Eriola Cuko
Dita Botërore e Kancerit, 4 shkurti, është e vetmja iniciativë ku e gjithë bota mund të bashkohet në luftën kundër kësaj epidemie. Kjo ditë për këtë vit fokusohet në objektivin e 5 të Deklaratës Botërore të Kancerit, Ulja e stigmës dhe rrëzimi i miteve për kancerin, me mesazhin “Të rrëzojmë mitet!”.
“Miti i parë është ne nuk kemi nevojë të flasim për kancerin”, thotë Jeta Lakrori nga Departamenti i promocionit në Institutin e Shëndetit Publik. Në të vërtetë, sipas saj, “të folurit hapur për kancerin mund të jetë një temë e vështirë për t’u trajtuar, por të folurit mund të përmirësojë rezultatet në nivel individual, në nivel komuniteti dhe të politikës”.
Miti i dytë është “nuk ka shenja ose simptoma të kancerit”, ndërkohë që e vërteta është se për shumë lloje kanceresh ka shenja dhe simptoma paralajmëruese, dhe përfitimet e zbulimit të hershëm janë të padiskutueshme. “Informimi është hapi i parë për zbulimin e hershëm dhe përmirësimin e rezultateve të kancerit. Për shumë lloje kanceresh, duke përfshirë kancerin e gjirit, të qafës së mitrës, të lëkurës, kancerit të gojës dhe të zorrës së trashë, si edhe të disa lloje kanceresh të fëmijërisë, përfitimet e zbulimit të hershëm janë të padiskutueshme”, shton Lakrori. Suksesi i programeve të zbulimit të hershëm mund të matet me një reduktim të diagnostikimit të stadeve të kancerit, me diagnozën e hershme, e cila lidhet me reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri.
Sa i takon mitit të tretë, “Unë nuk mund të bëj asgjë për kancerin”, e vërteta është se ka shumë që mund të bëhet në nivel individual, në nivel të komunitetit dhe të politikave me strategji të drejta. Një e treta prej kancereve më të zakonshme mund të parandalohen, pasi kushtet në të cilat njerëzit jetojnë dhe punojnë dhe stilet e jetës së tyre ndikojnë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së tyre. Duhanpirja, faktori më i zakonshëm i rrezikut, është i lidhur me 71% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive dhe llogaritet 22% për të paktën të të gjitha vdekjeve nga kanceri. Bazuar në tendencat aktuale, duhanpirja vlerësohet të vrasë një miliardë njerëz në shek. XXI. Alkooli është një faktor tjetër i njohur rreziku për kancer, i lidhur fort me një rritje të rrezikut të kancerit të gojës, faringut, laringut, ezofagut, zorrës dhe gjirit, dhe mund të rrisë rrezikun e kancerit të mëlçisë dhe kancerit të zorrëve në femrat.
Ndërkohë, mbipesha dhe obeziteti është gjithashtu të lidhur ngushtë me rritjen e rrezikut të kancerit të zorrëve, gjirit, mitrës, pankreasit, ezofagut, veshkave dhe fshikëzës së tëmthit. Mbipesha dhe obeziteti është në rritje në nivel global në një shkallë alarmante, duke përfshirë edhe fëmijët dhe adoleshentët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se çdo vit 177 mijë vdekje nga kanceri janë të lidhura me ekspozimin profesional ndaj karcinogjeneve të caktuara, ku një në çdo tri vdekje vlerësohet të jetë shkaktuar nga asbesti. Infeksionet kronike janë vlerësuar se shkaktojnë rreth 16 % të të gjithë kancereve në nivel global dhe në vendet në zhvillim kjo shifër rritet në pothuajse 23 % të të gjitha kancereve.
Lidhur me mitin e katërt, “Unë kam të drejtën për kujdes ndaj kancerit”, e vërteta është se të gjithë njerëzit kanë të drejtë për akses, trajtime efektive të kancerit dhe shërbime në kushte të barabarta, pa vuajtur si pasojë vështirësitë. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut thotë se “pasja e standardeve më të larta e të arritshme të shëndetit është një nga të drejtat themelore të çdo qenieje njerëzore”. Por në shumë raste, hendeku më i madh dhe i papranueshëm në kujdesin e kancerit është mungesa e kujdesit paliativ dhe aksesi në lehtësimin e dhimbjeve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbulimi universal është shenjë dalluese e angazhimit të një qeverie për të përmirësuar mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj.

