Bisedoi: Elena Beta
Ai njihet si publicist, shkrimtar, e analist. Ka edhe nga ata që e identifikojnë thjesht me “Dashuri në Kosovë”, “Zemra flet në heshtje”, “Enigma e dhimbjes” apo shprehjet e ndryshme që mbajnë firmën e tij, të cilat qarkullojnë jo rrallë nëpër rrjetet sociale e për shumë prej nesh janë “ushqim për shpirtin”. Është fjala për Artan Mullaj, i cili në fokus të rubrikës “Vip-shëndet” të gazetës “Shëndet+” ka zgjedhur të flasë rreth botës të brendshme të një shkrimtari, sa kujdeset ai për shëndetin, çfarë e frymëzon dhe i jep forcë për të vazhduar rrugën e vështirë të krijimtarisë. Në rreshtat e përgjigjeve, ashtu si “pa dashur”, ai jep mesazhe të rëndësishme për të gjithë ata që janë mbështetja e tij më e madhe… lexuesit!
Çfarë është shëndeti për një shkrimtar?
Nuk mendoj se njerëzit që shkruajnë, kanë arsye ta përkufizojnë ndryshe nga të tjerët shëndetin, i cili ka një vlerë konstante për të gjithë. Shëndeti është një gjendje fiziko-psikologjike, e kundërta e së cilës është frika, që buron sistematikisht nga rreziku i shfaqjes së sëmundjeve, e cila të privon nga e drejta për të vepruar në liri të plotë. Fakti që gjatë jetës, sëmundje të ndryshme kërcënojnë vazhdimisht normalitetin, synimet, misionin e ndonjëherë edhe ekzistencën e gjithkujt, e ngre natyrshëm shëndetin, sa i takon rëndësisë, mbi gjithçka tjetër.
Si i ka marrëdhëniet me mjekun një shkrimtar i suksesshëm? Bëni shpesh vizita mjekësore?
Nuk e di sa zhgënjyese mund të jetë, por unë vetë aspak. Jo se nuk kam besim të mjekësia në përgjithësi, e aq më pak, jo për shkak se guxoj apo trembem prej sëmundjeve më shumë se të tjerët, aq sa të shkoj sistematikisht te mjeku apo t’i nënshtrohem analizave.
Nuk jam kundër, por mendoj natyrshëm se më e mirë se kontrollet periodike, është të kultivosh në vetvete një kulturë patologjike, duke zbatuar vullnetshëm disa rregulla universale të shëndetit. E thënë ndryshe, të bëhesh mjek i vetvetes, duke njohur, vlerësuar, lexuar e respektuar trupin tënd, organizmin. Unë kam zgjedhur të jetoj thjesht, por shëndetshëm: Vrapoj çdo ditë rreth 5 km, nuk jam duhanpirës dhe nuk pi alkool, konsumoj shumë rrallë mish, ëmbëlsira, ushqime të përpunuara. Njëherësh vlerësoj shëndetin tim mendor. Si çdo artist, unë jam një person i ndjeshëm, por kujdesem të mos i jap udhë emocioneve të forta, që lodhin zemrën dhe dobësojnë nervat. Dashuroj, buzëqesh, përpiqem, përballem. Nuk i lejoj mendimet, që më ndjekin si ushtri nga pas gjithë kohës, të më vrasin. Si e bëj? Stërvis vullnetshëm nëndijen time, duke injektuar në të pozitivitet (ka ushtrime për të realizuar këtë gjë) dhe ajo ma shpërblen instinktivisht në situata më pas, ku nevojitet gjakftohtësi, kurajo dhe shumë siguri në vetvete. Këto që përmenda e të tjera si këto, janë ilaçet më të mira në botë për mua.
“Të jesh mirë” është krijimi i një rutine veprimesh të shëndetshme, shoqëruar nga ushqime të shëndetshme deri në krijimin e zakoneve të mira të shëndetshme, të cilat do të jenë përgjithmonë mbrojtësit më të mirë.
Një zakon, p.sh. është të pish ujë me limon në mëngjes para vrapit. Një zakon tjetër është përdorimi i ushqimeve të shëndetshme, i frutave, perimeve, apo tërheqja drejt dietave mesdhetare; zakon i mirë është të zgjohesh herët në mëngjes; të lëvizësh, të synosh, të duash. Kjo është një botë e veprimit, e angazhimeve, e marrjes pjesë. Duhet t’i bashkohesh dinamikës së saj. Duhet të bësh diçka në çdo kohë. Një jetë pasive fsheh gjithmonë rreziqe dhe surpriza negative për cilindo; të çon shume shpesh në laboratorë analizash dhe klinika mjekësore.
