Një informacion konfidencial i siguruar nga HashtagAL, hedh dyshime mbi hetimet që pasuan vdekjen e gruas shtatzënë dy ditë më parë në Tiranë.
E ndjera Adia Çajku humbi jetën dhe fëmijën, ndërsa u paraqit dhe lëvizi në tre spitale të ndryshme, për të gjetur kurim.
Në fillim ajo u paraqit në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, ndërsa ishin tre mjekë roje, të cilët vlerësuan se ajo mund të kishte komplikacione me zemrën dhe përjashtuan një problem me shtatzëninë.
Më pas pacientja është transferuar në QSUT dhe pak më vonë tek Sanatoriumi. Dhe më pas mjekët e Sanatoriumit e kanë rikthyer sërish në maternitet, ku ka humbur dhe jetën.
HashtagAL siguroi një informacion konfidencial nga një burim i besueshëm brenda maternitetit “Koço Gliozheni”, i cili ofroi disa piketa orientuese, që sugjerojnë se ndalimi i dy mjekëve nga Prokuroria është i dyshimtë, ndërsa të dhënat orientojnë se ndalimi mund të jetë bërë për efekt të presionit nga opinionit publik dhe jo për shkak të ndonjë hetimi shterues.
Së pari, ndalimi i dy mjekëve ka ardhur para se të bëhej autopsia, e cila konsiderohet dhe origjina nga ku nis zbërthimi i ngjarjes.
Së dyti, janë ndaluar vetëm dy mjekë nga tre që ishin në turn në maternitet, ndërsa informacioni konfidencial i siguruar nga HashtagAL sugjeron se veprimi i prokurorisë mund të ketë qenë selektiv për shkak të lidhjeve politike të mjekes që Prokuroria nuk e ka ndaluar.
Së treti, në procedurën e trajtimit mjekësor janë përfshirë 3 spitale, por të ndaluarit janë vetëm nga materniteti.
Së katërti, nuk ka përfunduar ende zbardhja e plotë e gjithë procedurës së verifikimit/krahasimit të kartelave, procesverbaleve, komunikimeve, dispozicionit të të treja spitaleve dhe raporti përfundimtar i ekspertizës që zbërthen mënyrën si ka funksionuar secili spital dhe të tre ndërmjet tyre.
Më poshtë mund të lexoni informacionin që mbërriti në HashtagAL në lidhje me ngjarjen:
INFORMACIONI KONFIDENCIAL:
- Pacientja është paraqitur rreth orës 22.15 në maternitetin ‘Koço Gliozheni) dhe është pritur nga mjekja Nazime C., e cila ka pasur kontaktin e parë me familjarët dhe ka marrë mostrat e gjakut nga pacientja.
- Pasi është kryer vizita (për arsye të dhimbjes në pjesën e zemrës dhe mos-qëndrimin dot shtrirë, pacientja ka refuzuar të bëjë vizitën vaginale), por nga vizita e mjekëve-nëpërmjet kontrollit të barkut, është konstatuar se gruaja nuk ka qenë për të lindur dhe se simptomat nuk lidheshin me lindjen e fëmijës.
Cianoza e buzëve, gjendje e deboluar, të vjella dhe qëndrimi në një krah, me dhimbje, në zonën e zemrës, ka bërë që mjekët të përjashtojnë mundësinë e lindjes. Përpos kësaj, analizat e gjakut treguan se hemoglobina rreth vlerës 9 është normale për këtë moshë shtatzënie. Tensioni i gjakut ka qenë 9 me 6- normale për gratë në shtatzëni dhe pulsi rreth 100. - Nën këto kushte dhe në zbatim të protokollit të mjekëve me metodën e përjashtimit, është përjashtuar mundësia dhe rreziku i lindjes dhe janë hedhur dyshime për infarkt të miokardit, si referuar shenjave tipike të këtij të fundit. Me miratim të tre mjekëve, gruaja e cila ishte në gjendje të transportueshme, e shoqëruar me dokumentet përkatëse, një mjeke dhe specializantin, janë dërguar në QSUT.
Pasi është dorëzuar pacientja, ambulanca e maternitetit është kthyer mbrapsht. - Në orën 16:00 është rikthyer e njëjta paciente e konstatuar me hemorragji të brendshme dhe me nevojën për kirurgji, sipas dokumenteve të dorëzuar nga Sanatoriumi. Pacientja e ardhur ka qenë me maskë oksigjeni, në gjendje tepër të rënduar, tensioni 8 me 4, dhe pulsi rreth 120.
Pasi janë marrë masat e menjëhershme, i është bërë EKO, ku u ri-konstatua sikurse ardhur nga Sanatoriumi, gjendje e fetusit e vdekur. E njëjta gjë konstatohet edhe nga mjekët gjinekologë, të cilët me protokoll të firmosur nga të tre, ndërhyjnë për heqjen e fëmijës. - Kujtojmë se gjendja e fetusit në kohën e dërgimit në QSUT ka qenë shumë e mirë dhe me rrahje të rregullta.
- Në Sanatorium, sikurse dhe në QSUT, disponojnë skanera dhe kirurgë që janë përgjegjës për të kryer hapje të abdomenit.
- Sipas thënieve të familjarëve të pacientes ditën e ngjarjes, pacientja nuk ka ndjekur për të paktën 4-5 muajt e fundit shërbimet shëndetësore.
- Deri më tani janë ndaluar mjeku i parë dhe i tretë i ekipit të rojës në maternitet, kurse mjeku i dytë, znj. Nazime C., nuk rezulton e ndaluar. Sipas organizimit të turnit të rojës, kanë qenë mjek i parë dr. Helidon Klosi (i ndaluar), mjek i dytë dr. Nazime C. (e pa ndaluar) dhe mjek i tretë Dritan Deçka (i ndaluar).
Znj. Nazmie C. është njëkohësisht edhe bashkëshortja e kandidatit për deputet në PS-në e Dibrës, i cili ishte i treti në listën e PS-së.
Burimi: HashtagAL


