Bisedoi: Denisa Canameti
Etelina Nikolla është imazhi i mëngjesit në “Ora News”. Vajza e ëmbël që shoqëron shqiptarët për disa orë është po njësoj edhe përtej ekranit. Kërkesës për një intervistë për lexuesin e “Shëndet Plus” Etelina i përgjigjet me shumë pozitivitet. Në brendësi të intervistës ajo tregon për raportin me mjekun, sekretin e të qenit në formë, marrëdhënien me gatimin etj. Etelina është një vajzë e angazhuar jo vetëm me punën në ekran, ajo gjithashtu drejton një biznes të sajin, ndjek studimet, si dhe nuk harron të përmendë rolin e saj si bashkëshorte dhe si nënë.
Etelina, sa vlen për ju shprehja “shëndeti mbi të gjitha”?
Vlen, madje shumë, sepse kur ke shëndet, je në gjendje të punosh më mirë dhe ta bësh jetën më të mirë. Ne punojmë për të jetuar mirë dhe shëndetshëm. Kujdesemi për shëndetin në mënyrë që të punojmë sa më mirë e sa më shumë. Pra në njëfarë mënyrë gjërat janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën.
Mëngjeset i ndani me publikun, cili është sekreti i të qenit gjithmonë në formë?
Vërtet ashtu dukem? Sa mirë më vjen që e thonë. Në fakt, asnjë gjë për të lënë mendjen (qesh). Thjesht jetoj mirë, rrethuar me njerëz të mirë e të bukur dhe ndihem e plotësuar. Mbase kjo më bën të jem në formë. Palestër nuk bëj fatkeqësisht se koha aq e çmuar më mungon shumë. Por thashë kam këto gjërat e tjera që më plotësojnë shumë, familja, puna, miqtë…
Cili është raporti me mjekun dhe me cilin prej tyre i keni marrëdhëniet më të mira?
Me mjekun mirë, faleminderit (qesh). Kam disa mikesha mjeke të fushave të ndryshme me të cilat ndaj raporte të shkëlqyera. Mund të them që me dermatologen time kam marrëdhënie super. Pastaj me dentistin apo mjekë të tjerë në të cilin shkojmë një herë në 6 muaj, marrëdhënie korrekte e të mira.
Çfarë jua zbukuron ditën?
Frensi, ime bijë, së pari. Fle dhe zgjohem për të. Por edhe bashkëshorti, prindërit, puna në televizion e cila është dashuri më vete, biznesi që kam, shërbimi ndaj klientëve, shkolla, drejtimi master që po ndjek. Nëse njeriu do ka shumë arsye që e zbukurojnë jetën, mjafton të jemi aty për këto arsye dhe çdo gjë është dhe bëhet më e mirë.
Me një kalim të shpejtë në profilin tuaj në “Facebook”, herë pas here postohen foto pjatash shumë të mira, tregues ky i një pasioni për të ngrënët, apo pasion për gatimin?
Ato pjata që keni parë janë të gatuara nga stafi i “Sapori del Mare”, restorantit tim. Dhe, në fakt, është mëkat nëse nuk i publikon ato foto, sepse janë super të shijshme e të shëndetshme. Kush nuk do ta donte një levrek të egër karpaço, i cili të bën edhe mirë për shëndetin edhe është i shijshëm. Pra, thashë pasioni për gatimin, sidomos Mariusin, tim shoq, ka bërë që edhe drejtimi i bizneseve tona të lidhet me gatimin….
A keni sakrifikuar ndonjëherë për të qenë në formë? Si ju duket kjo tendencë e të rinjve për të mbajtur dieta drastike, për të qenë të palestruar etj., duke i kthyer këto aktivitete në përparësi?
Jo, nuk kam sakrifikuar, prandaj sot jam e mbushur, dhe jo në peshën ideale (qesh). Por jo, thashë që nuk jam për dieta drastike, thjesht për të disiplinuar stomakun e për ta bërë me rregull edhe ushqyerjen, edhe aktivitetin fizik.
Të është dashur të shkosh në spitalet tonë shtetërore qoftë në rolin e pacientit apo të shoqëruesit? Çfarë vlerësimi do të jepje për mjekët?
Po, kam shkuar në spital. Si shoqëruese me shumë dhe më vjen keq të them që gjendja është skandaloze, nuk e mohon dot askush të vërtetën, sepse është dicka që duket, preket. Është e pafalshme në shekullin ku jetojmë dhe në pozicionin gjeografik, pra në Evropë ku jemi, të mos ketë as garza në spital, për të mos folur pastaj për vigon apo për medikamente. Këtu unë bëhem pesimiste e më kap dëshira të largohem nga ky vend. Një shtet i cili nuk garanton dot shëndetësi në kushte minimale për qytetarët e vet, nuk mund të bëjë dot gjëra më të mëdha. Megjithatë, kam shpresë se gjërat do të rregullohen. Kurse për mjekët kam vlerësim pozitiv, përkushtohen, dhe nuk dua të ndalem në raste sporadike, sepse edhe mua si shumë të tjerëve besoj nga ka ndodhur që të ndeshemi me mjekë më pak të përgjegjshëm. Por me pak durim, kalohen.
Cila është gjëja më e shtrenjtë?
Familja, pa diskutim, pastaj vijnë të tjerat. Falënderoj Zotin për këdo dhe gjithçka që kam.
Çfarë është lumturi për ty?
Kur qesh Frensi, Mariusi, prindërit dhe njerëzit që dua. Kur njerëzit qeshin dhe i janë mirënjohës Zotit për ato që u ka dhuruar. E unë kaq dua, me Zotin pranë.
Një këshillë shëndetësore për lexuesit e “Shëndet+”
Mos iu ndani “Shëndet Plusit”, sepse mësoni shumë. Nëse nuk keni mundësi të shkoni të mjeku, kjo gazetë është në njëfarë mënyrë mjeku në familjen tuaj. Edhe diçka: “Shëndeti mbi të gjitha!”
(Intervista e plotë u botua në gazetën “Shëndet+”)




