Bisedoi: Elena Beta
“Në kohëra të vështira, siç është kjo e jona, është shumë e lehtë të ankohesh për gjithçka dhe t’i kritikosh të gjithë, por është shumë e vështirë që t’i duash njerëzit. Unë kam zgjedhur që t’i dua”.
Ai është një nga shkrimtarët më në zë të momentit, autori i të famshmeve “Edith” , “Rebelimi i Lulusë”, “ Zonja Z” e shumë tekste e vargje të mbetura në kujtesën e të gjithë atyre që i kanë ndeshur.
Është pikërisht fjala për Albatros Rexhajn, një nga shkrimtarët më të lexuar e të pëlqyer nga të gjitha moshat e gjinitë. Ai vjen në fokus të rubrikës “Vip Shëndet” për të folur rreth një fushe “të ndryshme” nga ajo e tematikave të librave të tij.
Në këtë intervistë për gazetën “Shëndet+”, Albatrosi e njeh lexuesin me opinionet e tij mbi shëndetësinë në Shqipëri, marrëdhëniet që ka me mjekët, aftësitë në gatim, mënyrën e shëndetshme të të ushqyerit e shumë detaje të tjera interesante…
Një shprehje thotë: “Mendje e shëndetshme në trup të shëndetshëm”. Sa vlen kjo për ty?
Kjo shprehje, për mua, nënkupton një përpjekje të përhershme, por që po ashtu ma përkujton se jo çdo herë kam qenë i suksesshëm. Të shumtën e kohës jam treguar i pavëmendshëm, qoftë ndaj trupit, ashtu edhe ndaj mendjes sime, pasi që e kam ushqyer veten me idenë e rreme se jam imun ndaj të gjithave.
Muajve të fundit jam angazhuar shumë që ta ndryshoj qasjen time dhe të heq dorë nga shprehitë e këqija, por kjo është diçka shumë e vështirë, një sfidë që kërkon shumë disiplinë dhe shumë përkushtim. Tani kam më shumë kujdes që të mos e teproj me ushqimin, përpiqem që ta bëj sa më të larmishëm, bëj shumë ushtrime, si dhe kujdesem posaçërisht për shëndetin tim mendor. Ky i fundit është shumë me rëndësi për mua, sepse e ndiej se jam viktimë e stresit, madje të atij të të shumështresuar.
Njerëzit “ushqehen” me thëniet tuaja, me vargjet tuaja, ç’ndjesi ju përcjell kjo?
Kjo ma jep një ndjenjë të mirë, por këto ditë kam nevojë edhe unë të frymëzohem me diçka, pasi që jo rrallëherë edhe unë ndihem pa motiv, si dhe i zhgënjyer me ato që zhvillohen përreth meje. Artisti nuk është robot që prodhon mendime të bukura dhe as që ka mision që t’i bëjë të tjerët të ndihen më mirë. Ky detaj paraqet një keqkuptim shumë të madh, sepse shkrimtarët nuk kanë për detyrë të argëtojnë njerëzit apo t’i ushqejnë me ide relaksuese e të ngjashme, siç pretendojnë disa lexues, sidomos ata të botës virtuale. Shkrimtari ka obligim ndaj asaj që e ndien si të vërtetë brenda shpirtit të vet dhe ka obligim ndaj asaj të vërtete që shoqëria nuk do t’ia pranojë vetes. Dhe të gjithë e dimë se e vërteta rëndom është e dhimbshme.
Cila është marrëdhënia me mjekun? A kryen vizita mjekësore ashtu kot?
Jo. Përpiqem të jem doktor i vetes dhe te mjeku shkoj vetëm kur vërtet duhet të shkoj. E di se kjo nuk është mbase qasja e duhur, por kjo është e vërteta ime. Nuk gënjej nëse them se mjeku ma shkakton një ndjenjë ankthi, një tip frike të pashpjegueshme.
Po me dentistin ç’marrëdhënie ke?
Marrëdhënia ime me dentistin ka filluar që kur isha në klasë të gjashtë. Jam rrëzuar nga lartësia dhe kam dëmtuar nofullën. Është një raport i domosdoshëm dhe vërtet jam i lumtur që shkenca ka përparuar dhe trajtimet dentare nuk janë të sikletshme si më parë.
