Përgjigjja nga logopedisti Spiro Saqellari
Si shkak i këtyre defekteve, është gabimi mekanik që bëhet gjatë ekzekutimit të tingullit. Më saktë, gjuha shtrëngohet më shumë ose më pak sesa duhet, ndodh bllokimi i ajrit nga goja ose hunda, dhe ndodh manovrimi me anë të gjuhës në vend që të vihet në punë kurrizi i saj. Siç mund të jetë rasti i “t” për “k”.
Pra, pamundësia e muskulaturës buko-faciale për të kryer lëvizjen e duhur për kryerjen e saktë të shqiptimit të tingullit sjell defekte në keqshqiptim.
Rastet praktike kanë treguar gjithashtu se shkaqet mund të jenë edhe psiko-afektivë, çka do të thotë që fëmija refuzon të rritet dhe përkëdhelet me njerëzit që e rrethojnë, sidomos me nënën, gjë kjo e cila nuk është normale. Riedukimi në raste të tilla do të jetë psikoterapeutik i ndërthurur me atë logopedik.
Shkaqet mund të jenë edhe organikë, pra keqformime të strukturave anatomike të aparatit të folurit, si: qiellzë dhe buzëçarët, mbirje e çrregullt e dhëmbëve, nofulla e poshtme shumë e futur, gjuhë e kapur më shumë sesa duhet tek nofulla e poshtme e shumë probleme të tjera të cilat fillimisht kërkojnë ndërhyrje mjekësore e më pas riedukim logopedik.


