Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Vaji i ullirit nuk përdoret vetëm në kuzhinë, por edhe në mjekësi, farmaci apo për higjienën personale. Për shkak të përfitimeve të shumta që i sjell shëndetit, vaji i ullirit është quajtur ndryshe “mrekullia mesdhetare”. Më poshtë do të gjeni disa përdorime praktike të vajit të ullirit jashtë kuzhinës.
Për të hequr grimin
Produktet kozmetike që heqin grimin përmbajnë ingredientë, si alkool, minerale me bazë naftën apo aroma toksike, të cilët mund të dëmtojnë pjesët delikate përreth syve. Në vend të tyre mund të përdorni vaj ulliri, një produkt natyral që heq menjëherë grimin dhe nuk shkakton asnjë dëmtim. Mjafton të njomni pak pambuk me vaj ulliri dhe të fshini me të sytë. Përveçse do të heqë grimin, vaji i ullirit do të zbusë edhe lëkurën përreth syve dhe do të parandalojë rrudhat nëse e përdorni shpesh.
Për të hequr bojën nga duart dhe flokët
Nëse ju pëlqen të pikturoni, me siguri që bëheni gjithmonë me ngjyra. Për t’i larguar ato lehtësisht nga duart apo fytyra, mjafton të aplikoni pak vaj ulliri dhe më pas t’i lani me ujë të ftohtë.
Për të parandaluar formimin e dyllit në vesh
Nëse ju janë bllokuar veshët nga dylli, i pastroni ata me vaj ulliri organik. Merrni një pecetë, lageni me pak vaj ulliri (të ftohtë) dhe pastroni veshët me të. Vaji i ullirit do të zbusë dyllin dhe do ta bëjë më të lehtë daljen e tij nga veshët.
Për të pastruar mjetet e kopshtit
Pasi të keni hequr dheun nga mjetet e kopshtit, i pastroni ato me një copë të njomur me vajin e ullirit. Ky i fundit jo vetëm që do t’i bëjë ata të shndrijnë, por do t’i mbrojë edhe nga ndryshku.
Për të shndritur mobiliet
Mobiliet fillojnë të humbasin shkëlqimin me kalimin e viteve. Për t’i bërë ata sërish të shkëlqejnë, mund të përgatisni një lëng me vaj ulliri, uthull molle, lëng limoni dhe ujë, dhe të pastroni me të mobiliet.
Ju ndihmon kur depiloheni
Kur depiloheni apo rruani fytyrën, në vend të kremit mund të përdorni vajin e ullirit për të zbutur lëkurën dhe për të shmangur acarimet. Përdoreni atë në fytyrë, këmbë, kokë etj.
Burimi: Prevention Magazine / https://shendeti.com.al/


