Një ngjarje tragjike ndodhi dje në festivalin e 46-të të këngës për fëmijë në Gjirokastër. Kompozitori i njohur Jorgo Roze, njëkohësisht edhe kryetari i jurisë së festivalit, humbi jetën në skenë fill pas dhënies së çmimit të tretë, pa arritur të ndajë çmimet e tjera. Shkak i vdekjes së artistit dyshohet një atak kardiak.
75-vjeçari ka dhënë shpirt në skenë, duke mos pasur asnjë mundësi shpëtimi nga ana e të pranishmëve në festival. Kjo ngjarje ka tronditur të gjithë publikun që po ndiqte festivalin, si dhe fëmijët e vegjël që po prisnin me padurim ndarjen e çmimeve.
Trupi i pajetë është çuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal “Omer Nishani”, ku u zyrtarizua edhe vdekja e kompozitorit.
Klarinetisti dhe muzikanti i talentuar Jorgo Roze, ishte njëri prej intelektualëve më të nderuar të fushës së artit e kulturës, modeli i intelektualit që me devotshmëri, përkushtim e ndjenjë të lartë profesionale, për dekada të tëra i shërbeu artit e kulturës në Gjirokastër.


