Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Ai njihet si një nga figurat më të dashura të “Pa limit”, që me batutat dhe humorin ka bërë për vetë një audiencë të gjerë. Roland Saro, prej 10 vitesh në skenën e teatrit, interpretues i disa roleve protagoniste si dhe pjesë e projekteve të regjisorëve më të spikatur, vjen si pjesë e rubrikës “Vip Shëndet” të gazetës “Shëndet+” duke folur më shumë rreth botës së tij të brendshme, si ia del të mbajë një regjim të mirë pavarësisht orëve të gjata të punës, cili është pasioni tjetër përveç aktrimit, si dhe ndan me lexuesit disa mendime të sinqerta lidhur me ardhmërinë e artistëve të rinj në tregun shqiptar. Këto dhe shumë përgjigje të tjera interesante mund t’i lexoni në intervistën e mëposhtme.
Roland, cili do të ishte përkufizimi yt për shëndetin?
Përkufizimi im për shëndetin është arritja e tre dimensioneve: trup, mendje, shpirt. Nëse dikush mendon për shëndetin trupor,mendor dhe shpirtëror si për një gjë të vetme, unë do ta përkufizoja si shëndetplotë.
Duke qenë se je tepër i angazhuar në orë të gjata xhirimesh, sa të del koha të ushqehesh si duhet?
Të them të drejtën orët e zgjatura të xhirimeve në rastet më të shumta të detyrojnë të ushqehesh jo siç do dhe jo siç duhet. Kështu që në raste të tilla përpiqem të konsumoj më shumë ujë për pastrimin e trupit.
Po rreth marrëdhënies me mjekun ç’ mund të thuash? Shkon për vizita sistematike apo vetëm kur ndjen ndonjë shqetësim?
Unë besoj verbërisht se ne jemi doktori më i mirë i vetes. Si rrjedhojë e këtij këndvështrimi, kam një marëdhënie shumë të ngushtë dhe intime me doktorin, domethënë me veten (qesh). Por në përgjithësi më ka rastisur të shkoj rrallë në spital.
Një aktor kaq i talentuar në skenë, a ka talent në kuzhinë? Cila është pjata që ti e “qan”?
Pasioni im i dytë përveç aktrimit, është gatimi dhe ushqyerja. Kjo jo për faktin se kam mbaruar gjimnazin për hoteleri – turizëm, por si çdo emigrant që ka jetuar vetëm jashtë vendit të tij, jeta e ka kushtëzuar të gatuajë për veten. Tani që kushtëzimi për mua ka kaluar, prania në kuzhinë dhe gatimi më është kthyer në pasion.
Pjata që e “qaj” modestisht, është çdo gjë, pasi më pëlqen që metaforikisht “të qaj çdo gjë”. Duke respektuar recetën dhe duke fantazuar mbi përshtatjen. Shkurt, më pëlqen të gatuaj për veten dhe të tjerët.
Sipas teje çfarë vlerash duhet të kesh që të quhesh artist, aktor i mirë?
Ka një ndryshim shumë të madh midis fjalës artist dhe fjalës aktor. Artisti ka dhuntinë për të bërë shumë gjëra në nivel të lartë profesional, të këndojë, të kërcejë, të aktrojë, të luajë muzikë dhe, mbi të gjitha, të jetë njeri. Ndërsa aktori është thjesht një interpretues dhe për të qenë një interpretues i vërtetë, detyrimisht që aktorit do t’i duhet të lexojë deri sa të ketë frymë.
Ti ke 10 vite në skenë, ku ke interpretuar role të shumta në premierat më në zë. Si mendon, me çfarë vështirësi përballet një artist në vendin tonë? Sa janë mundësitë që një talent të evidentohet dhe të ecë përpara?
