Depozitat e ujit, burim infeksionesh

Amarildo Lumani

Instituti i Shëndetit Publik pas monitorimeve që ka bërë në qytetin e Tiranës ka dalë në përfundimin që depozitat e ujit janë shumë të papastra. Zaira Poga, specialiste në ISHP, shpjegon për “Shëndet+” se depozitat e familjeve kanë qenë në gjendje shumë të keqe, madje ka pasur raste që kishin edhe 15 vjet pa i pastruar. Poga ngre shqetësimin edhe për depozitat e lokaleve në Tiranë, të cilët po ashtu nuk tregojnë kujdes për pastërtinë e depozitave. Sipas saj, rrezikojnë marrjen e hepatitit A dhe shumë infeksioneve të tjera.

Zaira Poga (1)Zonja Poga, çfarë rezultatesh kanë dalë nga monitorimi juaj për depozitat e ujit?

Monitorimi i ujit të pijshëm realizohet çdo ditë nga drejtoritë rajonale te shëndetit publik në pika të caktuara të rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm me qëllim ruajtjen e cilësisë së ujit të pijshëm. Në rastet kur evidentohen probleme në lidhje me cilësinë e ujit merren masa për menjanimin e tyre. Problemi është që nuk ka garanci për cilësinë e ujit që mbetet tek depozitat e ujit të vendosura nga familjarët. Ne kemi bërë kontrolle dhe rezultatet kanë qenë shumë të habitshme. Ka p[asur familje që kishin 10 apo 15 vjet pa e pastruar depozitën. Kemi gjetur në disa familja baltë brenda depoztës e cila me kalimin e kohës ishte forcuar dhe ishte bërë si tullë.

Çfarë rreziku vjen nga papastërtia e këtyre depozitave?

Unë, së bashku me disa specialistë të Shëndetit Publik i tërheqim vëmendjen opinionit publik për pastrimin dhe dezinfektimin e depozitave vetjake të ujit, qofshin këto individuale apo kolektive. Nëse ato nuk pastrohen qytetarët rrezikojnë të konsumojnë ujë jo higjienikisht të pastër dhe si rrjedhojë të sëmuren apo të infektohen nga mikrobet e ndryshme të pranishme në depozitat e ujit. Mund të infektohen edhe nga hepatiti A. Ne si komb nuk jemi shumë të kujdesshëm ndaj higjienës, por të paktën për ujin e pijshëm duhet treguar kujdes pasi mund të marrësh gjithfarë sëmundjesh.

Nga kotrollet tuaja në qytetin e Tiranës, si ka qenë gjendja?

Shumë prej familjeve kanë pasur vite e vite të tëra pa i pastruar. Ka qenë shumë i vogël numri i familjeve që i pastronin të paktën një herë në vit. Depozitat e ujit që qëndrojnë në tarracat e pallateve, të cilat kanë shumë vite që nuk pastrohen dhe dezinfektohen nga familjarët përbëjnë vatra të rrezikshme infeksioni sepse ato përmbajnë dhera, papastërti dhe ngarkesa të tjera bakterologjike, të cilat rrezikojnë shëndetin e familjarëve. Uji në depozitat që nuk pastrohen, nuk mund të përdoret për pirje, sepse ndotja e cilësisë së ujit, si pasojë e mosmirëmbajtjes së depozitave të ujit, rrezikon të sjellë probleme shëndetësore që kanë të bëjnë me rrugët gastro-intestinale dhe deri në infektim nga Hepatiti A. Por për shkat të kushteve ekonomike shumë familje janë të detyruara që të konsumojnë këtë ujë për pirje. Të paktën duhet të pastrojnë depozitën.

Për të mos pasur probleme në lidhje me shëndetin për shkak të ujit që konsumohet nga depozita, rekomandohet që të paktën 2 herë në vit duhet të kryhet pastrimi dhe dezinfektimi i tyre.

Qytetarët: Nuk i pastrojmë shpesh, i kemi majë pallateve

Disa qytetarë të Tiranës të pyetur sa herë i pastrojnë depozitat, shprehen se i pastrojnë rrallë pasi nuk kanë mundësi. Sipas tyre gjitha depozitat janë në tarracat e pallateve dhe nuk kanë mundësi fizike ti pastrojnë shpesh. Zeneli, një pensionist, shprehet se atij nuk ka kush t’ia pastrojë depozitën. “Unë fëmijët i kam jashtë shtetit. Jetoj vetëm me plakën këtu. Unë jam 74 vjeç, plaka 72. Kush do na i pastrojë ne? Kur vijnë fëmijët mund ta pastrojnë ndonjëherë, por më shumë se një herë në vit apo një herë në dy vjet nuk e pastrojmë dot” thotë Zeneli. Ai thotë se është në dijeni të sëmundjeve që mund të vijnë nga papastërtia e depozitave por nuk ka se çfarë të bëjë. “Nuk e blejmë dot ujin përditë, aq pension marrim, jemi të detyruar të konsumojmë ujin e depozitave”.

Alberti, menaxheri i një bar kafe, gjithashtu thotë se nuk e pastron shpesh depozitën. Shkaku? Bie uji erë klori dhe nuk do që të largojë klientët. “Unë kam një bar kafe, dhe normalisht që do konsumohet shumë ujë. Por mundësitë për ta pastruar shpesh nuk i kam. Nëse pastroj depozitën, duhet ose të mbyll lokalin ose të largoj klientët, pasi nëse nuk u shërben ujë së bashku me kafen, njerëzit largohen. Në Tiranë ka aq shumë kafene saqë duhet t’u shërbesh sa më mirë klientëve, ndryshe largohen” thotë Alberti.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit