Ndryshimet klimatike trainim me gazetarët: Sa ambicioz është Plani i Veprimit i Shqipërisë?

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

PNUD (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara) zhvilloi një panel diskutimi me titull: “Masat e marra nga Shqipëria për ndryshimet klimatike: Sa ambicioze duhet të jenë?”, që mblodhi së bashku deputetë, ekspertë në fushën e ndryshimeve klimatike, përfaqësues të qeverisjes vendore, organizata të shoqërisë civile të cilat punojnë në fushën e mjedisit, median dhe akademikë. Aktiviteti u zhvillua në javën që i paraprin Samitit për Ndryshimet Klimatike, i njohur ndryshe edhe si Konferenca e 21-të e Palëve (COP21) që do të mbahet në Paris nga data 30 nëntor deri më 11 dhjetor.

Takimi PNUD gazetare (2)Ashtu siç u tha në krye të herës, ky takim nuk ishte thjesht për të folur për programin, por për të folur pak më shumë për ndryshimet klimaterike.

Çfarë janë ndryshimet klimatike? Si kanë ndikuar në Shqipëri? Çfarë po ndodh? Çfarë është e nevojshme të bëhet në mënyrë që të merren masa? Gjithashtu, u bë me dije se këtë vit organizohet Konferenca e 21-të e palëve për klimën, ku u sqarua se Shqipëria ka dorëzuar tashmë raportin e saj. Në këtë konferencë pritet që të merren vendime të rëndësishme duke qenë se bota është përballë ndryshimeve të dukshme klimatike.

Mirela Kamberi, koordinatore Projekti në kuadër të Programit të Ndryshimeve Klimaterike, PNUD, bëri një prezantim të programit për ndryshimet klimatike në Shqipëri. Kamberi në fjalën e saj shpjegoi se, kur flasim për ndryshime klimatike, kemi parasysh për ato ndryshime që kanë ndodhur për shkak të  aktivitetit të shtuar të njeriut. “Ndryshimet klimatike ndodhin. Por ajo që ne duhet të dimë është se si të adaptohen sektorët për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve”, tha specialistja.

Si pjesë e Iniciativës Globale të UNDP/UNEP/GEF për Transformimin dhe Forcimin e Tregut për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë, Kamberi shpjegoi se programi i Shqipërisë ka synuar të përshpejtojë zhvillimin e tregut për sistemet diellore për ujë të ngrohtë me objektivin për të arritur një nivel shtesë prej 75,000 m2 të kapacitetit të instaluar të sistemeve diellore deri në fund të jetëgjatësisë së projektit dhe një rritje të qëndrueshme të tregut me një ritëm mesatar vjetor shitjesh prej 20,000 m2 pasi të ketë përfunduar projekti, për ta çuar në vitin 2020 në 520,000 m2 kapacitetin e instaluar të Sistemeve Diellore për Ujë të Ngrohtë.

“Me arritjen e këtyre objektivave, – vazhdoi Kamberi, – projekti do të ndikojë në reduktimin e rreth 300 MW energji elektrike që do të përdorej për prodhimin e ujit të ngrohtë dhe gjithashtu në reduktimin e gazeve me efekt serë, me një potencial reduktimi rreth 800,000 ton CO2 të vlerësuar në mënyrë kumulative deri në fund të vitit 2020”.

Në prezantimin e saj Kamberi tha se në përfundim të projektit synohet:

  • Rritja e ndërgjegjësimit dhe kapacitetit të konsumatorëve dhe ndërtuesve profesionistë
  • Krijimi i mekanizmave atraktivë financiarë dhe modeleve të reja të biznesit
  • Certifikimi, forcimi i kontrollit dhe ngritja e kapaciteteve furnizuese të SWH
  • Institucionalizmi i mbështetjes së dhënë dhe dokumentimi i rezultateve të arritura.

Menjëherë pas saj fjalën e mori Eglantina Bruci, Koordinatore Kombëtare e Projektit, Programi i Ndryshimit Klimaterik, UNDP/GEF e cila u ndal në rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike, skenarët e ndryshimeve të klimës, ndikimin e ndryshimeve të klimës në rezervat ujore, bujqësi, biodiversitet, popullsi, turizëm, shëndet, në menaxhimin e rreziqeve të lidhura me klimën, masat për adaptimin e këtyre ndryshimeve, si dhe bëri një prezantim të planit të adaptimit për bregdetin.