Ndodh të pish ilaçe pa sugjerimin e mjekut?
Vetëm ato që mund të blihen pa recetën e mjekut.
A mendon se shqiptarët kanë një edukatë shëndetësore?
Konsideroj se po, por disa gjëra zhvillohen me kohën si dhe janë peng i zhvillimit të përgjithshëm, si dhe i mirëqenies sociale. Ne sot kemi klinika të mira private, që në shumëçka më shumë iu ngjajnë hoteleve, por në mënyrë që të kemi një edukatë të përgjithshme shëndetësore, duhet të zhvillojmë sektorin publik të shëndetësisë, sepse aty zhvillohet beteja e vërtetë.
Di të gatuash?
Jam shumë i pasionuar pas kuzhinës dhe kam dëshirë të eksperimentoj, por jo çdo herë me sukses. Kur isha në shkollë të mesme kam marrë zanat në një qebaptore tradicionale të Prizrenit dhe që atëherë mishin di ta gatuaj mirë. Po ashtu më pëlqen të gatuaj gjëra që si përbërës të domosdoshëm kanë specin e kuq djegës. Pakkush e di, por speci i kuq djegës ndihmon në tretje më të mirë, metabolizëm më të shpejtë, si dhe pastron organet e stomakut.
Ndjek ndonjë rregull ushqyerje apo ha ç’të duash?
Përpiqem që të bëjë balancë në mes të proteinave dhe karbohidrateve, si dhe që të mos rri asnjëherë i uritur.
Së fundmi ishe pjesë e një formati kërcimi ku përveç talentit dhe zhdërvjelltësisë në lëvizje, u vu re se humbe disa kilogramë. Je rikthyer në peshën e mëparshme apo vazhdon me disa kile më pak?
Në asnjë mënyrë dhe do ta bëj të pamundurën që kjo të mos ndodhë kurrë. Pesha ime tani është 79-81 kg dhe synoj që ta mbaj. Kur fillova kërcimin, isha tip tërësisht antikërcim dhe antimuzikë, ndërkaq tani është e kundërta. Kërcej çdo ditë, si në shtëpi, palestër apo klube, pasi që në rastin tim kjo është treguar më e suksesshme sesa ushtrimet fizike në palestër fitnesi.
“Zonja Z” është suksesi juaj i fundit, në të cilin thuhet shumë për dashurinë. Çfarë është dashuria për ty?
Nuk kam ndonjë përgjigje për këtë pyetje dhe nuk besoj se mund të ketë një përgjigje të vetme. Te libri im “Edith” kam thënë se dashurinë nuk mund ta ndash nga jeta dhe as jetën nga dashuria, që do të thotë se nuk mund të gjesh përgjigje për pyetjen se çfarë është dashuria, pa gjetur përgjigje edhe për pyetjen se çfarë është jeta.
Sa e vështirë është t’i hysh në zemër lexuesit?
Nuk e di! Kur kjo gjë është qëllim në vetvete, supozoj se duhet të jetë diçka e vështirë, përderisa kur ndodh spontanisht, atëherë duket si diçka e lehtë.
Veçse si anatomi (që mund të përgjigjet mjeku), si funksionon ndryshe mendja dhe zemra njerëzore në pikëpamjen tuaj si krijues?
Për mua vazhdon të jetë mister, pse, për secilin nga ne, ndjesia e dhimbjes shpirtërore manifestohet si një presion që e ndiejmë pikërisht aty ku është e vendosur zemra. Mendoj se përgjigjja fshihet në botën ende të panjohur për ne, prej ku vjen edhe frymëzimi i çdo artisti.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”?
Flas nga përvoja tërësisht personale: kujdesi ndaj trupit tonë humb kuptimin atëherë kur nuk kujdesemi edhe për mendjen, edhe shpirtin tonë. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe ai fizik.
(Intervista e plotë u botua në numrin e datës 28 mars 2016 të gazetës “Shëndet+”)



