Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Larja e dhëmbëve rregullisht nuk është e mirë vetëm për higjienën e gojës, por ndihmon për të mbajtur kujtesën e mprehtë në moshë të vjetër. Një studim i fundit i kryer nga Kolegji Mbretëror në Londër dhe Universiteti i Southampton ka zbuluar se larja e dhëmbëve rregullisht mund të ulë zhvillimin e sëmundjes së alcajmerit me rritjen e moshës.
Sipas studiuesve, sëmundjet e mishrave të dhëmbëve ndikojnë në përkeqësimin e memories. Sëmundja periodontale, ose sëmundja e mishrave të dhëmbëve, është më e zakonshme tek të moshuarit, dhe mund të përkeqësohet nëse njerëzit nuk arrijnë të mbajnë higjienën e tyre orale.
Në studim u përfshinë 59 persona me sëmundjen e dementias, të cilët u monitoruan për gjashtë muaj. Personat që kishin probleme me mishrat e dhëmbëve në fillim të studimit ishin gjashtë herë më të rrezikuar të kishin probleme me kujtesën, në krahasim me personat e tjerë që kishin dhëmbë të shëndetshëm.
Megjithatë, studiuesit mendojnë se duhet të kryhen më tepër kërkime për të parë nëse ka lidhje mes sëmundjes peridiotionale dhe humbjes së kujtesës, dhe nëse rezulton e saktë, atëherë trajtimi për sëmundjen e dhëmbëve mund të jetë një opsion i mundshëm trajtimi për sëmundjen e alcajmerit.
Burimi: The Telegraph / https://shendeti.com.al/


