Denisa Canameti/Blertina Koka
“Me pak vonesë, por njerëzit po fillojnë të kuptojnë përgjegjësitë e institucionit dhe sidomos të atyre hienave që dalin përditë në televizione prej të paktën 10 vjetësh, me formulën vrasëse “në spital nuk mungon gjë”…”
Është ky reagimi i doktor Dritan Vasilit pas vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës për hetimin e drejtuesve në QSUT lidhur me vdekjen e të miturit Denis Almadhi në vitin 2012.
Sipas ResPublikës, Gjykata e Tiranës ka urdhëruar Prokurorinë e Rrethit Tiranë të nisë hetimet për përgjegjësinë e drejtuesve të QSUT-së për vdekjen e të miturit Denis Almadhi.
Vendimi ka ardhur pas një ankese të bërë nga prindërit e të ndjerit, të cilët më parë kishin marrë një përgjigje negative nga Prokuroria e Tiranës për kallëzimin e bërë prej tyre vitin e kaluar.
I mituri Alimadhi ndërroi jetë në muajin nëntor të vitit 2012, gjatë një operacioni estetik në Spitalin Francez, pranë QSUT-së në kryeqytet. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjehe kirurgjikale estetike për të korrigjuar rënien e kapakut të syrit. Ndërhyrja u bë nga dy mjekë irlandezë, Gerald Fahy dhe Kevin Clarkson, nën vëzhgimin edhe një të ekipi mjekësh shqiptarë nga stafi i spitalit. Gjatë ndërhyrjes pacienti pësoi hipertermi malinje si rezultat i reaksionit nga anestezia.
Ndërkohë për vdekjen e tij u shpall fajtor vetëm anestezisti Kevin Clarkson (shtetas irlandez), i cili u gjobit me masën 60.000 lekë. Duke qenë se nuk u hetua roli i funksionarëve të QSUT, prindërit e të ndjerit paraqitën një kallëzim penal ndaj tyre për shkak se ata kishin lejuar që shtetasit irlandezë të kryenin kirurgji pa u njohur më parë për aftësitë e tyre profesionale, pa u akredituar nga Urdhri i Mjekut, në kushtet kur nuk kishte një marrëveshje të vlefshme mes autoriteteve shqiptare për kryerjen e kësaj ndërhyrjeje, si dhe për shkak se salla e operacionit nuk ishte e pajisur me dantrolen, preparat i cili do të shpëtonte jetën të ndjerit.
Gjykata e pa të arsyeshme të urdhëronte nisjen e hetimeve për të dalë në një konkluzion që të mund të zbardhë të gjithë zinxhirin shkak-pasojë për ngjarjen, duke përfshirë të gjithë përgjegjësit.
Siç edhe shkruan doktor Vasili, “hienat” do të vendosen më në fund para ligjit.