Referuar prezantimit të Brucit, nëse nuk bëhet një menaxhim i mirë në adaptimin e planit për bregdetin deri në 2050-n, do të kemi pasoja katastrofike që përkthehen në rritje të frekuencës së ngjarjeve ekstreme, rritje të kërkesës për energji për ftohje të banesave, reduktim i rrjedhjes vjetore stinore të lumenjve, reduktim i furnizimit me ujë, probleme të cilësisë së ujit, reduktim i sipërfaqes lagunore, humbje e specieve e deri te rritja e rrezikut për sëmundje të ndryshme.

“Shqipëria po mban shumicën e pasojave mjedisore, sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Vendi ynë do të ndikohet shumë nga ndryshimi i klimës. Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në burimet ujore, prodhimin e energjisë, turizmit, ekosistemet, bujqësinë dhe të zonës bregdetare. Nëse kjo nuk është konsideruar si duhet dhe adresohet, do të dëmtojë vendin”, tha Bruci.

Ndërkohë, asistenti teknik i projektit, Dritan Profka, bëri një prezantim të shkurtër lidhur me të dhënat e përditësuara të monitorimeve të ujit të ngrohtë dhe sistemeve termike diellore në disa prej institucioneve publike. Profka pasqyroi disa raste studimore në disa institucione ku janë instaluar panelet diellore. Nga të dhënat e monitoruara rezultoi se shpenzimet mesatare mujore për sigurimin e ujit të ngrohtë nëpër këto institucione janë shumë herë më të ulëta sesa përpara instalimit të sistemit termik diellor.

Pas përfundimit të takimit, gazetarët u ftuan që të ndjekin nga afër punën e bërë në çerdhen numër 50 në Tiranë dhe në shtëpinë e të moshuarve. Nga takimi me përgjegjësit e këtyre dy institucioneve mësuam se panelet diellore kanë lehtësuar shumë punën e tyre. Pasja e ujit të ngrohtë në çdo moment është kryesor jo vetëm për higjienën personale të fëmijëve dhe të moshuarve, por edhe për mbarëvajtjen e punëve të tjera brenda institucioneve.

PNUD-i është një nga agjencitë ndërkombëtare që në agjendën e saj përfshin edhe çështje që kanë të bëjnë me mjedisin, me një fokus shumë të veçantë në ndryshimet klimatike.

Rreth Konferencës së 21-të të Palëve në Paris

Reagimi politik në nivel ndërkombëtar ndaj ndryshimeve klimatike filloi në Samitin e Tokës në Rio në vitin 1992, në të cilin “Konventa e Rio-s” përfshiu miratimin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Kjo konventë parashikonte krijimin e një kuadri për veprim të cilat synonin stabilizimin e përqendrimeve në atmosferë të gazeve me efekte serrë (GES) për të shmangur “interferencën e rrezikshme të antropogjenëve me sistemin klimatik”. KKKBNK-ja, e cila hyri në fuqi më 21 mars 1994, ka tashmë një anëtarësim pothuajse universal me 195 shtete palë.

Objektivi kryesor i Konferencës vjetore të Palëve (COP) është shqyrtimi i zbatimit të konventës. Konferenca e parë e Palëve u zhvillua në Berlin në vitin 1995 dhe takimet e rëndësishme që prej asaj kohe përfshijnë COP3 në të cilin u miratua Protokolli i Kiotos, COP11 ku u hartua Plani i Veprimit i Montrealit, COP15 në Kopenhagë, ku fatkeqësisht nuk u arrit marrëveshje për të pasuar Protokollin e Kiotos, dhe COP17 në Durban në të cilin u krijua Fondi për Klimë Ekologjike.

COP21 e vitit 2015, e njohur edhe si Samiti i Klimës në Paris 2015, do të synojë për herë të parë pas 20 vitesh negociata në Kombet e Bashkuara, që të arrijë një marrëveshje universale dhe ligjërisht të detyrueshme për klimën, me qëllim ruajtjen e ngrohjes globale në nën 2°C. Më shumë se 150 shtete kanë dërguar planet e tyre kombëtare të veprimit, të njohura gjithashtu edhe si Kontribute Kombëtare të Pikësynuara (INDC).

COP21 do të jetë një nga konferencat më të mëdha ndërkombëtare të mbajtura ndonjëherë në Francë. Konferenca pritet të tërheqë rreth 50 000 pjesëmarrës, duke përfshirë 25 000 të dërguar zyrtarë nga qeveritë, organizatat ndërqeveritare, agjencitë e OKB-së, OJQ-të dhe shoqëria civile. Pjesëmarrës në emër të Shqipërisë parashikohet të jenë Kryeministri z. Edi Rama dhe Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka, si edhe një grup negociues i përbërë nga nëpunës civilë.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë