Eriola Çuko
Recetat me rimbursim janë rritur me 500 mijë, vetëm gjatë vitit 2013, duke arritur në 4.2 milion receta të rimbursueshme në vit.
Nga ana tjetër, kjo nuk ka sjellë një efikasitet më të lartë në cilësi shërbimi për disa tregues, krahasuar me vendet e rajonit. Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, dr. Astrit Beci, thotë se për këtë arsye fokusi këtë vit do të vihet te ofrimi i shërbimeve me cilësi, përmes kostove të matura drejt.
Sipas të dhënave nga Fondi (Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), diagnozat kronike të trajtuara me recetë të rimbursuar më shumë janë hipertensioni, diabeti mellitus, glaucoma, etj. Kështu, të dhenat tregojnë se hipertensioni zë 23 % të rimbursimit total të sëmundshmërise kronike, që paraqitet në të njëjtin nivel me vitin 2012. Diabeti Mellitus zë 19 % të rimbursimit total të sëmundshëmrisë kronike, me një rritje prej 3 % krahasuar me 2012, glaucoma zë 5 % të rimbursimit total me 1 % rritje krahasaur me vitin aparaardhës, dhe epilepsia, 4 % të rimbursimit të sëmundshmërisë kronike, me një rritje prej 0.1 % krahasuar me 2012.
Ndërkohë, kategoria pensionistë zë peshën më të madhe në rimbursim, me 45 % të totalit dhe rritje me 8% të shpenzimeve krahasuar me 2012.



