Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore

Kafeja dhe çaji janë ndër pijet më të konsumuar në botë dhe prej vitesh studiohen për përfitimet e tyre shëndetësore. Një studim i ri sugjeron se, përveç efekteve të njohura, ato mund të ndihmojnë edhe në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2 dhe goditje në tru.

Studimi, i publikuar në The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism, analizoi zakonet e konsumit të kafesë dhe çajit tek rreth 188 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar, të moshës 37–73 vjeç. Nga këta, rreth 172 mijë konsumonin pije me kafeinë dhe nuk kishin histori të sëmundjeve kardiometabolike në fillim të studimit. Pas një ndjekjeje prej rreth 12 vitesh, u konstatua se konsumimi i 2–3 filxhanëve kafe ose deri në 3 filxhanë çaji në ditë lidhej me përfitimet më të mëdha për shëndetin.

Personat që konsumonin 200–300 mg kafeinë në ditë kishin rrezik më të ulët për sëmundje kardiometabolike krahasuar me ata që konsumonin më pak se 100 mg. Konsumuesit e kafesë rezultuan me uljen më të madhe të rrezikut, deri në afro 50%, ndërsa ata që merrnin kafeinë nga çaji ose kombinimi i të dyjave kishin rreth 40% më pak gjasa për të zhvilluar këto sëmundje. Edhe tek ata që konsumonin mbi 400 mg kafeinë në ditë nuk u vunë re efekte negative të dukshme.

Sipas ekspertëve, kafeja dhe çaji përmbajnë antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave, reduktimin e inflamacionit dhe përmirësimin e përpunimit të sheqerit në trup. Kafeja ndikon më shumë në kontrollin e glicemisë, ndërsa çaji – veçanërisht ai jeshil – ndihmon në funksionimin e enëve të gjakut dhe uljen e tensionit.

Megjithëse edhe versionet pa kafeinë përmbajnë përbërës të dobishëm, kafeina mund të japë një efekt shtesë në metabolizëm. Në të kundërt, pijet energjike, pavarësisht përmbajtjes së kafeinës, nuk ofrojnë të njëjtat përfitime dhe mund të kenë efekte negative për shkak të sheqerit dhe aditivëve.

Ekspertët theksojnë se konsumimi i moderuar është çelësi. Autoritetet shëndetësore rekomandojnë jo më shumë se 400 mg kafeinë në ditë për të rriturit. Gjithashtu, rëndësi ka edhe mënyra e konsumit: shtimi i tepërt i sheqerit apo kremrave mund të zbehë përfitimet. Kafeja dhe çaji mund të jenë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, por duhet të kombinohen me ushqim të balancuar, aktivitet fizik dhe menaxhim të stresit.

Postime të ngjashme

Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë