Rita Strakosha / Shendeti.com.al
Fieri është një ndër qytetet më të ndotura të Shqipërisë, në sajë të industrisë së rëndë dhe nxjerrëse. Në ambientet e Azotikut janë depozituar 1500 ton arsenik, një helm shumë i rrezikshëm. Lumi i Gjanicës, i cili vjen nga zona naftëmbajtëse e Ballshit, kalon përmes Fierit dhe sjell me vete mbetjet hidrokarbure të lëna nga nxjerrja dhe përpunimi i naftës.
Çdo mëngjes Fieri mbështillet nga era e hidrokarbureve. Një ndër fshatrat ku ndjehet më shumë ajri i ndotur është fshati “Rom, me mbi 1000 banorë, i vendosur pranë Uzinës së Azotikut. Pranë këtij fshati gjendet një rafineri nafte dhe një termocentral.
Kryeplaku i fshatit na tregon se ky fshat ka filluar të krijohet në vitet 40, kohë përpara se të ndërtoheshin uzinat pranë tij. Banorët kanë problem mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e kanalizimeve, ndotjen nga gazi që vjen nga termocentrali. Vetëm një vit më parë në fshat ka rënë epidemi verdhëze. Shumë banorë kanë probleme me veshkat, sepse uji është i papastër. Në dukje uji ka ngjyrë të turbullt, ka rërë. Kopshti i fshatit nuk ka ujë prej disa muajsh.
Një tubacion gazi është çarë para disa muajsh, dhe era e rëndë e gazit kundërmon në gjithë lagjen çdo ditë. Automjetet që kalojnë pranë këtij fshati, në qafën e Koshovicës, drejt jugut të Shqipërisë, ndjejnë erën kundërmuese të hidrokarbureve dhe squfurit, që nuk largohet as kur mbyllen xhamat.
Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, në një takim me banorët e fshatit (të cilët janë shumë energjikë, sidomos vajzat dhe nënat janë të bukura, të qeshura), ata tregojnë historitë e tyre të papunësisë, vështirësive në sigurimin e jetesës.
Më e moshuara në takim është Afërdita Alushi, 70 vjeçe, e bardhë, nga fshatrat e Vlorës, e martuar në rini me një djalë rom. Ajo di të shkruajë e të lexojë mirë, ndryshe nga shumë të rinj në takim, të cilët shkruajnë me vështirësi emrin e tyre. Afërdita na tregon me hollësi historinë e saj dhe problemet e fshatit. Në vitet kur Uzina e Azotikut ishte funksionale, zhurma në fshat ishte pothuaj e padurueshme. Në Fier nivelet e amoniakut në ajër ishin të larta.
Vdekshmëria e lartë e foshnjave ka nxitur dhe një kulturë të lindjeve të shumta në fshat. Në fshatin Rom, të rinjtë martohen shpejt. Vetë nipi i Afërditës është martuar 13 vjeç dhe në moshën 29-vjeçare ka 5 fëmijë. Por ai thotë se vajzën e vetë 12-vjeçare nuk do e martojë në moshë kaq të njomë, shkollimi është prioritet për të.
Banorët e këtij fshati jetojnë duke shitur mallra të përdorur, me bujqësi etj. Në takim kemi ardhur t’i ndërgjegjësojmë për kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës, por shqetësimi më i madh i tyre është varfëria, papunësia, mungesa e ujit të pijshëm, ndotja e ajrit.
Një komunitet tjetër që vizituam gjatë rrugëtimit tonë në Fier është ai i Sektor-Semanit. Në një takim me banorët e këtij komuniteti, mjekja e përgjithshme e zonës, dr. Anisa, na tregon se ka shumë fëmijë me çrregullime mendore në këtë zonë, si psh. me epilepsi, të lindur me prapambetje mendore etj.
Një nënë prezente në takim, me fëmijën epileptik, na tregon se fëmija ishte i shëndetshëm deri në moshën 1 vjeç kur u sëmur. Tani ajo dëshiron shumë të ketë mundësi ta çojë fëmijën në një qendër ditore, por fshati Sektor-Seman është larg nga qendra më e afërt ditore në Fier.
Përse vallë ka kaq shumë persona me çrregullime nervore në këtë fshat? Arsyet nuk i dimë, por sipas banorëve të zonës, këtu ka pasur mbetje, dhe ka qenë zonë e ndotur. Gjithashtu, banorët janë shumë të varfër, fëmijët të kequshyqer. Një pjesë e fshatit është komunitet rom.
Një ditë më vonë udhëtimi ynë na çon në fshatin Blerim, Fushë-Arrëz. Ky fshat është i vendosur mes maleve, me ujë kaq të pastër saqë një banor i zonës tregon se kur ishin bërë matjet mikrobiologjike të tij në Zvicër, matësi nuk e besonte që uji të mos ishte pastruar me filtër industrial. Në këtë zonë, ndryshe nga fshatrat e Fierit, duket se jetëgjatësia e banorëve është e lartë dhe nuk ka epidemi sëmundjesh infektive apo të zhvillimit të fëmijëve. Si për të na provuar këtë, rrugës së kthimit një bareshë rreth të 80-ave kalon pranë nesh me shkathtësi pas tufës së saj të kecave.
Efekti i ndotjes akumulohet gjatë viteve, madje dhe gjatë brezave, kur fëmijët dalin me probleme shëndetësore jo vetëm për shkak të ndotjes ndaj së cilës ekspozohen vetë, por dhe për shkak të ndotjes që ekspozohen prindërit e tyre.
Ka një mungesë të studimeve dhe ndërgjegjësimit për ndikimin e ndotjes në shëndetin e banorëve të Fierit. Historitë personale tregojnë se Fieri ka shkallë të lartë të neoplazive (tumoreve), por sa të lartë?
Mungesa e informacionit shton apatinë në përmirësimin e shëndetit publik në një ndër qytetet më industriale të Shqipërisë./ https://shendeti.com.al/