Thonë se krijimtaria të mban “peng” orë të gjata. Ju del koha të kujdeseni për trupin dhe ushqimin që konsumoni?
Nuk mendoj që krijimtaria të mban peng për orë të gjata. Jo për mua të paktën. Prej vitesh unë shkruaj mesatarisht 2-3orë në ditë. Nëse të lexojnë dhe të vlerësojnë, mjaftojnë. Dua të them që nuk është mungesa e kohës ajo që na privon të kujdesemi për trupin dhe shëndetin. Koha mjafton gjithmonë, vetëm nëse bën gjithmonë gjënë e duhur; gjëja e duhur, më e rëndësishmja, është kujdesi për veten, për shëndetin. Njerëzve nuk u mungon koha, por vullneti: njeriu është i prirë të zvarritet drejt lehtësirave dhe kënaqësive mediokre të çastit, që në shumicën e rasteve e dëmtojnë.
Dihet se gatimi është art më vete. A kanë talent në gatim shkrimtarët? Nëse po, cila është pjata juaj e preferuar?
Gatimi është një art që unë nuk e njoh, ashtu si, të themi, nuk njoh kërcimin (Kërcimi është një dinamikë e shkëlqyer, që duke munguar si dëshirë dhe aftësi tek unë, rreket të errësojë shkëlqimin e profesionit tim të shkrimtarit.) Përtej modestisë dhe përtej vlerësimit të sinqertë që kam për gatimin si art i bukur dhe i vështirë, në një masë të madhe jam mediokër në këtë fushë.
Por injoranca ime nuk është cilësuese, as përgjithësuese, pra as përjashtuese, që do të thotë se kam bindjen që mes shkrimtarëve vendas dhe të huaj, duhet të ketë si unë, që s’dinë të gatuajnë, por duhet të ketë edhe shefa të shkëlqyer, që dinë të gatuajnë, në ndonjë rast edhe më mirë se sa shkruajnë. Gjithsesi, unë jam një gjysmë vegjetarian, në kuptimin që jam në listën e atyre që besojnë se sa më thjesht, sa më pak dhe sa më varfër të ushqehesh, aq më mirë është.
Unë nuk mendoj se gatimi apo pasioni për sportin janë dy gjëra të përbashkëta shkrimtarësh mes zakoneve universale, të krijuara nga rutina specifike e jetës së tyre, por nuk kam arsye të jem i sigurtë edhe për të kundërtën. Unë besoj se rutina e një shkrimtari është shumë e ndryshme me atë të një tjetri. Ndoshta, stili i jetesës së një shkrimtari të caktuar, mund të jetë më afër stilit të jetesës së një juristi sesa të një shkrimtari tjetër.
Besoj se krijimtaria, si një proces intelektual, mund të këtë një rol në këto zakone, nëse rol mund të quhet një lloj moderimi, rrjedhoje e lehtësisë të të kuptuarit drejt të gjërave, por vetëm kaq.
Romani juaj i ri titullohet “Zemra flet në heshtje”. Mendoni se në situata të caktuara heshtja flet më shumë se fjalët?
Nëse flet zemra, po.
Dimë se ju keni talent edhe në pikturë. Sa lidhet piktura me letërsinë? Kush arrin t’i përcjellë publikut më shumë emocion?
Në analogji me Anton Çehovin, që ishte edhe mjek, kam thënë në intervista se realisht, piktura është “gruaja” ime, kurse letërsia “e dashura”. Me këtë analogji jam përpjekur të shpreh se cila nga këto më emocionon mua më shumë. Sa për publikun, më besoni, shijet e tij janë kaq të ndërlikuara, të paparashikueshme, imponuese, frymëzuese, por edhe frenuese, mbështetëse e shpesh të çuditshme, saqë e kam të vështirë të vlerësoj ç’lloj emocionesh janë ato që provokojnë sjelljen e tij në tërësi.
Si degë të ndryshme të artit, edhe pse në dukje nuk kanë asnjë lidhje, ato janë në harmoni të plotë kur aplikohen nga i njëjti autor. Plotësojnë njëra-tjetrën. Frymëzojnë dhe nuk xhelozojnë njëra-tjetrën.
Ju shkruani shpesh për dashurinë dhe për femrën. Mendoni se pa to bota nuk do të kishte kuptim?
Pa këto të dyja bota nuk do të ekzistonte!
