Pezullohet nga detyra drejtoresha e spitalit të Durrësit për shpërdorim detyre

Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtoreshën e spitalit rajonal, Ardjola Frashëri, e dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera”.spitali i durresit

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar veprimtarinë ekonomike të Spitalit Rajonal të Durrësit për periudhën 2013-2015. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, në të paktën 23 raste, drejtoresha Frashëri, si edhe ish-drejtori Taulant Baku, i cili gjithashtu është nën hetim, kanë urdhëruar kryerjen e prokurimit publik me procedurën e “Negocimit pa njoftim paraprak”. Në bazë të ligjit “Për prokurimin publik”, kjo procedurë aplikohet vetëm në raste emergjente. Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Durrësit, rezulton se prokurimet publike me negocim pa njoftim janë kryer në shkelje të ligjit, për faktin se nuk ka pasur asnjë arsyetim për kushtet e emergjencës.

Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Durrësit konsideron si shkelje ligjore procedurat e prokurimit publik për mallra dhe shërbime, si blerje nafte, shërbim kateringu, shërbim ruajtje civile, riparim pavionesh, blerje materiale pastrimi, si edhe për blerje medikamentesh dhe materialesh mjekësore.

Në vijim të hetimit, Prokuroria e Durrësit do të analizojë dëmin e shkaktuar nga procedurat e dyshuara si të zhvilluara në kundërshtim me ligjin. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik llogaritet në vlerën e rreth 70 milionë lekëve. Pasi ka marrë vendimin e gjykatës për pezullim nga detyra të drejtoreshës Ardjola Frashëri, Prokuroria e Durrësit ia ka dërguar për zbatim Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, për ish-drejtorin Taulant Baku, nuk është kërkuar masë ndaluese, për faktin se ai nuk është në funksion publik.

Burimi: Top Channel

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore