Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Erëzat njihen për aromën e tyre karakteristike dhe shijen që iu japin ushqimeve. Ata janë përdorur gjerësisht edhe në mjekësinë popullore si ilaç natyral. Më poshtë do të gjeni disa nga erëzat më të mira që përdoren për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kancerin.
Shafrani i Indisë – është një erëz që bën pjesë tek familja e xhenxhefilit. Kurkumina është përbërësi aktiv tek Shafrani i Indisë. Ky përbërës ka veti antioksiduese dhe antiinflamatore, duke parandaluar kështu zhvillimin e kancerit.
Përbërësit e Shafranit të Indisë janë përfshirë në disa studime për të parë nëse luajnë rol në parandalimin dhe trajtimin e këtyre llojeve të kancerit: të prostatës, gjirit, zorrës së trashë dhe lëkurës. (Lexoni – kush nuk duhet ta konsumojë Shafranin e Indisë)
Hudhra – është përdorur që në kohët e lashta si bimë mjekësore. Ajo është e pasur me përmbajtje të lartë sulfuri dhe është një burim i mirë i flavonoideve, selenit, argininës etj, të gjitha këto shumë të rëndësishme për shëndetin. Përbërësi aktiv i hudhrës, i quajtur allicin, i jep aromën karakteristike hudhrës.
Studime të ndryshme kanë sugjeruar se konsumimi i hudhrës ul rrezikun për t’u prekur nga kanceri i stomakut, i ezofagut, pankreasit, gjirit dhe zorrës së trashë. Hudhra mbron trupin nga kanceri nëpërmjet mekanizmave të ndryshme, si duke parandaluar infeksionet bakteriale dhe formimin e substancave që shkaktojnë kancer. Kjo erëz ndihmon në rritjen e sistemit imunitar dhe uljen e tensionit të gjakut. (Lexoni – 10 përfitimet që i sjell hudhra shëndetit)
Speci i kuq – përmban kaspaicin, një përbërës që mund të lehtësojë dhimbjet. Kur aplikohet në lëkurë, ai lëshon një përbërës kimik të quajtur substanca P, që lehtëson dhimbjet (duhet të keni kujdes pasi speci i kuq shkakton djegie kur është në kontakt me lëkurën).
Speci i kuq është gjithashtu i mirë për trajtimin e dhimbjeve neuropatike pas operacionit për kancer. Një tjetër përfitim i specit të kuq është se ndihmon me tretjen.
Kamomili – është përdorur për shekuj me radhë për trajtimin e problemeve të ndryshme. Ai lufton pagjumësinë (nëse keni probleme me gjumin, konsumoni çaj kamomili pak para se të shkoni në shtrat).
Kamomili gjithashtu është i mirë për parandalimin dhe trajtimin e pezmatimeve në gojë që formohen nga kimioterapia dhe terapia me rrezatim. Mjafton vetëm të bëni çajin me kamomil, lëreni të ftohet dhe më pas shpëlani gojën ose bëni gargare, sipas dëshirës. Të sëmurët me kancer duhet të konsultohen patjetër me onkologun para se të bëjnë një trajtim të tillë, pasi mund të bëjë reaksion gjatë kimioterapisë.
Çaji i kamomilit është gjithashtu i mirë për problemet me tretjen, duke përfshirë këtu edhe dhimbjet në stomak.
Mendër – Kjo erëz është përdorur për mijëra vite për lehtësimin e dhimbjeve në stomak, diarrenë, gazrat, problemet me tretjen, helmimin nga ushqimi etj. Mendra gjithashtu qetëson muskujt e stomakut dhe përmirëson rrjedhjen biliare, duke ndihmuar në kalimin e shpejtë të ushqimeve në stomak.
Nëse keni dhimbje apo probleme të tjera në stomak për shkak të trajtimeve që merrni për kancerin, mund të konsumoni çaj mendre (gjithmonë pasi të jeni konsultuar me parë me mjekun onkolog).
Mendra lehtëson gjithashtu dhimbjet e fytit, prandaj përdoret gjerësisht nga të sëmurët me kancer, të cilët kanë dhimbje në fyt për shkak të kimioterapisë.
Rozmarina – është një barishte që rritet në vendet mesdhetare. Për shkak të origjinës, rozmarina është përdorur gjerësisht në gatimet mesdhetare, sidomos në Itali është një nga përbërësit kryesor të gatimit. Rozmarina mund të përdoret për t’i shtuar aromën gjellës, salcës me domate, bukës, ushqime të pasura me proteina, biftekut dhe mishit të qengjit. Rozmarina mund të ndihmojë me detoksifikimin, tretjen, gazrat në stomak dhe mungesën e oreksit.
Xhenxhefili – është përdorur në mjekësinë popullore për të trajtuar sëmundje të ndryshme, duke filluar nga ftohja deri tek kapsllëku. Xhenxhefili mund të përdoret i freskët, si pluhur apo i sheqerosur.
Të sëmurët me kancer mund të konsumojnë xhenxhefilin nëse kanë të përziera gjatë kimioterapisë (gjithmonë pasi të konsultohen më parë me mjekun onkolog). Lexoni – Kush nuk duhet ta konsumojë xhenxhefilin.
Burimi: Dummies.com / https://shendeti.com.al/


