Për gazetën “Shëndet+”: Dr. Polikron Çelo, pediatër
Nëse fëmija ka filluar të shtojë mbi peshën normale, duhen marrë masa para se të pëfundojë në dhjamosje. Asnjëherë mos kërkoni shkaqe të tjera, po korrigjoni ndonjë gabim të mundshëm.
Për të gjykuar ecurinë e peshës, shihni çdo tabelë të rritjes (i keni në shumë libra).
Mbi peshë quhet çdo fëmijë që ka deri 20% mbi peshën ideale, ndërsa të dhjamosur mbi 20%.
Nëse fëmija juaj është mbi peshë, pa shihni dhe peshën e pjesëtarëve të tjerë të familjes, ndoshta këtë rrugë kanë marrë dhe të tjerët.
E veçanta është se mbipesha para moshës 2 vjeç, krahas rritjes së përmasave të qelizave dhjamore, shoqërohet me rritjen e ndjeshme të numrit të tyre. Kur fëmija të rritet, qelizat dhjamore mund të zvogëlohen në volum, po numri mbetet i njëjtë, çka e bën më të vështirë për t’u normalizuar.
Cilat janë shkaqet?
Shkaqet janë të shumta e të ndërlidhura me njëra-tjetrën, brenda e jashtë familjes dhe me shoqërinë, dhe pak a shumë të studiuara. Në literaturë mund të lexoni hipoteza që e lidhin me gjene, trashëgiminë etj, por ku ka hipoteza, ka paqartësi, prandaj le të merren ata që bëjnë studime.
Dy janë shkaqet kryesore të dhjamosjes të pranuara nga të gjithë: ushqyerja e gabuar dhe jeta pa lëvizje. Shkaqet e tjera janë të rralla, përbëjnë vetëm 2 – 3 % të rasteve (lidhen kryesisht me çrregullime të funksionit të gjendrës tiroide ose mbiveshkore (surenale).
Ushqimi
Nëse me anë të ushqimit merren më shumë kalori se nevojat, atëherë “ky suficit” kthehet në dhjamë, prandaj duhet parë me sy kritik, ushqimi i zakonshëm, ato që jepen jashtë vakteve nuk quhen burim kalorish. Le të kujtojmë për shembull shishet me qumësht të sheqerosur në vend të ujit, lëngjet e frutave me sheqer, çokollatat, ëmbëlsirat etj. Ose kur fillimi i supave nuk shoqërohet gjithmonë me pakësimin e qumështit (ai vazhdon të jepet si më parë).
Fëmijët e moshës shkollore shpesh dalin pa ngrënë mëngjes, jo se nuk kanë uri, po se i presin gjetkë byrekët, picat, hamburgët etj, që i blejnë me paratë që u japin prindët, pa ditur se gabojnë.
Nëse një fëmijë mësohet gradualisht me ushqime sipas moshës, në fund të vitit do të jetë në gjendje që me pak përpunime të marrë ato që merr familja, por në jetën e përditshme nuk ndodh kështu. Me preteksin se nuk pëlqejnë perimet, jepen miellra me qumësht e sheqer (qullra) ose nga frika se mbyten, vazhdojnë me ushqime të përpunuara në mulinekse në fëmijë 2-vjeçarë.
Ende në shumë institucione (sidomos çerdhe e kopshte) në vend të perimeve që kërkojnë më tepër punë e fantazi, zgjidhet rruga më e lehtë duke gatuar asortimente me makarona, oriz dhe ëmbëlsira. Këto janë vetëm disa nga gabimet që vërehen në jetën e përditshme.
Jeta pa lëvizje
Lëvizjet fizike për fëmijët janë me rëndësi thelbësore për rritjen normale të tyre, ato harxhojnë energji e rrisin masën muskulare, në raport me dhjamoren. Por fatkeqësisht sot fëmijët lëvizin pak. Kohën e lirë shumica e kalojnë më tepër pranë televizorit, kompjuterit, videoxhokove, zakonisht të nxitur prej prindërve. Fëmijët e qyteve hipin e zbresin me ashensorë, në shkolla shkojnë me makina. Të tjerë i çojnë dhe i marrin në palestra me automjete, pastaj, meqë kthehen të lodhur, u japin “diçka të mirë”. Në qytetet tona, edhe ato pak kënde ekzistuese ku loznin fëmijët, sot i kanë zaptuar lavazhet e parkingjet.
