Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Marsela Aliaj
Shumë e shikojnë si një pjesë shumë të rëndësishme të fundjavave të tyre qëndrimin e tejzgjatur në shtrat, por doktorët kanë filluar të këshillojnë të kundërtën.
Kërkuesit nga “Karolinska Institute” në Suedi kanë arritur në përfundimin se zgjimi i vonë të shtunave dhe të dielave e ngatërron më shumë ritmin natyral të trupit dhe na bën të ndihemi më të lodhur.
Psikologia dhe shkencëtarja që merret me studimin e gjumit, Susanna Jernelov, thotë: “Kjo ndodh për shkak të ritmit natyral të trupit të njeriut. Në momentin kur ndryshon orarin e gjumit, trupit i shkaktohet një lodhje e njëjtë sikur të ketë bërë një udhëtim të gjatë me avion mdis zonave të ndryshme kohore. Nëse gjatë javës flini nga pak dhe përpiqeni t‘i plotësoni nevojat fiziologjike me gjumë gjatë gjithë fundjavës, jeni duke bërë rrëmujë ritmin tuaj natyral. Gjëja më e mirë është të mbani orare fikse të gjumit, megjithëse kjo nuk është e mundur me jetën e gjithë njerëzve”.
Këto përfundime të nxjerra nga kjo kërkuese janë mbështetur edhe nga shumë shkencëtarë të tjerë. Të gjithë janë të mendimit se duhet të zgjohesh dhe flesh çdo ditë në të njëjtën orë. Nuk duhet kurrsesi të flini vonë në fundjava. Nëse çoheni të shtunën në orën 12 të drekës, ritmit natyral do t’i duhet shumë kohë që të marrë veten dhe të fillojë të punojë normalisht. Edhe pse vjeshta dhe dimri janë edhe koha kur shumica e njerëzve kanë tendencat të flenë më shumë, kjo ishte dhe koha kur ishte më e rëndësishme të mbaje një ritëm konstant të gjumit.
Kjo nuk është hera e parë që mjekësia e kritikon zakonin e keq të gjumit në fundjavë. Një vit më parë një studim i publikuar në Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism lidhi gjumin në fundjava me një rrezik në rritje të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Kërkimet dëshmuan për një lidhje midis ndryshimit në gjumë me ndryshime në testet e gjakut të zhvilluara. U vu re një rritje e nivelit të triglicerideve, kurse nga ana tjetër niveli i kolesterolit të mirë u ul.
Personat të cilët gjatë studimit ndyshuan sjelljet e gjumit të tyre, ishin dhe më të prirur të fitonin peshë.
Burimi: Independent


