Denisa Canameti
Mungesa e ilaçeve është kryefjala për pacientët që përballen me tumoret. I tillë është edhe rasti i bashkëshortes së Hysni Zhulit, e cila prej një viti vazhdon të paraqitet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, e diagnostikuar me kancer gjiri.
Pas operacionit, bashkëshortja e Hysniut duhet të vazhdojë kimioterapinë. Herë pas here iu është dashur të blejë ilaçe, ndërsa është në fazat e para të kimioterapisë.
E pyetur për këto mungesa, QSUT jep vetëm përgjigjen: Krahasuar me vitin 2013, sasia e ilaçeve për të sëmurët është shtuar dhe disa prej të shtruarve zgjedhin të kurohen me ilaçet e tyre.
Rrëfimi i Hysni Zhulit
“Gjithçka nisi para një viti. Bashkëshortes filloi të shfaqej një gjendërr sa një kokërr. Fillimisht nuk ia vura veshin. As nuk doja ta shikoja gruan nëpër spitale. Por ama ndërkohë po shpresoja që ajo gjendër të mos rritej më shumë, sepse diçka kisha dëgjuar për këto kokrrat që u dalin grave në gjoks.
E vija re që kishte filluar të kishte dhimbje në kraharor, nganjëherë bllokohej, po i thoja “hajt se nuk ke gjë”. Kaluan rreth 2-3 muaj dhe vura re që ajo filloi të kishte më shumë shqetësime. Kështu që iu drejtuam spitalit të Gjirokastrës për të bërë analizat. Analizat nuk dolën shumë mirë dhe na thanë të vijmë në Tiranë, te spitali onkologjik.
Këtu na thanë që duhet hequr gjiri. U mërzita pak, por me veten se, nëse do ta kisha sjellë kur kokrra sa kishte nisur të zhvillohej, mund ta kishte kaluar ndryshe. Megjithatë, bëmë shumë analiza. Më pas bëmë operacionin. Deri këtu nuk është se shpenzuam shumë. I kemi përballuar.
Tani kemi nisur të bëjmë kimioterapitë dhe problemi fillon pikërisht tani. Medikamentet qenkan hall më vete. Që kur erdhëm për të bërë ciklet e kimioterapisë na kanë thënë që disa prej ilaçeve nuk gjenden në QSUT. Na thanë se duhet t’i blejmë vetë. Kemi pyetur pacientët e tjerë se si t’ia bëjmë dhe na kanë orientuar ata se ku duhet t’i blejmë.
A na dhanë faturë për ilaçet? As që bëhet fjalë. Shkojmë atje dhe e kërkojmë si të kërkojmë drogë, fshehurazi, sepse me sa dimë futen fshehurazi. Po edhe ne ku t’i gjejmë ndryshe? Kimioterapia duhet bërë.
Në krahasim me të tjerët, nuk kam shpenzuar shumë. Herën e fundit bleva 8.000 lekë citostatikë. Me një tarifë të tillë, edhe mund ta përballoj. Por nëse do të më duhet të blej sa herë vij këtu, do të bëhet e papërballueshme. Me sa kam dëgjuar, shumica i blejnë vetë ilaçet shumë të shtrenjta. Por unë nuk kam mundësi ekonomike për më shumë.
Hysni mban në dorë ilaçin “Adrimisin”, i cili është pa pullë, i blerë në një nga farmacitë ku e kanë adresuar të tjerët.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij është më e druajtur. Ajo ka frikë të flasë, sepse druhet se më pas mjekët nuk do ta kurojnë siç duhet. “Kam frikë se nëse flas mjekët nuk do të më presin më. Unë nuk kam gjë me mjekët, ata janë shumë të mirë. Na trajtojnë, na flasin mirë, s’kanë faj mjekët që nuk ka ilaçe”.
Përgjigjja qesharake e QSUT-së: Pacientët “zgjedhin” t’i blejnë vetë ilaçet
E pyetur lidhur me mungesat e ilaçeve në Spitalin Onkologjik, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk jep asnjë shpejgim, por ndërkohë thotë se sasia është më e madhe se në vitin 2013 (duke bërë kështu një krahasim me administratën e mëparshme).
Megjithëse ka tre vjet që është ndryshuar sistemi dhe tashmë drejtoria duhet të mbajë përgjegjësi për periudhën që ajo drejton, çdo përgjigje është e lidhur me kohën kur në pushtet ishte një sistem tjetër.
Ndërkohë, lidhur me përgjegjësinë e saj për ilaçet e blera nga vetë pacientët, përgjigjja e QSUT-së është vërtet e çuditshme teksa shprehet se “disa nga pacientët zgjedhin të trajtohen në spital me medikamentet e tyre të siguruara privatisht. Agjencia Kombëtare të Barnave dhe pajisjeve mjekësore është institucioni që lejon qarkullimin e barnave në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe monitoron cilësinë e barnave që tregtohen në sistemin shëndetësor publik dhe privat”.
Me këtë përgjigje, QSUT lë të kuptohet se blerja e ilaçeve nga pacientët është zgjedhje e tyre, dhe jo mungesë, ndërkohë që lidhur me ilaçet kontrabandë ajo ia kalon përgjegjësinë Qendrës së Kontrollit të Barnave, e cila duhet të monitorojë cilësinë.
QKKB: Ilaçet pa pullë përbëjnë rrezik
E kontaktuar lidhur me ilaçet kontrabandë që përdoren nga pacientët shqiptarë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave shprehet se “Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të ushtrojë kontrollet përkatëse për të bërë verifikimet e duhura”, ndërkohë që vazhdon se përsa i përket barnave të cilat janë blerë nga pacientët pa pullën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, “qytetarët duhet të marrin parasysh edhe rrezikun e përdorimit të tyre, pasi ato janë barna të pakontrolluara nga ana e autoritetit përkatës”.
Një përgjigje e tillë ia kalon sërish përgjegjësinë qytetarëve, ndërkohë që institucionet përgjegjëse, të cilat nuk sigurojnë barnat sipas ligjit thjesht kalojnë përgjegjësitë te njëra-tjetra.
(Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit “Investigim i abuzimeve për të sëmurët me kancer”, zbatuar nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.)



