Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Meshkujt e prekur nga kanceri i prostatës mund të ulin rrezikun e vdekjes me 1/3 nëse konsumojnë rregullisht fruta të thata, ka zbuluar një studim i ri.
Pesë racione në javë me çfarëdolloj fruti të thatë ul shkallën e vdekshmërisë me 34%, kanë zbuluar shkencëtarët. Ata kanë dalë në këtë përfundim pas një studimi afatgjatë tek personat që vuanin nga kanceri i prostatës.
Sëmundja prek 35 mijë meshkuj në vit në Britani, dhe vret rreth 10 mijë prej tyre. Studime të mëparshme kanë treguar se dieta e shëndetshme dhe mënyra e jetesës, duke përfshirë këtu edhe konsumimin e frutave të thata, kanë një efekt mbrojtës nga kanceri i prostatës. Në vitin 2014, shkencëtarët zbuluan se arrat në vetvete ulin rrezikun e prekjes nga tumori.
Ndërsa në studimin e fundit, të publikuar tek Revista Britanike e Kancerit, ekspertët nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, në Boston, analizuan të dhënat mjekësore të 47 mijë meshkujve gjatë një periudhe prej 26 vitesh. Nga këta meshkuj, 6800 prej tyre ishin prekur nga kanceri i prostatës.
Kur analizuan shkallën e vdekshmërisë, ata panë se personat që kishin konsumuar fruta të thata, sidomos kikirikë, të paktën 5 herë në javë, ishin 34% më pak të rrezikuar të vdisnin nga kanceri i prostatës, krahasuar me personat që kishin konsumuar fruta të thata vetëm një herë në muaj.
Frutat e thata janë të pasur me tokoferolë, një lloj vitamine E që, sipas shkencëtarëve, mund të luftojë kancerin.
Ata përmbajnë gjithashtu përbërës kimikë që kanë veti potenciale kundër kancerit. Studime të mëparshme kanë treguar se frutat e thata na mbrojnë nga sëmundjet në zemër dhe diabeti i tipit 2.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