“Dashuri në Kosovë” është një roman i bazuar në një histori të vërtetë, një rrëfim prekës ku bëhet fjalë për dashurinë mes dy të rinjve. Sa e vështirë është të hedhësh në letër histori të jetuara, të cilat qëndrojnë mes imagjinatës dhe realitetit?
Nëse flitet për shkallë vështirësie në një krijim, kjo nuk ka të bëjë, mendoj unë, me faktin nëse fabula e veprës është një histori e vërtetë apo është një trillim letrar. Të shkruash është gjëja më e vështirë në botë. Sa për kureshtje, kam përshtypjen se opsionet, në këtë rast, sillen të ekuilibruara në proces. Bie fjala, kur fabula bazohet në një ngjarje të jetuar, autori e ka të lehtë vijimësinë dhe kompozimin e shkrimit, por e ka më të vështirë ta shoqërojë shkrimin me atë që unë quaj “aurorë shpërthyese e fantazisë”. Nuk e di por ndodh që plazmimet, idetë e reja dhe kurthet emocionale, që në fakt, lehtë edhe beftë, shoqërojnë zakonisht shkrimet e bazuara në trillim letrar, kanë një lloj ngrirje kur vepra bazohet në një histori të vërtetë strikte.
Kjo ndoshta ndodh sepse realiteti përplaset me fantazinë në mëndjen e shkrimtarit dhe shpesh ato konkurrojnë njëra- tjetrën. Në një trillim, fantazia ndihmon që vepra të fryhet natyrshëm me pasazhe filozofike, bazuar vetëm në përvojat e shkrimtarit, por krijohen vështirësi në kompozim dhe në vazhdimësinë e shkrimit.
E kundërta ndodh kur një histori të vërtetë autori përpiqet t’ia nënshtrojë ligjeve të letërsisë. Nëse isha i qartë, në të dyja rastet, krijimi ka vështirësi dhe favore, në varësi edhe të stilit dhe ritmit që ka çdo autor.
Një frazë juaja thotë: “Nuk mund të sfidosh pa besuar dhe pa dashuruar”. Si mendoni, sa i rëndësishëm është besimi në dashuri?
Aq sa kuptohet nga fraza. Dashuria, në njëfarë mënyrë, është shprehje e nivelit më të lartë të besimit mes dy njerëzve në një marrëdhënie. E thënë ndryshe, besimi, natyrisht edhe respekti, janë dy gjërat që e shndërrojnë dora-dorës një njohje apo një marrëdhënie në dashuri të mirëfilltë, sipas përkufizimit klasik që ne njohim.
Cila është mbështetja më e madhe në rrugën tuaj të krijimtarisë?
Unë jam një autor më një nivel të caktuar njohjeje, e cila më detyron, për shkak të komunikimit shpirtëror që kam krijuar me lexuesit e mi, t’i përgjigjem merituar vlerësimit të tyre. Vetëdija ime për detyrimin tim dhe për vlerësimin e tyre janë motivimi im për të vazhduar. Vlerësimi i publikut është mbështetja më e madhe për çdo artist në botë.
Përveçse shkrimtar dhe piktor, ju jeni edhe analist në shtypin shqiptar. Çfarë mendimi keni për sistemin shëndetësor në Shqipëri?
Unë kam jetuar për vite të tëra në perëndim dhe përpjekja ime për ta parë pozitivisht këtë sistem është si një përpjekje për të ndezur zjarrin në ujë. Krahasuar me atë që unë mendoj se duhet të jetë, për mua ky sistem është pranë “kiametit”. Të jem i sinqertë, nuk kam shumë informacion të detajuar edhe pse do duhej. I rri larg jo sepse nuk dua, por thjesht sepse nuk kam besim tek ky sistem.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”
Për lexuesit tuaj, ashtu si edhe për të gjithë ndjekësit e mi, unë përsëris gjithmonë: Mos shpërfillni kurrë thirrjet e zemrës. E mundimshme, por kjo është rruga ku duhet të shkoni. Më e mira, më e drejta, më e vërteta, më e sigurta. Ju jeni copëza energjie jetësore, të destinuara të digjeni për ketë gjë, për këtë rrugë, për këtë drejtim. Kjo është rruga e ëndrrave, përmbushja juaj, arsyeja pse ekzistoni, pse jeni thirrur, pse jeni këtu. Dhe në këtë rrugëtim, mos reshtni së ëndërruari, mos reshtni së shpresuari, mos ndaloni kurrë në besimin tuaj për asnjë arsye, sepse jeni në drejtimin e duhur.


