Prishet sonda abdominale, pacientët e poliklinikës Nr.1 tre javë pa shërbim

Elona Tereziu / Gazeta “Shëndet+”

Pacientët e Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1  kanë tre javë që sorollaten pa marrë shërbim. Shkak është bërë prishja e sondës abdominale, çka ka bërë që puna të pezullohet për më shumë se tre javë.Poliklinika e Specialiteteve

Pas ankesave të mbërritura në redaksinë e gazetës “Shëndet+” nga pacientët, kontaktuam kryeinfermieren e kësaj qendre, Margarita Nikolla, e cila duke folur në lidhje me situatën tregon se vonesa të tilla vijnë si pasojë e keqfunksionimit të hallkave që ka i gjithë sistemi ynë shëndetësorë.

‘’Sonda ka thuajse tre javë që është prishur dhe duhet blerë e re. E gjithë vonesa po vjen nga Fondi. Ne i kemi bërë disa herë shkresa, i kemi thënë dhe që situata është emergjente se i sëmuri nuk pret, por drejtoresha e fondit ( Vjollca Braho) si duket është me leje. Tani si do i vete halli kësaj pune!?  Unë nuk e di pse është kaq e vështirë të ketë një zëvendësues titullarësh në institucione për raste të tilla!?

I kemi thënë dhe DRKSSH (Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor)  që të njoftojë Qendrën Shëndetësore Nr. 3 për kalimin e pacientëve tanë atje derisa të rregullohet situata, por akoma nuk e kanë çuar shkresën. Pacientët po më ankohen dhe kanë të drejtë se janë të sëmurë. Vijnë këtu nuk marrin shërbim, në spitale nuk i pranojnë, shkojnë tek Qendrorja, ata i kthejnë. Po marr vetë mjekët në telefon për raste urgjente, që të mos m’i kthejnë pacientët.

Ndërsa ekonomistja Odeta Kurti tregon se Sonda Abdominale, e cila do të blihet nga të ardhurat dytësore, shkon diku tek 5 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që procedurat ligjore mund të vonojnë edhe tre javë.

“I kemi kryer të gjitha procedurat ligjore për blerjen e një pajisje të re, por po presim përgjigjen e Fondit, sepse nuk mund të veprojmë vetë pa miratimin e tyre kur bëhet fjalë për shuma të tilla. Por drejtoresha është me leje, dhe nuk veprojmë dot’’.

E pyetur se dhe sa mund të zgjasë  një procedurë e tillë, na përgjigjet: “Po në qoftë se do firmosej sot, gjersa të hidhet në sistem, të aprovohet kërkesa, e llogarit dhe procedurat e tjera të blerjes, mund të shkojë diku tek tre javë minimumi që ta kemi”.

Në një situatë të tillë, pacientëve të Qendrës Shëndetësore Nr.1 u duhet të presin gjersa drejtoresha e Fondit të mbaroj pushimet, ose DRKSSH të aprovojë kalimin e pacientëve tek Poliklinika Qendrore. / https://shendeti.com.al/

 

 

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën