Për disa njerëz, një filxhan kafe është i mjaftueshëm për t’i mbajtur zgjuar për orë të tëra. Për të tjerë, edhe dy kafe, një pije energjike dhe disa gota Coca-Cola nuk duket se bëjnë ndonjë ndryshim të madh.
“Ka njerëz që mund të pinë kafe edhe para gjumit dhe të flenë pa problem, ndërsa të tjerë qëndrojnë zgjuar duke parë orën”, thonë ekspertët. Por pse ndodh kjo?
Çfarë është kafeina?
Kafeina është substanca psikoaktive më e përdorur në botë. Çdo ditë konsumohen më shumë se dy miliardë filxhanë kafe, pa llogaritur pijet me gaz, pijet energjike, çokollatën, çamçakëzët dhe disa suplemente sportive që përmbajnë gjithashtu kafeinë.
Ajo mund të rrisë vigjilencën, të përmirësojë përqendrimin dhe të largojë përkohësisht ndjenjën e lodhjes. Megjithatë, në sasi të mëdha mund të shkaktojë dhimbje koke, dridhje, rrahje të shpejta të zemrës dhe probleme me gjumin.
Sipas ekspertëve, kafeina nuk i jep trupit energji shtesë. Ajo kryesisht maskon lodhjen.
Kjo ndodh sepse bllokon veprimin e adenozinës, një substancë që grumbullohet në tru gjatë ditës dhe kontribuon në ndjenjën e përgjumjes.
Pse kafeina ndikon ndryshe te secili?
Një nga faktorët kryesorë është koha që i duhet trupit për ta eliminuar kafeinën.
Pasi pihet kafeja, kafeina përthithet në qarkullimin e gjakut dhe arrin shpejt në tru. Në të njëjtën kohë, mëlçia fillon ta shpërbëjë atë përmes një enzime, përpara se të eliminohet nga organizmi përmes urinës.
Ky proces mund të zgjasë nga rreth gjashtë deri në 20 orë, në varësi të individit, shpjegon Dr. Marilyn Cornelis, profesore e asociuar e ushqyerjes në Northwestern University në Çikago.
Kjo do të thotë se një person mund të mos ndiejë menjëherë efektin e filxhanit të parë të kafesë. Por disa orë më vonë, kafeina mund të jetë ende në organizëm dhe një filxhan i dytë mund të shtojë efektet, duke shkaktuar edhe ankth ose nervozizëm.
Roli i gjenetikës
Shpejtësia me të cilën mëlçia përpunon kafeinën lidhet pjesërisht me një gjen të njohur si CYP1A2.
Studimet sugjerojnë se edhe prejardhja gjenetike mund të luajë një rol. Një studim i publikuar këtë vit gjeti se, mesatarisht, europianët dhe amerikano-jugorët kanë tendencë ta metabolizojnë kafeinën më shpejt.
Por ADN-ja nuk është faktori i vetëm.
Duhani, ilaçet dhe shtatzënia ndikojnë gjithashtu
Pirja e duhanit duket se e stimulon mëlçinë për ta shpërbërë kafeinën më shpejt, duke përshpejtuar procesin deri në rreth 65%. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse duhanpirësit priren të konsumojnë më shumë kafe.
Kur një person e lë duhanin, kafeja që më parë tolerohej lehtësisht mund të ndihet papritur shumë më e fortë.
Në anën tjetër, disa antibiotikë, pilula kontraceptive dhe barna të tjera me recetë mund ta ngadalësojnë eliminimin e kafeinës, duke bërë që ajo të qëndrojë më gjatë në organizëm.
E njëjta gjë mund të ndodhë gjatë shtatzënisë, kur ndryshimet hormonale ndikojnë në enzimën e mëlçisë që përpunon kafeinën.
Trupi krijon tolerancë ndaj kafesë
Një tjetër faktor është toleranca.
Personat që konsumojnë kafe rregullisht bëhen gradualisht më pak të ndjeshëm ndaj kafeinës, pasi organizmi përshtatet me praninë e saj.
Nëse një person ndalon së konsumuari kafe për disa javë, këto përshtatje fillojnë të zhbëhen. Për këtë arsye, filxhani i parë pas një periudhe pushimi mund të shkaktojë ndjesi shumë më të forta, si nervozizëm ose dridhje.
Sa kohë para gjumit duhet shmangur kafeja?
Studiuesit e gjumit shpesh rekomandojnë shmangien e kafeinës të paktën gjashtë orë para gjumit.
Psikologia dhe ekspertja e gjumit Dr. Lindsay Browning thotë se kafeina nuk ndikon vetëm në aftësinë për të fjetur, por mund të ndikojë edhe në cilësinë e gjumit.
Për një person që fle rreth orës 22:00, ajo sugjeron që kafeina të shmanget pas orës 14:00.
Megjithatë, ekspertja thekson se nuk ka një rregull universal që vlen për të gjithë, pasi mënyra se si trupi përpunon kafeinën ndryshon ndjeshëm nga një person te tjetri.
Po gjatë shtatzënisë?
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS) këshillon që gratë shtatzëna të konsumojnë më pak se 200 mg kafeinë në ditë, afërsisht sa dy filxhanë kafeje të filtruar.
Këshilla lidhet me studimet që kanë gjetur një lidhje mes konsumit të lartë të kafeinës dhe peshës së ulët në lindje, si edhe komplikacioneve të tjera.
Për të rriturit e tjerë, mesazhi kryesor është moderimi, pasi ndjeshmëria ndaj kafeinës ndryshon shumë.
A është kafeja e dëmshme?
Sipas ekspertëve, kafeina është relativisht e sigurt kur konsumohet në sasi të moderuara.
Mbidozat e rënda janë të rralla dhe rastet më serioze të helmimit zakonisht lidhen me produkte me kafeinë të përqendruar, ku mund të konsumohen disa gramë brenda pak minutash.
Për adhuruesit e kafesë ka edhe një lajm pozitiv: konsumi i moderuar i kafesë është lidhur në studime afatgjata me rezultate më të mira shëndetësore.
Studiuesit nuk mund të provojnë se kafeja është vetë shkaku i këtyre përfitimeve, por dekada kërkimesh kanë sugjeruar se personat që e konsumojnë në mënyrë të moderuar kanë rrezik më të ulët për disa sëmundje të rëndësishme dhe mund të kenë edhe një jetëgjatësi disi më të madhe krahasuar me ata që nuk pinë kafe.
Në fund, duket se pyetja nuk është thjesht “sa kafe pimë?”, por edhe “si e përpunon trupi ynë kafeinën?”.


