Gjimnazi “Sami Frashëri” është nga të paktët gjimnaze që ka edhe Grupin e Shëndetit, një grup i përbërë nga nxënës të kësaj shkolle, të angazhuar në aktivitete për ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve të tyre për çështje që lidhen me shëndetit. Në aktivitetin më të fundit të organizuar nga USAID, me mbështetjen edhe të gazetës “Shëndet+”, u diskutua lidhur me të drejtat e pacientit, si dhe me mundësinë që të rinjtë kanë për të marrë informacion dhe për të raportuar shqetësimet e tyre në këtë gazetë.
Ada Tafaj, pjesë e Grupit të Shëndetit, u shpreh se një nga problemet më të mëdha që kishin nxënësit ishte privatësia. “Është e vështirë për ta që të shkojnë te mjeku i familjes dhe ta pyesin për gjëra që duan të dinë, si për shembull, për seksin, dhe të mos e marrë vesh gjithë fisi”, u shpreh ajo. Një diskutim i tillë u mbështet edhe nga nxënës të tjerë që e cilësuan privatësinë me rëndësi.
Tea Meço dhe Holger Qinami, përkatësisht në vitin e dytë dhe të tretë, të dy pjesë e Grupit të Shëndetit u shprehën se ata janë aktivë përgjatë gjithë vitit dhe se merrnin informacione të ndryshme lidhur me shëndetin dhe mënyrat për ta mbrojtur atë. “Ne aktivizohemi sidomos në ditët ndërkombëtare, siç po zhvillohet së fundmi Fushata kundër Kancerit të Mitrës”, tha Tea. Ndërkohë Holgeri theksoi se ata komunikojnë me njëri-tjetrin jo vetëm në shkollë, por edhe në rrjetet sociale, duke dhënë e marrë informacione të ndryshme të nevojshme.
Në fjalën e saj, drejtoresha e gazetës “Shëndet+”, Eglantina Bardhi, u foli nxënësve lidhur me këtë gazetë, misionin e saj, si dhe faqen e internetit në të cilën ata mund të merrnin informacion. Gjithashtu ajo deklaroi se në rast se dëshironin të denonconin raste korrupsioni apo të kërkonin të dinin lidhur me sëmundje të ndryshme, mund të përdornin portalin shendeti.com.al. “Fakti që gazeta ka një bashkëpunim të ngushtë me mjekët, e bën informacionin e prezantuar në të shumë të saktë dhe dobiprurës për këdo”, tha Bardhi.
Mjekja e shkollës, Teuta, e pranishme në këtë takim, ritheksoi edhe një herë për nxënësit e saj rëndësinë e informacionit për të pasur një shëndet më të mirë.
Grupi i Shëndetit i gjimnazit “Sami Frashëri” ka dhjetëra nxënës aktivë. Rreth 80 prej tyre janë ata që gjatë gjithë kohës marrin pjesë në fushata të ndryshme për ndërgjegjësimin. Të pranishmit në aktivitet morën edhe nga një kopje të gazetës “Shëndet+”, ndërsa kërkuan edhe kontakte për të ditur ku të drejtohen në rastet që mund të hasnin probleme.


