Të gjithë e kemi dëgjuar thënien “e qeshura është ilaçi më i mirë.” Megjithatë, shumë pak nga ne i dinë përfitimet shëndetësore që sjell e qeshura. Sensi i mirë i humorit dhe e qeshura janë të dobishme për shëndetin tuaj nga ana fizike, emocionale dhe shoqërore. Më poshtë do të gjeni disa nga arsyet pse duhet të jeni më të qeshur:
E qeshura përmirëson shëndetin emocional – E qeshura dhe humori aktivizojnë qendrat e shpërblimit dhe emocionale të trurit, duke lëshuar dopaminë (ndihmon trurin të përpunojë përgjigjet emocionale dhe të përmirësojë përjetimin e kënaqësisë) serotoninë (ndryshon humorin) dhe endorfinë (ul dhimbjen dhe stresin, dhe nxit euforinë).
Luan rol thelbësor në bashkëveprimin shoqëror – E qeshura luan rol të rëndësishëm në bisedimet mes njerëzve, si dhe lehtëson lidhjet shoqërore midis individëve. Sensi i humorit është çelësi i tërheqjes dhe komunikimit ndërpersonal. Një sens humori i shëndetshëm, lidh miqtë dhe familjen, dhe përforcon identitetin e grupit.
Ju bën më tërheqës – Studimet kanë treguar se njerëzit me sens humori janë më tëheqës. Meshkujt i tërheqin femrat që qeshin me shakatë e tyre. Ai ju bën të ndiheni më rehat kur mblidheni me shoqërinë, si nëpër festa, dhe ju lejon të zgjeroni rrethin shoqëror. Thuhet gjithashtu se sensi i humorit në një intervistë pune rrit mundësitë për ta fituar vendin e punës.
Ul nivelin e ankthit dhe stresit – Humori përshkruhet si element i elasticitetit dhe ju lejon që problemet e përditshme t’i kaloni në plan të dytë. Ai rrit aftësitë për të përballuar situatat e vështira, si dhe ju bën të shikoni anën pozitive të gjërave.
Ndihmon në sistemin e frymëmarrjes – E qeshura është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë në rregullimin e frymëmarrjes dhe pastrimin e mushkërive. Ajo rrit menjëherë rrahjet e zemrës dhe shpejton frymëmarrjen. Me fjalë të tjera, e qeshura ju lejon të merrni frymë thellë, duke përmirësuar kështu frymëmarrjen, veçanërisht për ata që kanë probleme me të.
E qeshura lidhet me funksionimin e shëndetshëm të enëve të gjakut – E qeshura sjell zgjerimin e indeve që formojnë shtresën e brendshme të enëve të gjakut, duke rritur kështu qarkullimin e gjakut.
Forcon sistemin imunitar – Situatat stresuese në jetën e përditshme rrisin rrezikun e sëmundjeve infektuese dhe ato të zemrës. Sensi i humorit parandalon stresin të prekë sistemin imunitar, duke ju mbrojtur nga shumë sëmundje.
Përshtati për “Shëndet+”: Blertina Koka/ Burimi: Idea Digezt