Talenti është diçka instinktive, që pret vetëdijësimin e qenies për ekzistencën, përdorimin dhe shtytjen përpara të tij. Me këtë dua të them se një talent në çdo sistem social që të jetojë, do të bjerë në sy dhe do të ketë momentin e tij. Se sa dhe si do të bëjë karierë, kjo varet nga qëllimi i personit nga intelekti i tij dhe nga thirja e brendshme e talentit instinktiv, i cili nuk mund të dorëzohet përballë asgjëje. Nëse dorëzohet, unë besoj se kemi pasur të bëjmë më shumë me një siguri psikike se sa me një talent i cili ka rënjët në zemër dhe nuk mund të shkulet as nga forca e psikikës dhe as nga dështimet ekonomike që të ofron socialiteti.
Nëse do të të duhej të luaje rolin e një ministri Shëndetësie, çfarë do të ndryshoje në sistemin tonë shëndetësor?
Më vjen keq por kësaj pyetjeje nuk më pëlqen t’i përgjigjem, sepse nuk do të doja në asnjë moment të isha ministër Shëndetësie. Thjesht për faktin se unë nuk besoj tek “politika”, besoj tek “dashuria” dhe kjo pyetje është gjysmë profesionale dhe gjysmë politike. Nuk më pëlqen. Ajo që do të më pëlqente, është që njerëzit në vend që të shpresonin se do të shërohen më shpejt nga një sistem politiko- shëndetësor, të mund të shpresonin se gjithçka shërohet nëpërmjet dashurisë. Duke e kthyer dashurinë në prakticitet. Në këtë rast militantët e dashurisë do t’i adhuroja, ndërsa për militantët e politikes do të më vinte thjesht keq.
Për të dalë pak nga kjo atmosferë pyetjesh. Thonë se e bukura është relative, çfarë është e bukura për ty, Roland?
E bukura për mua është e natyrshmja. Ajo që rrjedh dhe nuk sforcohet për të qenë e tillë. Madje duke ditur se sytë tanë nuk perceptojnë gjithçka që ekziston, natyrshmëria e së bukurës është duke na pritur për ta njohur dhe besimi im është se bukuria nuk përflitet, shijohet, sepse që në momentin se dikujt mund t’i duket vetja intelektual apo poet për të përkufizuar të bukurën, në atë moment e bukura vdes. Kështu që, për të parë dhe pasur më shumë gjëra të bukura, thjesht dhe bukuria rrjedh nga ti, tek ti, rreth teje dhe kudo.
Çfarë mendimi ke për meshkujt të cilët kanë filluar t’u nënshtrohen operacioneve estetike? Ti vetë je pro apo kundër?
Jam kundër çdo operacioni plastik që bëhet për të rregulluar komplekset njerëzore apo për të evidentuar diçka që të gjithë e kanë. Thjesht jam kundër perfeksionimit të sugjeruar nga klinikat të cilat dalin sipër perfeksionit universal, duke rikompleksuar njerëzit e kompleksuar.
Po për dietat drastike çfarë mendimi ke? Mendon se janë të dëmshme për shëndetin?
Dietat drastike mendoj se duhen aplikuar vetëm tek ata që i kanë shpikur dhe duhen mbajtur larg njerëzve. Gradualiteti, harmonia dhe ekuilibri mund të fitohen duke mos përdorur dieta drastike.
Kur të kontaktova për intervistën, më the “jam në xhirime”. Është ndonjë projekt i ri në horizont apo do të vazhdojmë të të shohim tek “Pa limit”?
Për momentin jam me xhirimet e një formati televiziv që do të trasmetohet në “Digitalb”. Edhe këtë sezon do të vazhdoj të jem tek “Pa Limit” në “Top Channel” me shumë shumë surpriza të reja, lojëra të reja, aktorë të rinj, energji të reja.
Një mesazh për lexuesit e gazetës ” Shëndet+”…
Mesazhi im për të gjithë lexuesit është vetëm një slogan. “Dashuroni gjithçka dhe mos prisni asgjë… “



