Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure

Policia në Austri u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë pasi një mostër ushqimi për bebe nga HiPP u zbulua se përmbante helm për minj.

Policia në rajonin lindor të Burgenlandit tha se kavanozi i helmuar me pure karrote dhe patate ishte raportuar nga një klient dhe se, fatmirësisht, foshnja e tij nuk e kishte konsumuar ushqimin.

Sipas policisë, kavanozi ishte manipuluar. Autoritetet besojnë se të paktën edhe një kavanoz tjetër i helmuar është në qarkullim dhe kanë dhënë udhëzime se si të dallohen kavanozët e manipuluar.

Ata nuk kanë konfirmuar nëse rastet lidhen me një tentativë zhvatjeje. Megjithatë, deklarata e policisë thotë se paralajmërimi ka ardhur nga hetues gjermanë dhe se kavanozë të manipuluar janë sekuestruar edhe në Çeki dhe Sllovaki.

Të shtunën, HiPP tërhoqi nga tregu të gjithë gamën e pureve të saj në kavanoz që shiten në supermarketet Spar në Austri, duke paralajmëruar se konsumimi i tyre mund të jetë potencialisht “kërcënues për jetën”.

Kompania me bazë në Gjermani tha se tërheqja e ushqimit për bebe në Spar Austri “nuk vjen si pasojë e një defekti të produktit apo cilësisë nga ana jonë” dhe se kavanozët kishin dalë nga fabrika në “gjendje perfekte”.

“Tërheqja lidhet me një akt kriminal që po hetohet nga autoritetet,” thuhet në faqen e saj të internetit.

“Në kuadër të hetimeve në vazhdim, raste të izoluara të kavanozëve të ushqimit për bebe HiPP të manipuluar janë sekuestruar – siç u raportua më parë në Austri, tani edhe në Çeki dhe Sllovaki.

“Autoritetet përgjegjëse konstatuan pas ekzaminimit të këtyre kavanozëve se ato përmbanin helm për minj.”

Spar ka hequr gjithashtu nga raftet ushqimin për bebe të kësaj marke edhe në vende të tjera si masë paraprake.

Autoritetet austriake u kanë thënë konsumatorëve të kontrollojnë për kapakë të dëmtuar ose të hapur, mungesë të vulës së sigurisë, erë të pazakontë ose të prishur, ose një etiketë të bardhë me rreth të kuq në pjesën e poshtme të kavanozit të qelqtë.

Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore paralajmëroi prindërit që, nëse foshnjat e tyre kanë konsumuar ushqimin e kësaj marke, të konsultohen me mjekun nëse shfaqin shenja gjakderdhjeje, dobësie ekstreme ose zbehjeje.

Konsumatorëve u është kërkuar gjithashtu të mos konsumojnë kavanozë HiPP të blerë në Eurospar, Interspar dhe Maximarkt, por t’i kthejnë ato për rimbursim.

Në Austri ka më shumë se 1,500 dyqane Spar.

Policia theksoi më parë se ushqimi për bebe i shitur në dyqane të tjera nuk është prekur nga tërheqja.

Edhe formula e qumështit për bebe e HiPP nuk është prekur.

Shitësit në Çeki dhe Sllovaki gjithashtu kanë hequr paraprakisht nga shitja të gjithë kavanozët e ushqimit për bebe HiPP.

Ky incident vjen vetëm disa muaj pasi dy marka të tjera për bebe u detyruan të tërheqin në shkallë të gjerë formulat e tyre për foshnja për shkak të frikës nga kontaminimi.

Në janar dhe shkurt, Nestlé dhe Danone tërhoqën nga tregu markat e tyre të formulave për bebe në më shumë se 60 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, pasi disa foshnja u sëmurën.

U kuptua se disa seri specifike ishin kontaminuar me toksinën cereulide, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella kur konsumohet. Kjo toksinë nuk shkatërrohet nga gatimi apo gjatë përgatitjes së qumështit për bebe.

Agjencia e Shëndetit dhe Sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) tha në shkurt se të paktën 36 foshnja në Britani kishin pësuar helmim ushqimor për shkak të formulës së kontaminuar. Sipas UKHSA, asnjë nga rastet nuk ishte kërcënues për jetën.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën