Harroni shpejt? Ndiheni në faj se nuk i keni uruar të dashurit tuaj për ditëlindje, përvjetore apo ditë të veçanta? Jeni të shqetësuar se fëmija juaj nuk është i mirë me mësime sepse harron shpejt? Me rritjen e moshës, njeriu fillon të ketë probleme me kujtesën. Por, kur fëmijët vuajnë nga harresa që në moshë të re, atëherë është një problem që duhet të merret seriozisht.
Për fat të mirë, ne mund të gjejmë një zgjidhje për problemet me kujtesën nga Nëna Natyrë. Më poshtë do të listojmë disa nga ushqimet që forcojnë kujtesën.
- Rozmarina – përmban acid karnosik, që mbron trurin. Kjo bimë ndihmon për parandalimin e sëmundjeve të trurit, si alcajmeri. Disa njerëz madje mendojnë se vetëm aroma e rozmarinës mund të mprehë kujtesën.
- Avokadoja – Ky frut njihet për shërimin dhe parandalimin e disa sëmundjeve, për shkak të vlerave të tij ushqyese. Një anë pozitive e avokados është se lejon rrjedhjen e qetë të oksigjenit në tru, duke forcuar kujtesën dhe përmirësuar shëndetin e trurit. Me një mendje të shëndoshë, ju nuk do të vuani më nga harresa.
- Peshku – Llojet e ndryshme të peshqve, si skumbria, salmoni, trofta, ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës. Ata janë të pasur me acide yndyrore omega 3, sidomos me acidin DHA, të cilët janë të mirë për zemrën dhe trurin.
- Molla – Është mirë që ta hani mollën pa e qëruar, pasi lëkura e mollës përmban një sasi të madhe të kuercetinës, një lloj antioksiduesi që ndihmon në parandalimin e sëmundjes së alcajmerit. Përveç kësaj, molla e kuqe është më e mirë se molla jeshile në forcimin e kujtesës, duke qenë se përmban antocianinë (një flavonoid në ngjyrë të kuqe, blu dhe vjollcë që gjendet tek bimët).
- Çokollata – çokollata e zezë është e pasur me antioksidantë, të cilët janë të mirë jo vetëm për zemrën, por edhe për trurin. Ndërsa çokollata e bardhë ndihmon në rritjen e përqendrimit dhe kujtesës.
- Boronicat- janë të pasur gjithashtu me antioksidantë, që mbrojnë trurin nga goditjet e ndryshme që mund të vijnë nga stresi. Boronicat përmirësojnë funksionet njohëse, si arsyetimi, marrja e vendimeve, të kuptuarit verbal etj. Ato ndihmojnë gjithashtu në komunikimin midis neuroneve.
Shqipëroi për “Shëndet+”: Blertina Koka


