Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
“Nuk kam kohë t’i përkushtohem një çështje të padobishme, siç është kujdesi për trupin tim. Unë nuk bëj muzikë për sytë, por për veshët”.
Kështu është shprehur këngëtarja angleze me famë botërore, Adele, para disa vitesh. Pavarësisht deklaratës së saj, Adele është dobësuar shumë krahasuar me daljen e saj të parë në skenë në vitin 2008.
Vetëm këto muajt e fundit, këngëtarja ka humbur rreth 13 kg. Daily Mail ka zbuluar dietën sekrete që ka ndihmuar në transformimin e yllit ndërkombëtar.
Sipas Daily Mail, pas dobësimit të këngëtares qëndron dieta “sirtfood” dhe frekuentimi i palestrës. Kjo dietë, e rekomanduar nga trajneri Pete Geracimo, përfshin ushqime që përmbajnë polifenolë dhe aktivizojnë surteinet (proteina që rregullojnë metabolizmin në trup). Në këtë dietë përfshihen ushqime si lakër jeshile, luleshtrydhe, vaj ulliri, çokollatë e zezë, dhe pije si çaj jeshil, kafe, verë e kuqe dhe produkte të tjera bimore. Mishi nuk konsiderohet një ushqim “sirtfood”, megjithatë ekspertët e dietave e lejojnë konsumimin e tij.
Dieta “Sirtfood” ka një plan ushqyerje shumë strikte: Në javën e parë duhet të konsumoni vetëm 1000 kalori në ditë, duke bërë pjesë të ushqimeve tuaja 3 nga produktet e listës si vakte të plota dhe 3 përzierje me po këto produkte duke krijuar lëngje.
Javën tjetër, ju e rrisni dozën në 1500 kalori në ditë, por konsumoni vetëm 2 vakte me shumë përmbajtje të produkteve të listës dhe dy lëngje jeshile (me produkte jeshile).
Në vijimësi nuk ka ndonjë plan, pasi kjo dietë synon të kthehet në rutinë dhe të ndihmojë në rregullin e ushqyerjes së përditshme. Sekreti qëndron në faktin që ju bëni pjesë të ritualit tuaj të përditshëm ushqimor sa më shumë produkte nga lista “Sirtfood”.
Këngëtarja ka hequr gjithashtu dorë nga diçka shumë e rëndësishme nga dita e saj – çaji. “Dikur pija 10 filxhanë çaji në ditë, me dy sheqer secilin, kështu që merrja 20 bustina sheqer në ditë”, tregoi ajo për të përditshmen “The Sun”. “Tani nuk pi më dhe kam më shumë energji se më parë.”
Burimi: Woman’s Day / https://shendeti.com.al/


