Shëndeti  i gjirit, 5 pyetjet që duhet t’i bëni mjekut tuaj

Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri

Mbajtja nën kontroll e shëndetit të  gjirit, është një përparësi që gratë duhet ta vlerësojnë 365 ditë të vitit. Sipas statistikave një në 8 femra mund të diagnostikohet me kancer gjiri përgjatë jetës së saj, por nëse zbulohet në fazat e hershme, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare,  mund të arrijë deri më shumë se 92 përqind.

Shumë gra janë të shqetësuara për shëndetin e gjinjve të tyre dhe do dëshironin të dinin gjithçka për të shmangur të keqen, por  shpesh nuk dinë nga t’ia fillojnë, thotë Sarah Storey, drejtuese e Programit  “Bright Pink – Rozë e ndezur”, një organizatë me mision parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit tek gratë në moshë të re”.

shendeti i gjiritPra, nga t’ia fillojmë?

Më poshtë do listojmë 5 pyetjet më të rëndësishme të cilat mund t’ia bëni mjekut tuaj lidhur me kancerin e gjirit. Gjeni mjekun e duhur për t’i bërë pyetjet, pra atë mjek që jo vetëm i di përgjigjet, por njeh mirë edhe historikun e shëndetit tuaj dhe të familjes suaj të origjinës.

  1. Çfarë përcakton historia ime shëndetësore?

Cilët janë faktorët e mi të rrezikut për kancer të gjinjve? Sa e ndikon historia ime shëndetësore rrezikun për kancer gjiri nga mwnyra ime e jetesës?

Është shumë e rëndësishme që të flisni me mjekun rreth historisë shëndetësore të familjes suaj. Mbani shënim të gjitha rastet me kancer të familjarëve tuaj dhe informojeni mjekun në mënyrë të vazhdueshme  për ta. Kjo do ta ndihmonte atë të përcaktonte nëse po ngrihet gjëkund flamuri i rrezikut për kancer në gjithë sistemin e organizmit tuaj, jo vetëm në pjesën e  gjinjve.

  1. Cili është plani?

Çfarë parandalimi dhe plan ndjekjeje më rekomandoni bazuar në shkallën time të rrezikut për kancer gjiri?

Rekomandimi  i përgjithshëm për fillimin e kryerjes së mamografisë është   mosha 40 vjeç.  Por nëse në historikun tuaj familjar, ka patur raste të prekjes nga kanceri i gjirit, atëherë diagnostikimi me mamografi duhet të fillojë 10 vjet më herët, pra në moshën 30 vjeç.  Shumica e grave që bëjnë një ndjekje të mirë të vetes së tyre, arrijnë të identifikojnë kancerin shumë më parë se vetë mjekët, prandaj merrni  vetë në duar timonin e shëndetit. Mos ia lini gjithçka në dorë mjekëve.

  1. Çfarë mund të bëj për ta parandaluar?

Çfarë ndryshimesh në mënyrën e jetesës duhet të bëj në mënyrë që të zvogëloj rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri?

Në të vërtetë ekzistojnë disa gjëra të vogla që mund të bëni për të zbutur mundësitë për kancer gjiri: Mbaj nëj peshë trupore të shëndetshme; pi jo më shumë se një pije alkoolike në ditë; angazhohu në së paku tridhjetë minuta aktivitet të qëllimshëm fizik pjesën më të madhe të kohës.

Mjeku juaj mund t’ju ndihmojë të shënjestroni zakone të pashëndetshme tuajat, duke i zëvendësuar ato me të tjera që do t’i bëjnë mirë shëndetit tuaj.

  1. Ç’lloj analizash duhet të bëj?

Duhet të takoj specialistë të fushës për të menaxhuar rrezikun tim?

Nqs mjeku juaj përcakton se faktori gjenetik ose të tjerë faktorë të historikut tuaj familjar ose të mënyrës së jetesës, ju bëjnë ju një person të rrezikuar për të patur kancer, atëherë kërkojini t’ ju referoj tek një specialist i fushës  i cili do t’ju ndihmoj të bëni diagnostikime më të thelluara.  “Shumica e doktorëve janë edukuar ta mendojnë kancerin e gjirit si një sëmundje e cila shfaqet  pas moshës 50 vjeç. Ne dëshirojmë t’i mësojmë femrat të mendojnë se nëse kanë një dyshim, të mos tërhiqen mbrapsht derisa të marrin një përgjigje përfundimtare.

  1. Për çfarë të kërkoj?

Cilat janë simptomat e kancerit të gjirit për të cilat duhet të kontrolloj vazhdimisht  në trupin tim?

Gjëja e parë e rëndësishme është të dish si janë normalisht gjinjtë e tu, dmth, të njohësh dhe të dish si janë  ata të ndërtuar zakonisht; si duken, si ndihen në të prekur. Në këtë mënyrë, ju do jeni në gjendje të  vëreni çdo  ndryshim sado të vogël të tyre, qoftë kjo ënjtje, skuqje, një kokël/ gungë, shkarkim lëngjesh nga thimkat deri në ndryshime të formës ose madhësisë së tyre. Nëse ky ndryshim, vazhdon për disa javë dhe ju vetë arrini të përcaktoni që nuk është i lidhur me ciklin menstrual, atëherë duhet patjetër t’i drejtoheni mjekut.

Postime të ngjashme

Cila është mosha ideale për të pasur një fëmijë sipas shkencëtarëve
Problemet me tiroiden tek fëmijët: Çfarë duhet të dinë prindërit
Uji i orizit, trendi i ri viral i TikTok për flokë të shndritshëm, të shëndetshëm dhe të fortë
Shkencëtarët zbulojnë se vaksina kundër gripit ka një efekt shqetësues në shëndetin e grave
Hipertensioni gjatë shtatzënisë i lidhur me rrezikun e kardiomiopatisë së zgjeruar
A mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit produktet tuaja për kujdesin e lëkurës?
7 shenjat e endometriozës që një grua nuk duhet të injorojë kurrë
Si ndryshon trupi i një gruaje pas lindjes, studimi tregon se kur analizat rikthehen në vlerat normale