumit. 100 gr mish i kuq e rrit gjithashtu me 18% rrezikun e të njëjtit kancer.
Kërkimet mbi kancerin në Mbretërinë e Bashkuar, (CRUK), deklarojnë gjithashtu se 61 persona çdo 1000 njerëz preken në vit nga kanceri i zorrës së trashë dhe rektumit.
Redaksia e “Shëndet+” i bashkohet alarmit të ngritur nga gjithë institucionet botërore të shëndetit, duke ju sugjeruar të kufizoni sasitë e mishit të përpunuar dhe mishit të kuq dhe ndjekjen e dietave ushqimore të pasura në perime, fruta, drithëra, mish të bardhë dhe peshk.
Burimi: Medscape


