Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Marrja e një aspirine menjëherë pas një “ministroke” (goditje të vogël në tru) ul rrezikun për të pësuar një goditje më të madhe, thonë shkencëtarët. Pacientët rekomandohen që të marrin një dozë në ditë nga ky ilaç nëse shfaqin simptoma të kësaj sëmundjeje. Mjekët gjithashtu kanë konfirmuar se ky medikament ul rrezikun e një goditje më të madhe në tru me 80%.
Gjatë një studimi të kryer tek rreth 56 mijë njerëz, shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit zbuluan se pacientët mund të përmirësohen brenda pak javësh nëse marrin aspirina.
Sulmet ishemike kalimtare, ose goditjet e vogla në tru, prekin më shumë njerëzit mbi 60 vjeç dhe ndodhin kur ndërpritet furnizimi me gjak i trurit për një periudhë të shkurtër. Ato mund të çojnë në probleme më serioze, prandaj duhet menjëherë të vizitoheni tek mjeku dhe të merrni trajtimet e duhura.
Disa nga simptomat e goditjeve të vogla në tru janë mpirje të krahëve, këmbëve, fytyrës (sidomos në njërën anë të trupit), çrregullim i të folurit dhe pamundësi për të kuptuar të tjerët. Goditja në tru mund të shkaktojë gjithashtu probleme me shikimin tek njëri ose të dy sytë, humbje të baraspeshës ose kontrollit, humbje të menjëhershme të vetëdijes dhe dhimbje koke të menjëhershme pa asnjë shkak.
Sipas autorit kryesor të studimit, profesor Peter Rothwell, ky studim i fundit konfirmon se aspirina është medikamenti më i mirë për trajtimin e goditjeve të vogla në tru dhe uljen e rrezikut për përsëritjen e tyre.
Ky studim tregon gjithashtu se mjekët duhet t’u japin menjëherë pacientëve aspirina nëse dyshohet për një goditje në tru, në vend që të presin për kontrollin nga specialistët apo ekzaminime të tjera.
Çdo vit, rreth 46 mijë njerëz në Britani vuajnë nga sulmet ishemike kalimtare. 1 në 20 njerëz pëson një goditje më të madhe në tru brenda dy ditësh, dhe ky numër rritet në 1 në 12 brenda javës.
Njerëzit presin zakonisht një javë ose më shumë për t’u vizituar tek mjeku pas sulmit ishemik, ose ka raste që nuk shkojnë fare tek doktori, duke rrezikuar kështu që të pësojnë një sulm serioz në tru.
Prezantuesi i BBC-së, Andrew Marr, 56 vjeç, është prekur nga dy goditje të vogla në tru, para se të pësonte goditjen e madhe. “Isha një nga mijëra njerëzit që i nënvlerësonin shenjat paralajmëruese, thjesht nga injoranca”, tregon ai.
Aspirina u jepet aktualisht njerëzve që kanë pësuar një goditje të vogël në tru, për të parandaluar përsëritjen e tij. Në këtë rast rreziku i përsëritjes ulet me 15%.
“Pas një sulmi ishemik kalimtar ose goditjeje të vogël në tru, rreziku për të pësuar një goditje më të madhe është shumë i lartë, rreth 1000 herë më i lartë, por vetëm për pak ditë”, shpjegon profesor Rothwell.
“Ne e kemi ditur më parë që trajtimet mjekësore urgjente me një “përzierje” të ilaçeve të ndryshme mund të ulë rrezikun e një goditjeje njëjavore në tru nga 10% në rreth 2%, por nuk e dinim se cili ilaç i kësaj “përzierjeje” ishte më i rëndësishmi.
“Një nga trajtimet që kemi përdorur, ka qenë aspirina, por dimë nga testet e tjera se përfitimet afatgjatë të aspirinës për parandalimin e goditjeve në tru janë relativisht modeste. Dyshonim që përfitimet e para mund të ishin kaq të mira”.
Dr. Dale Webb, drejtuesi i kërkimit dhe informacionit tek Shoqata e Goditjeve në Tru, thotë se marrja e një aspirine sa më shpejt të jetë e mundur, mund të shpëtojë jetë.
Ai shton: “Sulmi ishemik kalimtar është një emergjencë mjekësore, prandaj kërkohet një kontroll urgjent neurologjik.
“Ne e kemi mirëpritur këtë studim që tregon se marrja e aspirinës menjëherë pas një sulmi ishemik kalimtar mund të ulë në mënyrë dramatike rrezikun për përsëritjen e një tjetër goditjeje në tru.
“Ky studim sugjeron se kushdo që shfaq simptoma të goditjes në tru, mund të marrë një dozë me 300 mg aspirinë”. Studimi është publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”. / Marrë nga: The Sun


