Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Një test i thjeshtë që monitoron lëvizjen e syve të fëmijëve mund të ndihmojë në diagnostifikimin e autizmit në moshë më të re seç ndodh zakonisht. Për momentin, është e vështirë të kuptosh nëse fëmija është i prekur nga autizmi apo ka probleme të tjera me zhvillimin.
Tani shkencëtarët kanë zbuluar një teknikë të re për të kuptuar nëse fëmija është autik. Fëmijët me autizëm thuhet se i shohin objektet ose detajet në foto dhe filma me më shumë vëmendje se njerëzit e tjerë.
Ekipi i shkencëtarëve nga Klinika Cleveland, në Ohajo, vëzhguan dy grupe fëmijësh të moshës nga tre deri në tetë vjeç. Gjatë studimit, fëmijëve iu shfaqën disa foto dhe video, dhe shkencëtarët i vëzhguan se ku përqendroheshin më shumë. Kjo teknikë nuk mund të provohet në shtëpi, por mund t’ju vijë në ndihmë ekspertëve që të diagnostifikojnë më herët çrregullimin ASD. Në këtë mënyrë ata mund ta trajtojnë më shpejtë këtë çrregullim dhe t’u japin fëmijëve mbështetjen për të cilën kanë nevojë.
Studimi i kryer nga një ekip shkencëtarësh të drejtuar nga Thomas Frazier është publikuar tek revista “American Academy of Child and Adolescent Psychiatry”.
Burimi: Metro.co.uk / https://shendeti.com.al/


