Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Shërbimi i Hematologjisë QSUT organizoi sot “Konferencën e 10-të të Hematologjisë Shqiptare”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin mjekë hematologë, hematologë pediatër dhe transfuziologë, si edhe nefrologë, anatomopatolog, mjekë të laboratorit klinik, gjenetistë, imunologë, infeksionistë etj. vihej re pjesëmarrja e mjekëve hematologë nga Kosova.
Këtë konferencë e përshëndeti edhe dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli. Në fjalën e saj Rakacolli përgëzoi aktivitetin, si dhe shprehu konsideratat më të mira për nivelin e organizmit të konferencës.
“Më bën përshtypje niveli i organizmit të konferencës, pjesëmarrja, zgjedhja e temave. Vështirësia e organizimit qëndron në gjetjen e temave dhe ruajtjen e nivelit të diskutimit. Ju vetë pa mbështetje përpiqeni të lexoni, të përditësoheni dhe të gjeni fonde për të tilla organizime”, tha dekania.
Rakacolli vazhdoi fjalën e saj duke thënë se “më vjen keq që shpesh harrohet që puna e mjekut nuk mbetet vetëm një vizitë 10-20 minuta. Përkundrazi, mjeku e ndjek në ecuri rastin dhe merret me të ditë pas dite.
“Propozoj që këto leksione të hidhen në portalin e fakultetit dhe universitetit që të kenë akses edhe mjekët e tjerë”, përfundoi ajo.
Konferencën e përshëndetën gjithashtu përfaqësues nga drejtoria e QSUT-së.
I pyetur për qëllimin e kësaj konference, mjeku hematolog Arben Ivanaj u shpreh se qëllimi është adaptimi më i fundit dhe më i mirë i mundshëm i të dhënave mbi marrjen në ngarkim të sëmurëve me sëmundje malinje të gjakut, pra ato që themi kancer të gjakut.
“Është shumë e rëndësishme që të bëhet kjo konferencë çdo vit, veçanërisht për anën profesionale të mjekëve. Për vetë faktin se të rejat që vijnë në këtë fushë janë në evoluim të vazhdueshëm”.
I pyetur se çfarë diktojnë të rejat më të fundit nga kjo fushë Ivanaj u përgjigj se “fispatologjia e këtyre sëmundjeve, njohja sa më e mirë e mekanizmit se si vjen sëmundja, është rruga më e mirë e përdorimit të mjekimit.
“Pikërisht mjekimi target dhe adaptimi i kësaj terapie me terapinë klasike, me kimioterapinë klasike së bashku me transplantin e palcës ka bërë që jetëgjatësia e këtyre të sëmurëve, minimumi, të dyfishohet”.
Po ku jemi ne në raport me këtë evoluim? Kësaj pyetjeje Ivanaj i shton nota humori: “Pyetje e vështirë. Përveçse kombëtares, gjë tjetër nuk shkon në Europë këtu tek ne. As hematologjia. Është larg”.
A është ky tregues që përgatitja profesionale që kanë mjekët nuk ecën në raport me realitetin? “Saktë. Detyra jonë është që adaptojmë njohuritë tona, të dhënat tona, të kuptojmë anën teknike sesi aplikohen gjërat. Pastaj aplikimi nuk është në dorën tonë”.
Meqë në konferencë kishte pjesëmarrje të mjekëve kosovare Ivanaj tha se mjekët nga Kosova po bëjnë një pasqyrë të trajtimit në Kosovë të sëmurëve me sëmundje të rënda gjaku.
Veç përgatitjes profesionale të mjekëve, ky aktivitet, theksoi Ivanaj, ka si qëllim të sensibilizojë instancat përgjegjëse për të bërë diçka më shumë për të sëmurët me sëmundje të rënda të gjakut, si dhe të bëhet edhe sensibilizimi i njerëzve lidhur me përpjekjet e mjekëve për të qenë në një hap me evoluimin e shkencës në mënyrë që atyre t’u sigurohet trajtimi më i mirë i mundshëm.
Temat për referim ishin të shumta. Konferenca zgjat deri në orët e vona të pasdites.