Janë hapur shumë çerdhe e kopshte private e shtetërore, diçka shumë e mirë, por një pjesë e mirë nuk plotësojnë kushtet minimale të mjediseve ku fëmijët të luajnë.
Në shumë institucione parashkollore e shkollore nuk i kushtohet vëmendja e duhur ushtrimeve fizike.
Shoqëria
Obeziteti ose sëmundja e obezitetit (siç quhet sot), përbën shqetësim global, prandaj në shumë vende me këtë problem po merret seriozisht e gjithë shoqëria, me të gjitha mekanizmat e saj.
Cilat janë pasojat e mundshme?
Për të ilustruar pasojat s’ka nevojë për komente. Mjaftojnë kronikat televizive të plazheve, ku mund të shihni sa shumë fëmijë e adoleshentë barkmëdhej e me trup të deformuar.
Dhjamosja bart rreziqe për të gjitha moshat, duke filluar nga muajt e parë të jetës.
Nëse fillon në moshat e vogla, fëmija mund të ketë:
- probleme me rrugët e frymëmarrjes, si mahisje më të shpeshta
- vështirësi në frymëmarrje ose “sikur mbyten”, sidomos gjatë natës
- deformime të anësive, marrin formë “X”
- dhimbje kyçesh
- dystaban
- vështirësi për të lëvizur
- mund të mbetet i dhjamosur dhe në vitet që pasojnë
Rreziqe të tjera për çdo moshë
- Diabet
- Rritje të tensionit të gjakut
- Sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut
- Rritje të yndyrnave në gjak
- Në vajzat, vonesë dhe çrregullime të ciklit mestrual
- Ciste në ovare
- Gurë në tëmth (kolelitiazë)
- Probleme psikologjike. Duke u bërë objekt ngacmimesh prej moshatarëve, largohen prej tyre -preferojnë më mirë të qëndrojnë në shtëpi. Të shkëputur nga lodrat, kënaqësinë e gjejnë në të ngrënët, çka thellon shtimin e peshës.
Si mund të parandalohet?
- Kujdesi duhet të fillojë qysh në muajt e parë të jetës. Në fëmijët pa gji të respektohet me përpikmëri përgatitja e qumështit, sipas moshës.
- Kur fillohen ushqime të tjera jo me bazë qumështi (aty rreth moshës 5-6 muaj), të pakësohet qumështi (shpesh, duke mos e vlerësuar si ushqim e burim kalorish të tepërta, vazhdon të jepet si më parë).
- Jepuni fëmijëve lëngje frutash të përgatitura vetë, pa shtuar asnjëherë sheqer.
Për moshat në vazhdim
- Të pakësohen produktet me shumë kalori, në radhë të parë ato me bazë miellrash, duke shtuar më tepër perimet.
- Të kufizohen gjithashtu ëmbëlsirat, çokollatat, karamelet dhe të gjitha lëngjet e sheqerosura.
- Në fund të ushqimit, në vend të ëmbëlsirave, fruta ose lëngun e tyre pa sheqer.
- Zëvendësoni akulloret e zakonshme me akullore frutash.
- Yndyrnat (vaji, gjalpi, llarda, margarina etj) kanë shumë kalori, prandaj duhen kufizuar.
- Lërini fëmijët të hanë sipas dëshirës (nevoja për ushqim, organizmi i rregullohet vetë).
- Kthejini aktivitetet fizike në një mjet argëtues për të gjithë pjesëtarët e familjes.
- Nxisni ecjet në këmbë, shëtitjet, lojërat në mjedise të hapura.
- Nëse keni ashensor, është mirë të përdorni shkallët, të paktën pjesërisht.
- Biçikleta këshillohet për të gjithë fëmijët (më mirë në grup).
- Kush ka një qen, detyrohet ta nxjerrë për shëtitje, një shkak që fëmija të lëvizë, por edhe të largohet nga televizori e kompjuteri.


